Speciale
Vepror Hasani: Perikli Ikonomi - Shlimani shqiptar, një jetë në kërkim të orakullit të Dodonës
E marte, 25.08.2009, 08:33 PM
Perikli Ikonomi |
Dodona e vjetër pelazgjike jo në Janinë, por në në malin e Tomorrit*
Nga Vepror Hasani
Jo rrallë herë ai ndihej i nervozuar . “Çështë kjo heshtje e madhe që na mbulon të gjithëve”, pyeste veten herë pas herë. Në raste të tilla, Perikli Ikonomit i lindte dëshira të ngrihej dhe të shkonte në Tiranë, të trokistë në zyrat e qeverisë dhe t’i pyeste të gjithë: “Ju lutem më thoni, çështë gjithë kjo heshtje…”?! “Përse nuk flitet për malin e Tomorit… më thoni përse” ?! Në raste të tilla Perikli Ikonomit i dukej sikur ishte atje dhe vazhdonte të ngrinte zërin: “Nëse Olimpi, mali i përmendur i Greqisë së vjetër, ka rëndësi historike sot, ca më shumë Tomori i Shqipërisë duhet të jetë më i përmenduri si selija parahistorike e Perëndive të vjetra të stërgjyshëve tanë Pellazgo-Illyrianë dhe duhet të ketë një rëndësi historike më shkëlqyese për kohën e vjetër…”. “Tomori për Shqipërinë e lirë është monument i madh kombëtar…”! Perikliut i pëlqente veçanërisht të theksonte shprehjen “shqipëri e lire”, ndoshta për t’u thënë pushtetarëve, përse keni frikë, kur jetoni në një vend të lire, ose me këtë fjalë ai kishte parasysh Shqipërinë brenda kufijve të sotëm. Duke menduar se ishte gjithnjë atje në zyrat e Tiranës, vazhdonte të mendonte ato që douheshin thënë: “A nuk e dini ju se shënimet historike të Herodotit, Hesiodit, Pliniusit, Pindarit, Plutarkut, Dionys Perigjitiut, Athanas Stagjiritit, Didymosit, Eustathit dhe shënimet gjeografike të Strabonit, Skymnos Hiosit, të Meletios e Barthelemyt e largojnë nga Janina vetiu Dodonën dhe e sjellin këtej në veri të Toskërisë…d.m.th. në Tomorin e Shqipërisë së lire”! “Nuk e dini…”?! “Unë i kam studiuar këto libra, i kam studiuar për 8 vjet me radhë dhe e di çfarë them, por, po të studiohen mirë ato shënime si edhe shënimet e gojëdhënat si mjet argumentesh, atëherë mund të merret vesh më mirë e vërteta përkatëse, që deri sot ende nuk është ndriçuar plotësisht…”. Në të vërtetë, që të gjitha këto, Perikliu vetëm sa i mendonte, sepse realisht nuk kishte patur ndonjëherë ndërmend që të shkonte në Tiranë. Megjithatë pas dëshpërimeve të tilla, gjente mundësinë të ngushëllohej: “Mali Tomorr e ka trashëguar vetë emrin e tij dhe sa nuk e thotë që unë jam Tomori i Zotit të Pellazgëve… besa sikur të kish pasur gojë do të gjëmonte fort kundër atyre që e përbuzin dhe kërkojnë t’i humbasin vleftën e madhe historike…”, përfundonte kështu mllefin e tij kundër heshtjes Perikli Ikonomi. Megjithatë nëse Henrik Shliman mbeti njeriu që zbuloi Trojën, Perikli Ikonomi do të mbetet “studiuesi i heshtur” që punoi çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, çdo vit, për të gjetur vendlindjen e orakullit më të vjetër të Dodonës
Dodona dimërkeqe- dimri në malin Tomorr
Ai nuk e duronte dot heshtjen dhe sërish nervozohej:
“Si nuk u shkon mendja vallë, vazhdonte të pyeste veten, Perikli Ikonomi se Dodona dimërkeqe është mali i Tomorit. Dodonën dimërkeqe nuk e kam thënë unë, por Homeri në librat e tij. Ja çfarë thotë ai te Iliada, (XVI. 234): Aqilehti, …i çoi aso kohe një përshëndetje Zeusit të Dodonës pelazgjike e i thotë në formë lutje: “O Zot, mbret Dodonas pelazgjik që banon në ato vende të largëta e sundon mbi Dodonën dimërkeqe…”. A nuk është ky mali i Tomorrit? A nuk bën atje një dimër i keq dhe i ashpër? Ne që të gjithë e dimë që është kështu!. Fjala greke e Homerit “dhisqimeros”, që në shqip do të thotë “dimërkeqe” zë plotësisht vend kur flitet për klimën e ftohtë që ka vetë mali Tomor dhe rrethinat e tij”. Pas kësaj Perikli Ikonomi ishte gati t’i tregonte çdo bashkëbiseduesi çdo gjë mbi malin Tomor. “Atje bën një dimër i keq, tregonte ai. Dëbora e mban malin të mbuluar pothuajse gjithë vitin. Mbi atë mal fryn një erë e ftohtë si akullimë. Është një tmerr i vërtetë. Atje gjen dëborë të pashkrirë kurrë ndonjëherë. Dëbora është shekullore. Banorët e atjeshëm thonë se mali ushton e gjëmon herë pas herë. Ushtima e tij është e tmerrshme dhe përhapet si jehonë, madje thonë se ai gjëmon edhe për së kthjellti. Në këto raste dridhet i gjithë vendi. Kjo është arsyeja që në atë vend njerëzit betohen: “Për atë Mal që vret në të kthjellët”. Atëherë si mund të thuhet se Dodona Pelazgjike ndodhet në Janinë, kur atje në atë vend, nuk e gjen një dimër të tillë?!
Fushëza e Sellopisë - fusha pjellore e Myzeqesë
Kishte kohë që e kishtë përfunduar studimin e tij, në atë kohë ishte 44 vjeç, kurse tashmë po i kalonte të 50-tat dhe prapë asgjë nuk dëgjonte për malin e Tomorrit. Në ditë të tilla heshtjesh të pafund ai i kthehej sërish orakullit të Dodonës. Citonte përmendësh thënie të historishkruesve të vjetër: “Hesiodi, thoshte P.Ikonomi, në librin e tij ( VII, 16) dhe Straboni në librin ( VII, 19) e përmendin qytetin Sella të Sellopisë si vend të tempullit të Dodonës dhe tregojnë, se Sellopija është vend me plot dhera (ara) pjellore në drithra, me plotë livadhe të mira për kullotje, ka tufa të mëdha dhenësh e me shumicë, ka tufa qesh e lopësh nga ata që i përdredhin ose i heqin zvarrë këmbët, kur ecin; këtu banojnë dhe burra të pasur shumë me dhen (d.m.th. dhenarë të pasur në bagëti) dhe të pasur në gjë të trashë (qe e lopë) dhe në kullotje (mushara). Thonë se më të parët e këtij vendi kanë qenë loparë (vuvotë) “sipas skolastiut Traqin. Sofokl. 1174 të Hesiodit” përmendin, se Dodona qytet gjendet në anët e tejme, larg në kufijt e fundit të Epirit (Toskërisë), “d.m.th. nga ana e këtejme”. “Atëherë , ngrinte zërin Ikonomi, si mund të mos mendosh që bëhet fjalë për fushën pjellore të Myzeqesë dhe jo për fushën e Janinës. Fusha e Janinës, të gjithë ata që e kanë parë e dinë mirë që është një fushëz e vogël, fort e ngushtë, krejt një luginë që nuk i përshtatet as thënies së Hesiodit, as të Dionisyt, as të Ttheusiatit dhe as të Strabonit, të cilët flasin për një fushë me gjerësi e pjellori të famshme në drithëra, për kullota bagëtish, për livadhe dhe ara të shumta e për fushë me tufë bagëtish, për fushë me tufa delesh dhe lopësh. Fusha e Janinës nuk e kishte këtë mundësi as për dhenarë me tufa dhenësh të shumta e as për gjithë të tjerat që përmend Hesiodi, Straboni e të tjerë. Por më thoni, kush nuk e di që krijimi i dy kolonive greke, njëra në Apoloni (Pojan) dhe tjetra Epidamna ose Durrachim (Durrës) nuk erdhi si rezultat i pjellorisë së famshme të Fushës së Myzeqesë. Nga këto dy qytete tregtia me vendet e jashtme filloi që nga shek 6-të para Krishtit. Kush mund të kundërshtojë thënien e Hesiodit, kur ai shkruan: “ka tufa qesh e lopësh nga ata që i përdredhin ose i heqin zvarrë këmbët, kur ecin”? A nuk bëhet fjalë vallë për buajtë e Myzeqesë?. A nuk e dimë të gjithë që buajtë e Myzeqesë i përkasin një race të vjetër?! A nuk keni dëgjuar që në fshatin Sheqishtë nën gërmadhat e fshatit Navoselë, pranë Fierit është gjetur një statujë bualli prej guri arduazi të errët?! Por mund t’u them edhe diçka tjetër: Sipas Tuqidhidhit Myzeqeja në shek V para Krishtit përmendej Taulantija, ndërsa Straboni te libri i tij (fq:8 kr I) e sjell me emrin Talarija, fis të Mollosëve, që banojnë pranë këtij mali; rreth këtij vendi janë dhera moçalishte; mali Tomorr në rrëzët e tij ka shumë burime. Me këtë dua të them se Taulantija- Talarja- dhe më vonë Lalarija kanë qënë fis i vjetër”, përfundonte argumentet e tij Perikli Ikonomi.
Qytet Sella i Sellopisë – Sulova e Tomorrit
Perikli Ikonomi kishte kaluar të 60-at, por përsëri ndjente vetëm heshtje, askush nuk fliste për Dodonën pelazgjike. Ndaj sërish i kthehej studimit dhe sërish argumentonte me heshtjen e vet.: “Studiesit dhe historianët e vjetër thonë se Dodona gjendet pranë qytetit Sella (Sella dhe Ella janë i njëti qytet), por edhe pranë qytetit Dodona, Hesiodi (libër VII, 16) dhe Straboni (libër VII, 19) përmendin qytetin Sella të Sellopisë si vend të tempullit të Dodonës. Të njëjtën gjë thotë edhe Homeri te Iliada (XVI. 234), kur Akili i çoi aso kohe një përshëndetje Zeusit të Dodonës pelazgjike e i thotë në formë lutje: “O Zot, mbret Dodonas pelazgjik që banon në ato vende të largëta e sundon mbi Dodonën dimërkeqe, për rreth teje banojnë Selijtë….”. Po ku ndodhet Sella? Studiues të rinj janë përpjekur që qytetin Sella ta identifikojnë me fshatin Sul të Janinës së bashku me fshatin Lopçi, ndërsa malin Ksirovuno apo Uliçka me malin e Tomorrit, por nuk kanë mundur t’ia dalin dot mbanë. As gërmimet arkeologjike nuk e kanë thënë këtë gjë. Arsyeja është e thejshtë: vendi ku ka qënë Dodona shikonte detin, kurse nga vendet e pretendura deti nuk duket. Edhe P.Aravantinoi pasi studioi shënimet e historianëve të tjerë, të vjetër, pati mendimin se Tomori duhej të ishte mali i Ksirovunit dhe Kastrica qytet i Dodonës, por në epilogun e boroshurës së tij (Janinë 1859) pohon se, “nuk ka argumenta të plota dhe se vendi i Dodonës nuk dihet se në ç’krahinë është”. S’kishte si të ndodhë ndryshe. Qyteti Sella i Dodonës është Sulova e Skraparit dhe Sellopia është fusha e Myzeqesë. Të gjithë rrugët të çojnë atje. Z. Mollossit (faqe: 122, vol: I) thotë, “se qyteti Enissa dhe Ella kanë qënë qytete të Orestiadhës së Epirit” (Toskërisë). Që Orestët kanë banuar që nga kohët e lashta në gjithë rrethin e Tomorrit dhe Beratit kjo nuk ka asnjë dyshim. Kjo krahinë e mori këtë emër nga Oresti, biri i Agamemnonit (njëri nga prijësit e luftës së Trojës), ai pasi vrau nënë e tij u detyrua të fshihej në krahinën e Beratit, çka bëri që kjo hapësirë të merrte dhe emrin Orestiadhë. Këtë të vërtetë na e thotë edhe Straboni (lib VII, kr. VII, 8) Pra, qyteti Sella apo Ella ka qënë këtej, në kufi veriorë të Toskërisë, ndaj edhe Dodona është këtej dhe jo andej nga Janina. Po çfarë përfaqëson sot Sulova e Skraparit, i thoshte vetëvetes Perikli Ikonomi. “Emri i saj ka qënë Sul, ndërsa prpashtesën “-ova” e ka marrë nga turqishtja që do të thotë “vend”, pra vend i Sulejve, ose i Selejve. Ky fshat ndodhet në anën veriore, pranë Tomorrit dhe ka të gjitha të dhënat për ekzistencën e një qyteti të vjetër. Pranë tij, mbi malin Gorica, gjendet një kështjellë e vjetër. Në këtë vend ka ekzistuar edhe një faltore tepër e vjetër, por që të shkosh sot atje është e pamundur. Një urë që shërbente si kalim për atje, është gremisur prej vitesh, ndërsa vendi mbetet i thepisur. Aty gjendet edhe një shkemb me shumë dhoma në brendësi të tij dhe me një rrugë të thellë të nëndheshme që nuk dihet ku të çon. Nuk është çudi që kjo shpellë të jetë shpella e Sellopisë së Orestiadhës, ashtu siç e ka përshkruar Z. Mollossi te libri i tij (faqe 12. kr. I). Në këtë vend ekziston edhe një burim i thellë. E pra, ky është qyteti Sella i Dodonës, ndërsa qyteti Dodona mbetet të jetë Qyteza. Ajo ndodhet pranë me Sulovën. Edhe aty gjendet një kështjellë e vjetër me gurë të mëdhenj si arka. Një vend i tillë përmendet edhe nga Straboni”, përfundonte gjykimin e vet “studiuesi i heshtur” Perikli Ikonomi.
Lopessia e Janinës-Lubesha e Skraparit
Perikli Ikonomi kishte kaluar të 70-at, megjithatë mendja e tij rrinte vetëm te orakulli i Dodonës. Ai kishte studiuar në gjimnazin “Zosimea” të Janinës, njihte mirë greqishten e vjetër dhe të re, italishten, frëngjishten dhe anglishten. Kishte lexuar çdo studiues të huaj që flistë për Dodonën. Dhe gjithnjë e më shumë bindej se Dodona ishte në malin e Tomorrit. Shpesh kujtonte fshatin Lubeshë të Skraparit: “Gjeografi Meletios në librin e tij (faqe 274-275), kujtonte Perikliu, tregon lopessët ishin nga Selijt që banonin pranë Dodonës dhe vendi i tyre quhej Lopessia. Me këtë thënie, ai (Meletosi) nuk ka bërë asgjë tjetër veçse ka vërtetuar që Lopesia është Lubesha e Skraparit. Ky fshat herë thirret me emrin Lubesha dhe herë me emrin Lobesha, por nëse do ta shkruanim greqisht do të ishte pa asnjë mëdyshje, Lopessia. Në rrokjen -ssia ku gjenden dy “ss” i përgjigjen natyrshëm shkronjës shqipe “sh,”(Lobesha-Lopessia). Ky fshat i Skraparit shtrihet në anën perëndimore të malit Tomorr, pranë tij rrjedh një burim me ujë të ftohtë, ekziston edhe një faltore e vjetër, por edhe një shpellë ku thuhet se brenda saj rritet një mollë. Nga ujërat e burimeve krijohet një lumë i vogël. Tek vendi i quajtur “Vokof”. Pranë me Lubeshën, askush prej fshatarëve nuk i prêt lisat pasi i quajnë të shenjtë. Jo, nuk kam asnjë dyshim që Lubesha është Lopesia”, ishte gati të ngrinte zerin Perikli Ikonomi
Lisat e Janinës-vëgjejt e malit Tomorr
Perikli Ikonomi kishte filluar të plakej, kishte kaluar të 80-at, por përsëri kishte dëshirë të gjendej edhe një herë te lisat e Tomorrit e të sillte ndërmend kohën e Dodonës, ku siç thoshte Ikonomi: “Titus Libius (libër VII, 3) nënvizonte, se banorët e rrethit të Dodonës në fillim hanin lënde lisash e vallangjidhash e pastaj nga priftërinjtë e tempullit mësuan të lërojnë tokën e të mbjellin drithra. Gjeografi Meletios (faqe 214) shkruante se pranë Dodonës ishte pyll me lisa e me vëgjej ( greqisht: dhryes qe figji). Pausanias (lib. A.14) thotë se në Epir është mali i Tomorr më të tjera parje (sehire) të bukua si dhe hierorja e Zeusit në Dodonë ashtu dhe vëgjeu i shenjtë i Perëndisë. Të gjitha këto thënie duket se flasin për vëgjejt e malit Tomorr. Vëgjeu është një farë pishe e butë me kokërra të rrumbullkata, të mëdha, të cilat brenda tyre kanë kokërra të vogla, quhen edhe fistiqe. Vëgjejt e butë sot për sot janë shumë të rrallë në këtë rreth, por vëgjej të egër ka mjaft, të quajtur dhe me emrin pishë, ashtu siç ka patur dhe ka mjaft arra ku më të famshmet mbahen ato të Lubeshës (Lopessia). Thënia e Gjeografit Meletios (faq 9 kr. lib) për pyll me lisa e më vëgji (figji) pranë Dodonës i përshtatet mjaft mirë pyjeve me lisa, lajthi, e vëgjej rreth Tomorit dhe mbi faqe të tij. Veç kësaj fjalët vëgje dhe figji, kanë afrim të madh rrokimi, ku greqisht bën “figji”. Sigurisht që në atë kohë banorët e Dodonës do të ushqeheshin me vëgje. Përveç sa më sipër, kërkuesi i njohur Carlo de Simone, nënvizon se në botën mikenase nuk njihet konsultimi orakullar i një lisi të shenjtë. Ai provon se gërmimet arkeologjike nuk dëshmojnë për karakterin dhe/ose praninë mikenase në faltoren e Dodonës, si dhe për faktin se nuk ka pasur dru profetik në Greqinë klasike…”. Pra s’mbetet gjë tjetër, veçse të themi që historianët flasin për vegjejt e malit Tomorr
Burimi çudibërës-burimi i Kuçedrës
Perikli Ikonomi po i afrohej fundit të jetës së tij, por sërish gjente shpesh ndjenjën e humorit. Sa herë që kujtonte thënien e Athanas Stragjiritit (faqe 304), ku thoshte se Dodona dimërkeqe (dhisqimeros) në malin Tomor, ka pranë lumin Dodon dhe një burim, që bën çudira… vinte buzën në gaz. Burimi i Dodonës, shpjegonte Stargjiriti kishte cilësinë, që të zbrazeshin ujërat e tij në kohë mesdite dhe të mbushej prapë me ujra deri në mesnatë; kjo farë çudije përsëritjej gjithnjë. Këtë e thotë edhe Plinusi, duke shtuar se në malin e Ddodonës rrjedhin 100 burime. “Sikur të kisha patur mundësi, mendonte Perikli Ikonomi, do ta kisha marrë Stragjiritin me vete dhe do të kisha çuar te 100 burimet me ujë të malit Tomor. Atje do të shikonte vetë se nga ujërat e burimeve krijohen dy përrenj të mëdhenj ose dy lumenj: njëri është lumi i Tomorricës dhe tjetri lumi i Zagorës. Por Tomori ka edhe dy lumenj të tjerë të mëdhenj; Osumin dhe Devollin, emri i këtij të fundit vjen nga fjala latine, Deo-lum- Deoli, prej fjalës Deus-perëndi që do të thotë “lumi i Zotit”. Prej gjeologëve austriak më 1917 është thënë se Tomori ka brenda një liqen të madh dhe uji brenda tij shkakton burime të shumta. Megjithatë Stragjiritin do të kisha çuar te burimi i Sulovës, ku të shihte një burim tepër të thellë e të çuditshëm, pastaj te burimi i Lubeshës që ka një ujë të ftohtë si akull, te burimi i Vitalenit që gjendet në krye të Tomorrit, te Qafa e Dhodhonit dhe që emri i tij ka një shpjegim: vitalis –jetë, Vitalenis- jetëdhënës, do ta çoja edhe te burimi me emrin “Konti”, te burimet e tjera, por edhe te burimi çudibërës që ne e quajmë “Burimi i Kuçedrës”. Atje do të shihte se ky burim herë sjell ujë dhe herë e ndërpret atë. Mund të të ndodhë që të jesh duke pirë ujë dhe atë çast të shterojë. Për këtë arsye banorët e thërresin me emrin Burimi i kuçedrës, sepse kur kuçedra nuk donte të të jepte ujë e zinte (bllokonte) atë. Ky fenomen ndodh edhe sot e kësaj dite. Që të gjitha këto tregojnë se Burimi çudibërës i Janinës është Burimi i kuçedrës në malin e Tomorrit, thoshte me bindje Perikli Ikonomi
Tomure, tomuros, tomuri, pelja (pelea) - që të gjitha fjalë shqipe
Tashmë Perikliu kishte zënë shtratin, kishte filluar të ndihej i sëmurë, por në çastet kur ndihej mirë niste të mendonte për fathënëset e Tomorrit. “Edhe fathënësit e Dodonës, tha gati me zë atë çast, Perikli Ikonomi, flasin për malin e Tomorit. Historishkruesit e vjetër shkruajnë se fathënësit e Dodonës quheshin Tomuri, fatthënat e tyre, Tomure dhe Tomuros, por kush nuk e di që të gjitha këto fjalë janë të gjuhës shqipe, që duan të thonë: Të mirat ose Të mirët. Prej këtyre fjalëve ka marë emrin dhe mali Tomor, që do të thotë mali i Të mirëve ose i Të mirave. Fatthënat quheshin edhe pelje ose pelea. Gjeografi Meletios (faqe 214) thotë: Pëllumba (pelje) quheshin gratë e tempullit, të cilat ishin barbare (me gjuhë jo greqishte) dhe dukeshin si zogj ndër të huajt...”. Ndërsa në shënimet e tij, kujtonte Perikli Ikonomi, Barthelemy thotë se prej dy pëllumbash të ikur nga Theba e Egjiptit, njëri erdhi në Dodonë të Epirit dhe tjetri qëndroi në Libi të Afrikës. Pëllumbi quhej me emrin Pelje, që në gjuhën e fiseve të vjetra të Epirit kallëzon emrin “plakë”. Të gjitha këto thënie të çojnë në Shqipëri. Peljet apo plakat përmenden edhe sot e kësaj dite në rrethinat e Tomorit, madje ekziston edhe legjenda e tri plakave, ku njëra prej plakave përfqëson datën 30 mars, e dyta 31 marsin dhe e treta 1 prillin. Në këto tre ditë në gjithë shqiptarët nuk punohej për nder të tyre, madje nuk punohet edhe sot”.
Tomuriasa- Tomorrica e Skraparit
Perikli Ikonomi kishte mbushur moshën 85 vjeç. Ndihej tepër i lodhur. Shpesh pyeste mos kishin parë të vinin arkeologë në malin e Tomorrit, por sërish i thoshin se nuk kishin parë njëri. Atëherë ai nisi t’u tregonte atyre që kishtë përqark se,
sipas historishkruesve të vjetër, nga Tomure ka rjedhur fjala Tomuriase që tregon krahinën e malit Tomor e që nuk është gjë tjetër veçse Tomorrica e Skraparit (rrethina e malit Tomor). Në këtë vend asgjë nuk gjen mangut përsa i përket orakullit të Dodonës. Në faqen jugore të Tomorrit, mbi katundin Bargullas, gjen qafën e Dhodhonit, po në këtë fshat ekziston edhe pllaka e Dodonit, ku nuk mungojnë as burimet me ujë të ftohtë, ndërsa në majën veriore të Tomorrit gjendet çuka e Peljes (peleas), fatthënëseve të orakullit të Dodonës. Nuk ka asnjë dyshim se kur gjeografi Meletos përmend emrin pelje e ka patur fjalën për tri plakat fatthënëse. Por mbi Tomor gjendet edhe një fshat tjetër që ka emrin, Mrakull, apo Mbrakull që do të thotë (mbë)Orakull, (te)Orakulli ose shkoj mbë Orakull. Edhe në këtë fshat janë gjetur statuja të stilit primitiv. Po, mali i Tomorrit është vendi ku lindën perënditë pelazgjike, fliste me siguri Perikli Ikonomi
Orakulli i vjetër Pelazgjik - mbi malin e Tomorrit
Ishte 23 maj i vitit 1977, Perikli Ikonomi pyeti sërish për arkeologët, por përsëri i thanë se nuk kishin parë njeri. I mbetur i trishtuar tha: “Po mirë, le të mos vijnë, gjithë studiuesit e vjetër e kanë thënë që orakulli i vjetër i Dodonës nuk ndodhet në Janinë, por në malin e Tomorrit. Ja çfarë thotë Homeri te Iliada: :Aqilehti, biri i Pileut dhe i Perëndeshës Deti, Kryetar i Lapathëve në Luftën e Trojës, i çoi aso kohe një përshëndetje Zeusit të Dodonës pelazgjike e i thotë në formë lutje: “O Zot, mbret Dodonas pelazgjik që banon në ato vende të largëta e sundon mbi Dodonën dimërkeqe, për rreth teje banojnë Selijtë, Dragomanët (fatthënës) këmbëzbathur e gjumëpërdheas….”. Pra Akili është Kryetar i lapathëve, lapëve( lebërve të sotëm) dhe ai i drejtohet Zeusit të Dodonës. Veç kësaj Plutarku ( lib. I..V,19. I.VI, 21, VII, 4 e IX, 6) thotë se fiset që banonin rreth Dodonës ishin Selijt, Enianët, Perrevejët dhe Athamanët, por Perrevejët dhe Athamanët u dëbuan që këtej prej Lapathëvet (stërgjyshërit e lapëve të sotëm). Pindari ( lib. I. IV, 84) thotë, që prej Pindit e kundrejt mjaft larg, afër Peonëve janë dhe malet Dodoniane, por Peonët janë fis ilirian, që në kohëra të vjetra banonin rreth liqenit të Ohrit, Dibër, Shpat, Mokërr, Golobordë e shtriheshin thellë brënda Maqedonisë e në veripërëndim të saj. Po të vazhdonim kështu lista e thënieve do të ishte shumë e gjatë. Megjithatë e vërteta është se edhe Straboni (gjeograf, libër VIII, 7 dhe në shënime, ku bën fjalë për Thesalët dhe Epirotët) thotë: “Po, Dodonën edhe disa të tjerë e vënë në vend më të lartë nga vendet veriore të Thesprotisë (Çamërisë) dhe mali i Dodonës është Tomori, rrëzë të cilit gjendet faltorja e Zeusit; Dodona është vend i fortë… Ndërsa Pindari (lib. VIII, 2) dhe Straboni (lib. VI, 19) thonë se vendi Dodonian ka qënë më tej Pindit dhe se prej malit Tomor duken edhe gjëra tërheqëse në parje. Të njëjtën gjë thotë edhe Didymos (lib.. I. VI, 12) dhe Eustathi (lib VI. 14) Ata theksojnë se krahina e Dodonës gjendej më tej nga veriu i Thesprotiosë (çamërisë) në vend të ftohtë”. Sigurisht që të gjithë kanë të drejtë. Të drejtë ka edhe Herodoti kur thotë (libër II, 53-59) se tempull i Dodonës ka qenë i vetmi, më i vjetri i gjithë të tjerëve; në këtë binin konsakrime (afieroma) dhe popuj të Evropës nga vende veriore të Ilirisë.” E pra orakulli i vjetër pelazgjiknuk iDodonës nuk ndodhet në Janinë, por në malin e Tomorrit dhe askund tjetër. Ndërsa po thoshte këto fjalë, Perikli Ikonomi mbylli sytë për t’u ndarë përgjithmon nga jeta, por që edhe atë çast dukej sikur thoshte: Çështë gjithë kjo heshtje e madhe që na mbulon të gjithëve!!!
*Ky shkrim bazohet tek studimi i studiuesit Perikli Ikonomi: “Dodona Pelazgjike dhe Tomor’ i zotit të Pelazgëve”
Komentoni
Artikuj te tjere
Halit Bogaj: Kolosi Mirosllav Kërlezha
Alfred Papuçiu: Lumturia zvicerane dhe shqiptarët
Myftar Memia: Strategjia e pansllavizmit rusomadh dhe e panserbizmit
Alfred Papuçiu: Ditari i një mediatori kulturor të rimëkëmbur (II)
Robert Elsie: Shenjtet e krishtere te Shqiperise
Kur krijohej Kisha Ortodokse Shqiptare
Isuf Kalo: Presidenti Obama me “bluzë të bardhë”
Baki Ymeri: Arnautët e Rumanisë në shërbim të besnikërisë
Agim Vuniqi: Arsimimi nuk është vetëm përgatitje për jetë, është vet jeta?
Avzi Mustafa: Letërkëmbime të pabotuara të Josif Bagerit
Alfred Papuçiu: Ditari i një mediatori kulturor « të dështuar »
Alfred Papuçiu: Festa kombëtare e Zvicrës dhe shqiptarët
Avzi Mustafa: Kongresi i Dibrës në raportin e diplomatit anglez
Tefik Selimi: Rrëfime për masakrën e Lashticës?!
Baki Ymeri: Malësori me zemër të ndezur për komb dhe atdhe
Arben Llalla: Botimet e para në gjuhën shqipe të Dhiatës së Re 1824, 1827, 1858
Alfred Papuçiu: Petrika Grosi dhe kultura shqiptare
Çerkin Bytyçi: Në Hoçë të Qytetit, fshat në afërsi të Prizrenit
Fritz Radovani: Vrasja e At Lekë Lulit: Rastësi apo trathti?
Vangjush Saro: Shënime për Korçën (II)