E shtune, 21.12.2024, 12:26 PM (GMT)

Kulturë

Injoranca në stinë të ftohtë, të mban ngrohtë - Fotot e politikanëve trembin ujqërit

E diele, 16.09.2007, 08:35 PM


Nga Luan Laze

Për të nderuar përvjetorin e vdekjes së një të nderuari, morën pjesë gjithë të çnderuarit.

Injoranca në stinë të ftohtë, të mban ngrohtë

I vetmi gaz që nuk të bën për të qeshur, por të trishton dhe të merr jetën, është ai që tregtohet me bombula. Kështu shkruaja në këtë gazetë para disa ditësh. Tani e kuptoj se e kam patur gabim. Kjo, sapo mësova lajmin se, kriza e gazit troket në Shqipëri. Për çfarë gazi është fjala? Për të qeshurën? Ne atë e kemi me bollëk. Qeshim me varfërinë tonë, me budallëqet tona, me politikanët, me policinë, me rrugët, trafikun, këmbësorët, tregun, çmimet, VIP-at, homoseksualët, lesbiget, spitalet dhe drejtuesit pervesersë televizivë. Por qeshin edhe politikanët me ne. Qeshin ambasadat e huaja. Qeshin delegacionet e KE, BE dhe NATO-s. Qeshim me këngët në çdo qoshe rruge, qeshim me humorin banal në ekrane, qeshim me lajmet në TV dhe gazetat. Nuk harrojmë të qeshim edhe në varrime. Bota e përcjell të ndjerin me duartrokitje ndërsa ne me të qeshura, humor, gaz, qurra, pandjenja, dhe ulërima. Vetë kjo e fundit, të bën për të qeshur. E ku është kriza e gazit këtu?

Si the? E kishe fjalën për gazin që ngrohemi? Aha, mendova se po flisnit për gazin që na ka falur Zoti, të qeshurën. Atë që e përdorim sa herë dëgjojmë një mençuri, një budallëk apo një varfëri me tapi dhe të hipotekuar. Shpirtërore ose materiale. Si kjo e jona. Ndërsa sa për krizën e gazit të bombulave, edhe këtë do ta kalojmë me gaz. Hajde i fusim një të qeshur sëbashku për lajmin se, Shqipëria u prek nga kriza e gazit. Qeshim edhe një herë tjetër se është ngritur çmimi. Qeshim kur na vjedhin në peshë shitësit gaztorë të gazit. Qeshim përsëri se bombulat janë të kohës kur De Goli u bë synet për herë të parë. Qeshim kur mësojmë se, kur u bë për herë të dytë, në Francë kishin dalë bombulat e reja. Qeshim dhe na ngrin e qeshura në buzë, kur mësojmë se një familje u vra nga bombula e gazit. Ne përsëri qeshim, sepse bombulës tonë ende nuk i ka ardhur në majë të hundës me gazin që na ka kapur. Kur shpërthen gazi i saj, gjithë gazet e tjera heshtin përjetësisht. Sepse injoranca në stinë të ftohtë, të mban ngrohtë. Megjithatë, gazi me gaz del. Na kapi gazi edhe për krizën e gazit të bombulave. Qeshni sa më shumë! Kur njeriu qesh dhe ka gaz me mjerimin e vet, i jep kohë shkaktarit të hipotekojë pasurine e tij. Por, seriozisht, jo duke qeshur.

Fotot e politikanëve trembin ujqërit

Presidenti i Republikës Alfred Moisiu u ka telefonuar këto ditë drejtuesve vendorë në zonat që janë mbuluar nga dëbora dhe i ftohti. Ata i janë ankuar kreut të Shtetit se, përveç mangësive të tjera si: drita, ujë, dhe rrugë të bllokuara, janë shtuar edhe ujqërit. Kanë demtuar bagëti dhe ndihmat që po u dërgohen. Moisiu, si strateg ushtarak dhe Komandant i Përgjithshëm, ka urdhëruar drejtuesit vendorë:

Në çdo stan apo shtëpi fshatari të vihen fotografitë e mëdha të deputetëve të zonave dhe politikanëve të njohur në Shqipëri. Dhe ashtu u bë.
Nga zonat e Veriut njoftohemi se kjo pati efekt të menjëhershëm. Ujqërit u trembën nga fotografitë e politikanëve dhe janë larguar me vrap drejt pyjeve dhe shpellave. Kafsha e egër duhet të mësojë se, mbi të ka portrete dhe zanate që janë më të egra se vetë ajo.
Përvoja ushtarake e ndihmoi edhe në këtë rast Presidentin. Por edhe fshatarët. Ndërsa ujqërit e patën pisk, sepse dështuan para kësaj strategjie antiujk. Dikur, Moisiu vinte fotografitë e presidentëve amerikanë në tabelat e qitjeve, tani fotografitë e politikanëvë shqiptarë në kasolle dhe stane. Me sa duket e ka kuptuar se, ata vetëm për të trembur ujqërit janë. Kështu qenka jeta shqiptare. Sidomos politika e saj. Delet në qytet votojnë për ujqërit. Fotografitë e tyre pastaj, trembin ujqërit në mal që të mos hanë delet në stane. Së paku një punë të mirë e bëjnë. Kur vjen dimri i egër, trembin ujqërit. Thonë se, ujku vetëm nga ujku ka frikë. Po Presidenti i Republikës ku e dinte këtë gjë, vallë?!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora