E enjte, 30.01.2025, 12:33 PM (GMT)

Speciale

Arif Kutleshi: Dr. Franz Baron Nopcsa – Shqipëria Katolike e Veriut

E diele, 20.05.2012, 05:04 PM


Dr. FRANZ BARON NOPCSA

 

SHQIPËRIA KATOLIKE E VERIUT

Përktheu nga origjinali/gjermanisht: Arif  KUTLESHI

FJALA E PËRKTHYESIT

Edhe fëmijë edhe burra, por të armatosur, që domethënë shqiptarë. Dhe një njeri i rrallë i Europës midis tyre: Dr. Franz Baron Nopcsa 

´Raporti mbi një udhëtim është në të vërtetë gjëja më e rrezikshme. Sepse çdo gjykim i papërshtatshëm jo vetëm që u bie në vesh malësorëve por edhe e keqkuptojnë jashtë çdo mase.´ A. Wirth, Në Shqipëri, ´Neue Rundschau´, 1908

(Këtu cituar simbas Nopcs-es në ´Nga Shala dhe Kelmendi´ Sarajevë, 1910.

   Baron dhe malësor, hungarez dhe austriak, hulumtues dhe udhëpërshkrues, doktor i paleontologjisë dhe entuziast i albanologjisë, gjeolog dhe antropolog. Fotograf, arkivist, ligjërues e drejtor në Akademitë e Shkencave dhe vizitues i guximshëm e kurreshtar i çdo pëllëmbe toke të Shqipërisë së Veriut. I dashuruar njësoj si në fosilet dinosauriane të Siebenbürgen-it të zbuluara rastësisht qysh më 1895 nga e motra Ilona, ashtu edhe në doket e zakonet e malësorëve të Veriut, me të cilat ra në kontakt qysh më 1903 kur ishte në Shkodër, përkatësisht më 1905, kur bëri udhën dhe përshkrimin e parë në Veri, anipse jo rrallë i sëmurë nga malarja dhe i penguar e i kërcënuar nga Valitë e Shkodrës. Një njeri i gjithanshëm, mund të thuhet, nëse merren parasysh fushat e veprimtarisë së tij, por edhe një poliglot, sepse Nopcsa njihte disa gjuhë përnjëherë: hungarisht, anglisht, gjermanisht, italisht, rumanisht, si dhe gjuhët sllave, por kuptohet edhe shqipen, gjegjësisht, dialektet e saj. Simbas studjuesit hungarez József Hála Nopcsa me kontributin e tij në shumë fusha (gjeografi, gjeologji, etnografi, gjuhësi, arkeologji, histori, etj.) dhe me respektin e tij ndaj shqiptarëve që në vitin 1913 gati qe zgjedhur mbret i Shqipërisë. Një hulumtues, një vrojtues, një arkivist, një dashamirës dhe mbrojtës i shqiptarëve. Një shqiptaro-vrasës, më në fund, përkatësisht, një vetëvrasës.

   Më 25 prill të vitit 1933 në rrugën Singerstrasse 12 në Vjenë, në banesën e tij, u gjetën dy kufoma, ajo e shqiptarit Elmaz Bajazit Doda, dhe e vetë Nopcs-es. Gjithçka u sqarua pastaj në testamentin e gjetur, të lënë prej tij.  Një krizë mendore, dhe një bezdisje qytetare ´fisnike´ apo një ndërgjegje e vrarë për pagat e papaguara sekretarit të tij. Ky qe shkaku i këtij fundi të dyfishtë tragjik. Nopcsa e mbylli jetën në moshën 56 vjeçare (ai ishte i lindur ndërkaq më 3 maj 1877 në një familje fisnikësh, prandaj edhe mbante titullin ´Baron´).

   Ndërsa këtu fillon pastaj odisejada e bibliotekës dhe e shkrimeve të tij për shqiptarët dhe Veriun shqiptar. Fatkeqësisht, as mbas një shekulli, ato ende nuk janë gjetur të gjitha dhe pjesa më e madhe e tyre mbesin sot e kësaj dite të panjohura nga lexuesi i gjërë shqiptar.

    Studimet si ´Die Bergstämme Nordalbaniens und ihr Gewohnheitsrecht´ (Fiset e malësorëve  të Shqipërisë së Veriut dhe e drejta e tyre zakonore), ´Geographie und Geologie Nordalbaniens´ (Gjeografia dhe gjeologjia e Shqipërisë së Veriut), ´Albanien. Trachten, Bauten und Geräte Nordalbaniens´ (Shqipëria. Kostumet, ndërtimet dhe veglat e Shqipërisë së Veriut) ´Aus Shala und Klementi´ (Nga Shala dhe Kelmendi) si dhe ´Das Katholische Nordalbanien´ (Shqipëria katolike e Veriut) janë të një rëndësie të veçantë jo vetëm në aspektin faktografik, por edhe shkencor, dhe presin dorën e studjuesve, përkthyesve, dhe botuesve shqiptarë, që të dalin të plota, një ditë.

   Nopcsa nuk ishte një Karl May që shkruante mbi cubninë e ´arnautve´ të ´egër´ pa i parë kurrë me sy këta. Nopcsa bashkëjetoi me malësorët, i njohu ata nga afër, e provoi mikpritjen shqiptare, bukën, krypën dhe zemrën e tyre.

   Të varfër ishin malësorët e Nopcses, të këputur nga skamja dhe armiqësitë fisnore, por krenarë, zemërgjërë, dashamirës, dhe të sinqertë deri në skajshmëri. Të hasmëruar e të zemëruar, me njëri-tjetrin shumë herë për gjëra banale, gjithashtu- por të miqësuar e të lezetshëm me Nopcsen vazhdimisht.

   Fëmijët e rritur të armatosur, të Europës! Një metaforë e rrallë, lapidare, e thënë ndonjëherë për shqiptarët, nga vëzhguesi kritik, nga miku i shqiptarëve.

   Unë u gjenda, thotë më një rast Nopcsa, në shoqëri të disa malësorëve nga Gruda që po ktheheshin në shtëpitë e tyre nga tregjet e Podgoricës, dhe të cilët , vazhdon ai, më binden të vazhdoja udhën me ta, drejt e në Malësi, pa u detyruar të shkoja më parë në Shkodër.

   Nopcsa kishte një karakter ´malësori´ , prandaj, shprehur me fjalorin e sotëm aktual socio-politik të Europës, ai edhe ´integrohej´ shumë shpejt në ambientin shqiptar. Ai kishte miq personal në shumicën e fiseve, të cilët bënin disa orë rrugë për ta takuar, sa herë që ky, nuk mund t´i vizitonte ata.

   Monarkia austro-hungareze nxori një vistër emrash të njohur siç janë: Hahn, Meyer, Jokl, Bopp, Miklosich, Šufflay, Patsch, Steinmetz, Lambertz, Thalloczy, Ippen, Haberlandt, (anipse këta emra nuk ishin vetëm austriakë) të cilët në mënyrë permanente u morën me shqiptarët, dhe kryesisht me Veriun katolik, dhe nxitsja kryesore e këtij interesimi të planifikuar vlerash (katolike) shqiptare ishte vetë Qeveria. Disa prej këtyre porse, merren me të drejtë si themelues të Albanologjisë.

   Është kënaqësi të merresh me Nopcsen. Ta hulumtosh veprën e tij, ta përkthesh pastaj në gjuhën shqipe, një materie që është krejtësisht shqiptare, është edhe më shumë se një kënaqësi: është një privilegjë.

   Them kështu sepse kohët kanë ndryshuar, tashmë në shoqërinë shqiptare po zë rrënjë ngadalë e si me vonesë por pashmangshëm, një dije dhe një vetëdije e re, një strukturë dhe një super – e -infrastrukturë e re. Ligji i natyrës dhe i shoqërisë e bën jetën e vet, dhe kjo është e logjikshme dhe e përligjshme, por njeriu nuk ka se si të mos ndjejë thënë kushtimisht një mallëngjim estetik edhe për format arketiperrnesës e të jetës (me këtë rast shqiptare, që janë forma unikale në krejt Europën!) mbi substratin e të cilave, në emër të vlerave, krijojmë jo rrallë, fatkeqësisht, antivlera.

Arif Kutleshi

 _________

Vjenë 1908

Origjinal:.

DAS KATHOLISCHE NORDALBANIEN

EINE SKIZZE

von

Dr. FRANZ BARON NOPCSA

(SEPARAT AUS ´FÖLDRAJZI KÖZLEMENYEK´, BUDAPEST)

IN COMMISSION BEI GEROLD & Co. WIEN 1908

SHQIPËRIA KATOLIKE E VERIUT

NGA DR. FRANZ BARON NOPCSA

   Kur të kujtosh se Shqipëria nuk është shumë më larg nga bregdeti i frekuentuar nga turistët , -dalmatin, se sa Esztergom nga Budapeshti, pothuajse habitesh nga sa pak njerëz deri tash është vizituar pjesa  malore e këtij vendi.

   Mungesa e komfortit dhe imazhi i keq, janë pengesat, që shumicën e vizitorëve e detyrojnë ta anashkalojnë Shqipërinë. Fakti, që këtu mbretëron mungesa e komfortit, askush tash s´mund ta mohojë, por që nga ana tjetër, një vizitë në pjesën katolike të Veriut do të ishte më e rrezikshme se sa një shëtitje e mbrëmjes në paralagjet e disa qyteteve të mëdha të Europës, kjo mbetet për tu hulumtuar. Në bazë të një përvoje përmbi gjashtëmujore pothuajse do të dyshoja në këtë.

   Ngatërresa të vogëla të paevitueshme, të cilat eventualisht mund të kenë edhe konsekuenca të mëdha, ta merr mendja që gjithkund e gjithëherë prandaj edhe në Shqipëri të ndodhin, kjo porse nuk është e veçanta- e këtij vendi. Përkundrazi: pakëndshmëritë e paparashikueshme ndodhin në Shqipëri më rrallë se tjetërkund, sepse me një aftësi të vogël të përshtatjes- në mentalitetin e njerëzve të këtushëm dhe me disa fjalë të mira këtu mund të arrihet shumë më shumë, se në çdo pjesë tjetër të Europës. Ato ´historitë e vetëpërjetuara të cubnive´ të atyre që e kanë vizituar Shqipërinë e Veriut, burojnë vetëm nga jozhdërvjelltësia e rrëfimtarëve. Unë gjithashtu, autori i këtyre rreshtave, do të dija të ofroja diçka të ngjajshme  nga përjetimet personale nga Shqipëria, por edhe unë mund ta konstatoj – me sa vijon, vërtetësinë e fjalisë : Mea maxima culpa.

   Në rend të parë falënderojë zotërinjtë konsujë të monarkisë së dyfishtë austro - hungareze August Kral në Shkodër dhe Baron Gyula Bornemissza në Durrës, si dhe vicekonsujtë Kraus dhe Edl, që një program moti të përgatitur munda ta realizoj në nëntor 1905, duke i rënë gjashtë muaj malësisë së Shqipërisë së Veriut këmbë, kryq e tëthuer, në përcjellje vetëm të banorëve të këtushëm.

   Përveç përkrahjes së zotërinjve të zënë ngojë, të cilët unë i falënderojë ngrohtësisht, më ndihmuan edhe një sërë faktorë të tjerë.

   I tërë Episkopati dhe kleri tjetër katolik i Shqipërisë së Veriut, personalisht porse i përzemërti Monsignore Primus Doçi, Abat nullius* në Mirditë më kanë ndihmuar parreshtur dhe për të kushedi të satën herë sollen dëshmi për ekzistimin e mikpritjes së famshme shqiptare. Sa u përket vendësve, të ashtuquajturit  kinse banorë të egër, kjo s´është pikëpamje imja. Për mua kjo është popullata më simpatike, të cilën unë, nëpër të gjitha ato vende që kam shkelur - ndonjëherë kam parë.  Imazhi i prishur në pjesën më të madhe bazohet vetëm në shpifjet e armiqëve të saj politikë, përkatësisht të serbëve. Unë vetëm mund të them, që në mesin e popullatës katolike të malësisë shqiptare vërtetë kam gjetur miqë të mirë e besnikë.

   Që nga Jezoli deri në Mërtur, nga Spaçi deri në Bugjon, në Orosh, në Shalë, në Shosh ose në Gimaj, gjithkund takova unë njerëz edhe pse të varfër e pak të arsimuar, por në çdo pikëpamje miqësorë, të ndershëm e të hareshëm, besnikë dhe shumë intelegjentë, të cilët do të më mbeten prore në kujtesë. Nëse hapësira dhe rrethanat e tjera nuk më pengojnë, do të doja t´i përmend me dëshirë një nga një, një vistër emrash të miqëve e të njohurëve të mi.

   Se shqiptarët bëjnë pjesë në trungun gjuhësor Indo - gjermanik, se janë pasardhës të Ilirëve të vjetër, - pra nuk janë në farefisni me popullsinë sllave -, është e ditur në qarqet shkencore, por në ato laike megjithatë mbretëron përgjithësisht pikëpamja, simbas së cilës shqiptarët trajtohen si popull sllav. Në këtë kontekst fjalët sllave në gjuhën shqipe tashmë nuk dëshmojnë kurrgjë hiç, sepse  ky konstatim në të cilin duan të bazohen, është sikur njeriu nga të njëjtat arsye të donte diçka të ngjajshme të pohonte kur është fjala për Hungarinë dhe gjuhën e saj.

   Kur është fjala për gjuhën shqipe do të doja të përmend vetëm disa të dhëna linguistike: shqiptarët nuk numërojnë si serbët ´jedan, dva, tri, ?etiri´ etj.  Porse, ´një, dy, tre, katër pesë, gjashtë, shtatë, tetë, për 6, 7, 8  kanë forma krejtësisht të veçanta, që në asnjë gjuhë tjetër të Europës momentalisht nuk i gjenë. Si shtigje të tjera të piketuara të gjuhës shqipe do të ishin mes tjerash përdorimi i një forme të shquar dhe të pashquar të emrit-, mbas të cilit vehet mbiemri dhe i cili ndahet me një nyje (i, e, t).

´Pferd´shqip thuhet ´kalë´, ´Kuh´: lopë, ´Fleisch´:  ´mish´, ´Brot´ : ´bukë´( krahaso fjalën gjermanisht ´backen´-pjek-ur), ´die Erde´ : ´tokë´, ´Wasser´ : ´ujë´ etj.

   Disa fjalë, si katund, (das Dorf), çoban, (das Hirte), dhe stan, (die Sennhütte), janë sigurisht me prejardhje të huaj dhe gjejnë përdorim që nga Shqipëria përmes tërë Ballkanit deri në Rumani dhe në Jug të Transilvanisë. Ndoshta ´bora´ (der Schnee) mund të ndërlidhet me bora, borën, dhe të ftohtit që sjell erën e karsteve të Istres. Më duket se vërtetë duhet të jetë domethënëse kthimi i emrave Velja dhe Dalmata në Shqipëri dhe në Dalmaci; më tutje janë emrat  Lissos (tash Lezha) dhe Lissa (në Istër), Arbëria (Albanien) dhe Arbe në Dalmaci, me gjasë gjithashtu jo pa interes. Toponime të tjera, si Livadhia dhe Gropa ose për shembull Shpella e Belovuk - ut (Höhle des weissen Wolfes) janë me siguri me prejardhje sllave. Skala gjendet me të njëjtin kuptim në Greqi (p.sh. Kakai Skalai Salamis). Qafa kuptimi themelor i së cilës është i përbashkët në të dy gjuhët: shqip e rumanisht, etj etj.¹

   Varianti i dialektit gegë i gjuhës shqipe në viset për të cilat unë flas këtu, në përgjithësi shfaqet në këto tri dallime: ai i Shkodrës, i Malësisë së Madhe (në veri të Drinit) dhe ai Mirdites. Një vendas mundet ndërkaq të dallojë (në të folur) madje një banor të Lezhës nga një të Shkodrës.

   Dallimi kryesor i të folmes së Shkodrës nga  ajo e Malësisë (së Madhe)  ka të bëjë në mes të tjerash në atë që, q - ja e fundit e shkodranve, ndeshet si ç dhe gj, për shembull tek fjalët qafa (Bergsattel), dhe Gjoni (Johan). Mirditori njihet sepse në vend të formave guri (der Stein) dhe gurra (die Quelle) përdor formën gjuri, respektivisht gjura.

   Në gjuhën e tyre Albanët  quhen Shqiptarë  dhe mbasi që shqipes i thuhet  Adler (der) atëherë, kjo e ka kuptimin si ´pasardhës të Shqipes´. Në mënyrë krejt të ngjajshme në të vërtetë do të formohet nga katund - (das Dorf) katundar, (der Dörfler); mal - (der Berg), malësor - (der Bergbewohner), etj.

   Emri Arbaniten  prej nga pastaj gradualisht doli emri Albaner - Shqiptar ( i italianizuar: Albanezi), përmendet qysh te klasikët e vjetër grekë, ndërsa nga Osmanët² këta u quajtën Arnaut. Me ortografinë e gjuhës së shqiptarëve shikuar nga gramatika teorike, keq qendron puna,: së pari- në Shqipëri në të vërtetë ka shumë, tepër, tepër shumë analfabetë, (origj.: viel, sehr viel, viel zu viel Analfabeten); së dyti,- dhe kjo është edhe më e rëndësishme -, s´janë -përveç atyre, të cilët mund të lexojnë e të shkruajnë - të një mendjeje, mbi atë se, si duhet t´i transkribojnë ato zanore me të cilat gjuha e tyre është e pasur në gjuhën latine, për të cilat, ajo nuk ka shenja të veta. Sikur lufta e derisotme mbi këtë çështje të mos ishte kaq e rreptë - që të mos e dëmtonte në shkallën më të lartë tërë kulturën e vendit, atëherë kjo do të ishte një temë – (fletë) rrufe falënderuese, e cila do të merrej si tepër qesharake. 

   Në këtë vend të vogël deri sot janë në përdorim kaq shumë ortografi me baza të ndryshme, sa që   është vështirë, vetëm të mbahet në mend, numri i tyre; përveç kësaj, sot e kësaj dite shumë shqiptarë të arsimuar madje edhe nëse zotërojnë shkrim - leximin, megjithatë, ka mundësi që shkrimet e grupeve të tjera të mos munden fare t´i lexojnë. Është për t´u pritur që këtu me kalimin e kohës, do të këtë, më shumë ortografi (alfabete) - se sa që do të ketë njerëz të gatshëm për lexim.

   Partikularizmi, që qysh në këtë çështje ngatërron çdo gjë, ta merr mendja që është i një natyre të përgjithshme, se sa që mund të duket në shikim të parë, sepse ky është një tipar themelor i karakterit të shqiptarit.

*Vër. Përk.: quhet ´nullius´ sepse nuk kishte qytet

¹ Kjo theksohet  në Fjalorin Etimologjik të Gjuhës Shqipe  të Meyer-it, si dhe në punimet e Hahn-it e të Ippen-it.

² Është e njohur, që fiset rreptësisht të muhamedanizuara në Ballkan  nga dyndjet osmane kanë pësuar ndryshime. Po përdor shprehjen muhamedan, për secilin që ndjek mësimet e Muhamedit, Osman – për pushtuesit e ardhur, Otoman përmbledh gjithçka që gjendet momentalisht nën sovranitetin turk.

HISTORIA

 Historia - përndryshe heroike dhe e turbullt - e fiseve Ilire - sepse qysh në kohën romake të përçara, - është një dukuri gjithandej e njohur, dhe poashtu nuk është kurrgjë e re as sherri i ndasive shqiptare e as mundësimi i depërtimit të mbretërisë së madhe sllave mbas dyndjeve të popujve, deri në Adriatik.

   Vetëm mbas shkatërrimit të mbretërisë serbe dhe marshimit të osmanëve – historia e shqiptarëve njohu një epokë-, mirëpo edhe kjo është meritë vetëm e njërit, e një personaliteti markant, që kësaj periudhe të historisë i dha karakteristikën e tij. Ishte i nevojshëm i tërë ndikimi personal i Skënderbeut që fiset shqiptare një për një në njëfarë mase të bashkoheshin: me këtë rast sukseset e arritura atëherë e shprehen porse substancën filigrane njerëzore, me të cilën dispononte ai. Nëse flitet për qëndresën heroike të një populli malësor kundër një pushtuesi të fuqishëm superior, atëherë gjithmonë në plan të parë do të zihen në gojë, emri i shqiptarëve dhe i Gjergj Kastriotit.

   Gjergj Kastrioti, i quajtur me dhunë (vulgo) Skënderbeg, bën pjesë në historinë e luftës të atyre prijsve të rrallë, të cilët qëndruan 24 vjet gjatë në fushëbetejë,  dhe të cilët në jetën e tyre nuk e dinë çka do të thotë të pësosh një humbje. Përmes aleancës së tij me Johannes Hunyady  Skënderbeu dhe me te Shqipëria luan një rol jo të parëndësishëm, madje edhe në historinë e Hungarisë. Shpata e tij fitimtare dhe helmeta e tij e stolisur me kokëdhie gjenden momentalisht në muzeun historik të Monarkisë në Vjenë. Mbas vdekjes së Skënderbeut ta merr mendja që Shqipëria si shkak i përçarjeve të brendshme u fundos prapë në humbëtirën e saj të mëhershme, të pakuptimtë.

   Në Skënderbeun koncentrohen gjithë karakteristikat e kombit shqiptar me të gjitha përparësitë dhe pothuajse me të gjitha mangësitë e saj, dhe kështu do të duhej të besohej, që pikërisht ai do të kishte qenë personaliteti më i përshtatshëm, që me kohë të bëhej gjithandej hero kombëtar i popullit shqiptar. Kjo nuk  ndodhi kështu, sepse katolikët shqiptarë e ngritën në hero lokal bashkëvendësin e tyre shumë të parëndësishëm Lekë Dukagjinin. Për çdo gërmadhë midis Oroshit dhe zingjirit të madh të Alpeve Shqiptare, thonë e ka ndërtuar Leka, në dy vende, te Çelëza dhe Blinishti (kjo e fundit në Mirditë) populli tregon gur të rrafshët, të cilët janë të njohur si sofra e  Lekës, dhe në ´Kanun të Lekë Dukagjinit´ (në përmbledhjen e kodifikueme), këtij burri, i është ngritur një përmendore e pashkatërruar.

E DREJTA ZAKONORE

   Si Kanun i Lekë Dukagjinit vlen e drejta zakonore për shqiptarët midis Drinit dhe Oroshit. Fragmente të tij nga At Mjedja janë botuar në revistën e antropologëve gjermanë, dhe ndryshon nga ajo që profesor Baldacci nën titullin e ngjajshëm publikon. Në vazhdim të këtij punimi do të përmendet edhe një herë elaborati i prof. Baldaccit, sepse ajo çka ky, dhe mbas këtij Barbarich si ´Ligj i Maleve ´ (Kanun L.D.) publikojnë, thënë troç -  s´është asgjë tjetër se sa një llomotitje.

   Kanuni i Lekë Dukagjinit, siç quhet ai në Malësi, bart shenjat mesjetare.

   Ky do të karakterizohet midis tjerash edhe përmes asaj që porota, gjakmarrja dhe gjoba, janë institucione të njohura, vërtetë në Mirditë në rast të një gjakmarrjeje të sapokryer (vrasje) zhdëmtimi mund të bëhet në kompenzim material, 1200 Krona gjobë në para ose në mall duhet paguar pjesëtarit të të vrarit të ngelur gjallë.

   Natyrisht një rregullim i tillë parashikon rastin rrallë të ndodhur, që pala e dëmtuar nuk do ta refuzojë (kompenzimin) dhe që do të heq dorë nga gjakmarrja. Në veri të Drinit, përveç këtyre 1200 Kronave duhet paguar të parit të fisit, por edhe personave me pozitë më të lartë apo më të ultë edhe shuma të tjera; në ketë krahinë shpesh edhe pjesëtarët e farefisit të të vrarit kërkojnë dëmëshpërblime madje edhe më shumë se 1200 Krona.

   Fiset që jetojnë në jug të Mirdites, si në Lurë  dhe në Kthellë, kanë devijuar nga kjo praktikë në atë mënyrë që, institucionin e kompenzimit material nuk e njohin; këtu ose ka hakmarrje ose kurajë të madhe, pra, falje të pakushtëzuar. Këto fise karakterizohen, edhe përmes asaj që këtu dorasit eventualë, jo si tjetërkund, ku nëse është disi e mundur, shtrëngohen që ta braktisin krahinën e fisit, dhe pasurisë së tyre që duhet të shkatërrohet, i prehet çmimi,- dorasi këtu zakonisht tërhiqet në kullën  e tij për gjithë jetën, prej nga sfidon ndjekësit e tij. Në raste të këtilla simbas pikëpamjeve shqiptare, pjesëtarët e palënduar të gjinisë femërore të familjes së tij, përveç përndryshe punëve të zakonshme, duhet t´i kryejnë gjithashtu edhe të gjitha punët e ardhshme, si për shembull, të kujdesen për punët e tregut , e madje edhe për punët e fushës.

Nëse në Kthellë ngjanë ndonjëherë, që një gjaksuer mbas pritje - zënieve të shumëta, jo vetëm dorasin, por të vras edhe anëtarë të tjerë të familjes, si të birin, vëllain, nipin, kushëririn,- atëherë, tagrin e dorasit të  tyre, e  paguajnë edhe këta mospjesëmarrës të krimit.

   Njëri  me emrin  B¹. në Rrëshen, shkaku i sjelljes së keqe të vëllait të tij, ishte në gjak me jo më pak se tri familje të fqinjve. Ai është, siç thuhet, në një gjakmarrje të trefishtë, dhe kur e braktisa njëherë kullën e tij mikpritëse, vetëm në shoqëri të pesë burrave të armatosur qe i mundur plotësimi i dëshirës së tij që të më përcillte pak. Mirëpo, edhe gjatë kësaj copë - udhe të bërë me vemendje të jashtëzakonshme, do t´i rroknin armët si në një fushëbetejë. Takimi me kundërshtarët e B.-së, me gjasë nuk do të kishte nje fund fatlum. Gatishmëria e tij që megjithatë të ndjehej i disponuar dhe të bënte shpotí, më dukej krejt paradoksale. Me gjasë, duket se ishte mësuar me një jetë të këtillë. (Episodë, mars 1906).

   Mbasi që B. është në gjak të trefishtë, duhet tre pjesëtarë mashkuj të familjes së tij të vriten, deri sa të merret haku tamam.

   Fundja shikuar nga gjithë kjo, vëllai i vjetër i B.së mbas një drobitjeje të gjatë si pasojë e një plage kishte vdekur, tjetri vëlla që ishte tash gjallë kishte qenë një herë i plagosur, i ati dhe gjyshi kishin vdekur poashtu nga pushka. Madje edhe pa qenë profet, do të më ishte lehtë, -B. është vetëm 20 vjeçar,- për ta profetizuar mënyrën e vdekjes së tij, mirëpo gjithashtu edhe atij i ishte e qartë kjo, dhe megjithëkëtë, rrezikonte gjithçka madje edhe jetën, vetëm për t´më përcjellur mua, mikun e tij, një gjysmë ore. Bujaria dhe përzemërsia, në Shqipëri në njëfarë mënyre ushtrohen, sa që të duket e paarritshme. Në Malësia e Madhe dhe në viset e shtatë fiseve të Pukës miqësia nderohet aq shumë sa që dorasi madje edhe në shtëpinë e të vrarit mund të gëzojë të gjitha privilegjet e mikut të shtëpisë. Të mos e marrësh në shtëpi një gjaksuer, ose atij, mbasi që e ke pranuar brenda, ta nxjerrësh përjashtë, do të ishte në Shqipërinë e Veriut një ngjarje e padëgjuar. ( Vëzhgim i përsëritur gjatë udhëtimit tim.)

  Përkunder respektit të këtillë të bujarisë guxon prof. Baldacci  të citojë si një paragraf të ´Ligjit të Maleve´, këtë: ´Chi nasconde un assassino…paghera 3000 piastre di multa´. (Kush fsheh dorasin paguan 3000 piastra a më shumë)  Barbarich natyrisht vetëm e përsërit këtë besnikrisht. Kaq ashiqare, kurrqysh nuk do të mund ta dokumentonte paditurinë totale mbi marrëdhëniet  ndërshqiptare. Më këtë rast, ja, disa, episode të tjera lidhur me mikpritjen.

   Njëfarë N. merr vesh se po e kërkonin ta vrisnin dy vëllëzër, të dy rasteve të ndryshme. Për të treguar se nuk ua kishte frikën kundërshtarëve, shkon ai, i shoqëruar nga një mik, në shtëpinë e njërit për të darkuar, dhe pastaj në shtëpinë e tjetrit, për të bujtur. Gjatë pranisë së tij në të dy familjet e armiqësuara kundërshtarët nuk mund t´i bënin asgjë, sepse ky ishte mik tek ata, dhe si i tillë, sacrosanct (i shenjtë, i paprekshëm), por kur të nesërmen u largua prej tyre, armiqtë e tij meqë u ç´detyruan si mikpritës, duke u përvjedhur, nga prita, gjuajnë drejt tij dhe shoqëruesit, të cilin e plagosin në nofullën e poshtme, por i shkon ndoresh me ndihmën e karabinës së burrave t´i vrasë të dy kundërshtarët.   (Episodë në Shllak, fund i marsit 1906.)

   Në Curraj kam parë, një marrës haku² duke pirë kafe në shtëpinë e viktimës së tij të ardhshme dhe i zoti i shtëpisë P. ishte aq dashamirës, sikur mes tij dhe kundërshtarit,  të mos kishte ndodhur kurrë asgjë. Edhe pse ekzistonte gjakmarrja mes tyre ai e ndali atë, madje edhe të darkonte. (nëntor 1905.)

   Në Bugjon pashë një rast të ngjajshëm (dhjetor 1905).   Në Ungrej, shkaku i pranisë time, pa më thënë mua asgjë, u shty për disa orë të tëra zbatimi nga sapohyrja e orës së gjakut mbas një rasti të freskët - i hakmarrjes. Kur unë u largova nga shtëpia, u përcolla simbas premtimit të një nate më parë, kur ende s´kishte ndodhur asgjë, nga i vëllai i konakxhiut –  ; por as një orë nga largimi im nuk kaloi, kur i dëgjuam me shoqëruesin nga një kodër, të shtënat e parashikuara, të cilat poshtë në ultësirë sakaq po ktheheshin në një zjarr të rregullt breshërie. Në krismën e thatë të disa shkrepjeve kundrejt toneve të shurdhëta të martines, shoqëruesi im njohu nga të shtënat edhe të vëllain me karabinen e burrave në bashkëqitje. Pyetjes sime nëse donte të kthehej mbrapa në luginë për t´i ndihmuar të vëllait, për befasinë time, iu përgjigj negativisht, me vërejtjen se ai m´a kishte premtuar shoqërimin deri në Velja.  Vetëm një shkëndijzë nga sytë e tij i tradhëtonin mendimet dhe dëshirën e tij të fshehur. (Episodë në Ungrej, mars 1906.)

      Që për vrasjen e vëllait guxon të merret dëmëshpërblim në të holla, kurse për vrasjen e mysafirit haku mund të shlyhet përjashtimisht  vetëm përmes aktit të marrjes së gjakut

- është rrjedhim vetëm i konsekuencës së drejtë e respektit dhe e nderimit për mysafirin. Kur njëri njëherë në Blinisht    të Mirdites vrau mysafirin e vet, me gjyq të shpejtë, duke i prirë vetë i vëllai i tij, doli katundi, dhe e pushkatoi atë menjëherë.

   Përmes ndjekjes së rreptë të rregullave të mikpritjes dhe përmes mbrojtjes, që si mysafir deri sa të kthehet në shtëpinë tjetër - e gëzon, me një fjalë përmes `Besës´ i lehtësohet natyrisht në një shkallë të lartë të huajit, udhëtimi për në Shqipërinë e Veriut.

   Udhëtimi do të jetë i vështirë vetëm atje, ku midis dy fiseve të armiqësuara nuk ka Besë, domethënë, nuk mbretëron marrveshja - për shkak se Besa e lidhur ka skaduar ose nga çfarëdo arsye e veçantë do të pezullohet (prishet) ajo. Për fat të mirë marrëdhënie të tilla armiqësore ekzistojnë vetëm midis pak fiseve, kështu midis Shalës dhe Nikajt dhe pjesërisht, megjithëse në masë shumë më të vogël, midis Berishës dhe Bugjonit. Mirdita dhe Shkreli janë, edhe pse jo fqinj, në marrëdhënie të ngjajshme.

   Kur isha në Shalë, kapërcimi i kufirit midis Shalës dhe Nikajt, ishte thjeshtë i pamundur.

´Besa´ - kishte skaduar, dhe çdo shaljanë në Nikaj, dhe çdo nikaj në Shalë vlente si hasëm që duhej shtrirë për dhé. Vrasja e një kundërshtarit kremtohet me një darkë fitimtare. Madje edhe ´Udha e Besës´ e cila të shpiente mbi Çafën e Nërmanjes e cila simbas marrëveshjes vetvetiu e mbronte udhëtarin, qe pezulluar, dhe kështu munda unë këtë marshrutë ta bëja vetëm në përcjellje të priftit nga Shala. Për kthimin mbrapa shfrytëzova shoqërinë e dasmorëve nga Shala - meqë nga ana e Nikajt një besë e jashtëzakonshme - për kalim të lirë në këtë rast - ishte siguruar. (Dhjetor 1905).

---------------

¹) Shkaku i arsyeve të ndryshme më duket se s´duhet ta praktikoj in extenso që t´i permend emrat e përveçëm të personaliteteve më pak të rëndësishëm

 ¹ Ndryshe nga Gjaksuer në Shqipëri hakmarrësi resp. ndjekësi quhet ´Zot i gjakut´ (Herrn des Blutes).

ARMËT

   Në një vend ku mbretërojnë marrëdhënie të këtilla sociale si në Shqipërinë e Veriut natyrisht - rolin kryesor në jetë për mbrojtje personale e luan arma.

   Kur një guvernator turk para jo shumë kohësh kërkoi nga Nikajt i cili bënte pjesë në kompetencat e tij - t´i dorëzonin armët, ata u përgjigjen pozitivisht por me kusht që ai të kërkonte të njëjtën gjë nga shalajt që i takonin Vilajetit të Shkodrës . Kjo përgjigje na e kujton fjalë për fjalë retoriken në disa konferenca të mëdha ndërkombëtare, mirëpo  njeriu mund të ndjehet i qetë që përgjegjësi i Nikajve i cili e bëri këtë kërkesë, kurrë s´do të linte të ndikohej nga një diplomat europianë; megjithëse efekti i përgjigjes së tij ishte i njëjtë - , sepse çarmatosja e Nikajve u dasht që të shtyhej për më vonë. 

   Në Shqipëri – në panairin e Europës – janë të përfaqësuara të gjitha llojet e mundshme të armëve. Kryearma është martina tek e cila, këtu, dallohen dy tipe: ajo me radius të gjatë veprimi, e importuar, martinë origjinale, e ashtuquajtura kaçator, dhe një me radius të shkurtër veprimi e punuar vetë në vend si imitim i së parës, njëfarë lloj karabine, e cila njihet si ´Hut´e Gjakovës´ .

   Çmimin më të lartë e arrijnë, rrallë të tregëtuara në Shqipëri , manzeret e këmbësorisë turke për të cilat paguhet 450 Krona. Për shkak të fuqisë dhe forcës së depërtimit përmes drurit, siç janë trungjet e të ngjajshme - këto janë shumë të dashura, por edhe lehtë sigurohen në Gjakovë fishekët përkatës. Karabinat e mashkujve, çmimi i të cilave në Austro - Hungari kap shumën 90 Krona, në Shqipëri si armë të kontrabanduara gjenden me vështirësi, megjithëse shumë më lirë se sa pushkët manzere, çmimi i tyre sillet rreth 140 - 160 Krona. Arsyeja e çmimit kaq të lirë (sic!) qëndron pjesërisht në vështirësinë e sigurimit të fishekëve, pjesërisht ka të bëjë me mbushjet e reja nga kapsulat që nënkupton, manipulime, vërtetë të komplikuara teknike.

   Po kur është fjala për kaçatoren të gjitha këto çështje janë të padomethënie. Tek fishekët e martines është e mundur  që kapsulat e shkrepura lehtë të largohen me anë të një sendi metalik dhe ato te rejat vetëm me dorë të vehen në grykë (Vëzhgim nëntor 1905); barot dhe plumb ka sa, e ku të duash. Derdhja e formave të sferave nga gur lardhi të hirtë bëhen kryesisht në rrethinën e Kuzhninit, kurse përpunimi i bukur i kondakëve bëhet afër Mnelës. Një kaçatore kushton përafërsisht 120 Krona.

   Më pak të njohura se sa këto që u përmenden simbas radhës janë pushkët e barit dhe ato power-pushkët  si dhe Wendl-karabinat. Kjo e fundit njihet me emrin kapakli. Kjo është vërtetë e lirë, sepse nuk kushton më shumë  se 20 Krona.

   Martinat vendase - karabinat- punohen nga metali i butë, prandaj edhe kushtojnë 1 deri në 1 Napoleona e gjysmë, sepse prishen shpejt.  Si qendra të industrisë së martinës meqë rast madje edhe mbishkrimi  i patentes amerikane imitohet -  janë Gjakova dhe Tetova (sllavisht Kalcandale) (v.p. jo sllavisht, por turqisht).

Në këtë të fundit për shembull më 1901 i kam gjetur vetë afro 100 të punësuar në prodhimin e pushkëve.

   Një lloj modeli i ri pushkësh që pëlqehen është hedhur në treg nga Gjakova ka qe disa kohë dhe   është një kombinim i manzerrës me martinen. Manipulimet e nevojshme teknike me këtë rast dhe mbyllja bëhet në Gjakovë, hë për hë porse kjo pushkë, edhe pse për nga preciziteti i një manzerre jo tepër shtrenjtë, s´ka gjetur ende përdorim të përgjithshëm në vend. Më shumë se sa si raritet dhe si trashëgim, se sa për arsye tjera çfardoqofshin, dyfeqet e përpunuara, me strall, po arrijnë nganjëherë çmime jashtëzakonisht të larta.

   Armë të ndryshme të Europës Perëndimoret të ardhura tash në kohë të re, modele manzerre burrash, si dhe marka tipit të burrave Schönauer, të ngjajshme deri tashti kanë gjetur vetëm një përhapje të vogël në vend; por ekzistenca e tyre popullatës tashmë i është e njohur, madje në Shqipëri  dinë,  që nganjëherë  në armët precize mund të montohet një teleskop. Por se si duhet të përgatitet ashtu siç duhet djathi i tambëlit të deleve, për këtë edhe një kohë të gjatë nuk do ta kenë të qartë, këtu.

   Kur është fjala për pistoletat dominon revolja me gas, si dhe versioni i  saj malazez ; të gjitha tipet e tjera, që nga pistoletat me strall e deri te  manzerret automatike, i gjenë në përdorim poashtu. 

   Çmimi i një kutie fishekësh burrash kushton afro 37 Heller, një kuti për martinë vjen mesatarisht për gjysmë më lirë dhe pothuajse menjëherë morën vesh shqiptarët, që kutia e fishekëve mbasi t´i prehet pjesa e epërme lehtë mund të futet në futrollen e revolverit me gas.  Efekti dhe prodhimi i plumbave qorr tashpërtash këtyre u ka mbetë i panjohur.

   Prej nga i përmbush Shqipëria nevojat me barot, nuk munda ende të marr vesh¹, vetëm këtë kuptova, që  në Mat duhet të ekzistojnë  mes të tjerash edhe mullinjë - baroti. Sepse salnitri që përdoret, duhet natyrisht të jetë nga kontrabandimi; dhe kjo nga Italia.

   Nëse në mullinjtë e barotit në Mat ndihet mungesa e salnitrit, pa pyetur, për pasojat, baroti do të bluhet me përmbajtje sa më të vogël të tij. Rezultati i këtij lloji të përfitimit me mungesë të salnitrit ka për rrjedhojë djegjen e ngadalshme në gyp, një efekt të keq balistik, krisma është më pak e fortë, dhe arma bën atëherë, për turp të pronarit, jo siç do të duhej ´tak´, por ´buh!´. Përndryshe, shqiptari krismën e pushkës nuk e quan sikur ne: bum!´, por: ´tak!´.

   Në një shpellë të terur, e cila në kohë shirash frekuentohet shumë nga delet e dhitë, përshkrimin e së cilës për hir të mostrazimit të shpirtrave në vend nuk po e tëholloj më shumë, kam vërejtur si kalimthi, tokë me shtresa të pasura të salnitrit, në atë mënyrë që ky teknikisht është i zbatueshëm.

    Këtu ai përbëhet nga prodhimi organik.

   Sikur shumë popuj primitivë, por gjithashtu edhe nga Europa e Mesme (krahaso: të shtëna me top dhe breshëritë e armëve) shqiptarit, shkrepja me armë i sjell një gëzim të madh. Të gjitha festat e mëdha, pothuajse çdo ngjarje familjare, madje edhe një vizitë ceremoniale i jep rast për të shtënë me armë. Dasmorët do të priten me të shtëna gjithkund, përcjellja e tyre do të bëhet poashtu me të shtëna festive. Nëse Abati i Mirdites në ditët e Krishtlindjeve dhe në ditët festive të  Shën Aleksandrit, bekon simbas relikteve të ruajtura në Orosh besimtarët të përkulur, ata i përgjigjen edhe fare pa u ngritur në këmbë, fët e fët me të shtëna.

   Organizimi i shenjtarisë në një katund dhe pastaj vënia e një shpërblimi, mjaftoi, që tërë banorët të vëheshin në ekstazë.  T´ia kesh dorën pushkës, kryesorja porse të jesh shenjtar i mirë, sjell më shumë nder dhe simpati, se sa tërë arsimimi shkencor, duke llogaritur këtu edhe shkrim - leximin. Që pushka përpos rezultatit të mirë balistik duhet ta ketë edhe një krismë të fortë, shihet nga përdorimi i saj gjatë manifestimeve dhe pyetja, përndryshe qesharake, të cilën shpesh e dëgjoja, ´a nxjerr edhe pushka jote një krismë të fortë?´, fiton prandaj një domethënie.

   Se deri ku mund të arrijë dashuria për një pushkë të mirë, më së miri e kam parë atë ditë kur me një rast, një i quajtur N. mbasi shenjoi cakun me një armë të shkëlqyeshme me të parën herë, para krerëve të tubuar nga Raja, duke pandehur se nuk po e shihte askush, puthi pushkën. (Episodë, prill 1906). N. është, të cek kalimthi, një prej miqëve të mi më të mirë shqiptarë. 

   Duhet të besohet, se shqiptarët e dashuruar në armë mbas të gjitha këtyre që i përmendem, do të ishin gjithashtu edhe gjuajtës të shkëlqyeshëm. Mirëpo kjo duket pak më ndryshe; anipse në tabelën e qitjeve nuk qëndrojnë keq (veçmas në Orosh kam parë rezultate tejet të mira), por kur vjen puna seriozisht, që ta vrasin dikend, atëherë - sa u përket gabimeve - është e pabesueshme se ç´rezultate sjellin. Nëse me rastin e një rencontre, plumbi i parë shkon huq, ose nëse kundërshtarit shumë më të dobët nuk i pritet tërheqja disi, atëherë mund të jesh paksa i qetë, që gjithë ndodhia - do të kaloj vetëm me një prishje të fishekëve.

 Po citoj nga ditari:

   Fund nëntori 1905: të shtëna në mes Brashtës dhe Toplanës; me gjasë 80 gjuajtje, askush i lënduar.

   Fund i shkurtit 1906: 8 ose 10 të shtëna në Orosh; askush i lënduar.

   Mesi i marsit 1906: 15 a më shumë të shtëna te Kalivaçi, askush i lënduar.

   Fund marsi 1906: shumë të shtëna (përmbi 10) te Ungrej; askush i lënduar.

   Përkundër këtyre, le të shikohen edhe këto të dhëna poshtë:

   Fund i nëntorit 1905: sulm natën në një shtëpi në Plani; i zoti i shtëpisë i vrarë.

   Mars 1906: sulm natën në një shtëpi në  Iballja; i pushkatuar i zoti i shtëpisë.

   Fund marsi 1906: në Kaçinar me të shtënën e parë i vrarë një i ri.

   Mesi i marsit 1906: në Ungrej një fëmijë në të shtënën e parë rëndë i lënduar (ky ishte shkaku i hakmarrjes për të cilën treguam më lart).

¹ Njëherë një avullore (anije) e Shoqërisë italiane të Puljes (Puglia) qe sekuestruar për shkak të kontrabandimit të madh me armë. 

TRAJTIMI I PLAGËVE 

Kam pasur rastin të vëzhgoj dy herë trajtimin e plagëve në Shqipëri. Hera e parë kishte të bënte  me një plagë të rëndë e të rrezikshme plumbi në zonën e rrënzës së kofshës (inguinale), të dytën herë një katoliku shumë të nderuar në Flet i kishte mbetur një gozhdë e ndryshkur në shputën e këmbës. Trajtimet në të dy rastet  ishin aq karakteristike sa që ia vlen të tregohen. Tek plaga e të shtënës trajtimi i parë nuk kishte të bënte me pastrimin e plagës, por për ta penguar gjakderdhjen  plagës iu vu djathë i butë deleje. Proceduren tjetër nuk e mësova, megjithatë, një kohë kishte pasur ethe por pastaj duhet ta ketë marrë veten.

   Te rasti i dytë, i trajtimit të shputës së këmbës të P.së, pata rastin të jem i pranishëm gjatë gjithë kohës; ky trajtim qe edhe më origjinal – ishte- si ta marrësh - për të qeshur ose gjithashtu edhe  për të qarë. Ndihma e parë mjekësore që iu ofrua qe fërkim i disahershëm me vaj dhe djegje me gaca thëngjilli. Në mbrëmje vetë pacienti i lënduar mori një copë dhjam dashi dhe donte që ta shkrinte në flakën e llambes së vajit, në mënyrë që me te ta spërkate plagën. Por meqë copa e dhjamit qëlloi e vogël dhe flaka rritejzvogëlohej dhe nuk digjej njësoj, atëherë kjo vetëm sa përsëritej saktësisht sikur kur vuloset pakoja me dyll të kuq. 

   P.  i dogji gishtat dhe dhjami i shkrirë filloi t´i pikonte gjithkah poshtë këmbëve, por jo në plagë. Më në fund, mbas thembres, zogut, gishtrinjve, etj. që u dogjen, i ra një pikë  vaj në shputën e lënduar  dhe me këtë trajtimi për te mori fund. Të nesërmen ai ndërmori të njëjtën procedurë, të tretën ditë poashtu, në të katërtën, deshi fati , P. u këndell. (Episodë maj, 1906.)

   Sëmundjet e brendshme simbas mundësisë, vetvetiu mund të kuptohet, trajtohen edhe me më shumë injorim se sa plagët. Përdorimi i hajmalive, të cilat përbëhen nga thënie të përshpirtshme të shkruara në copa të letrës, është gjithkund në hov, dhe aktivitet kryesor i priftit.

Shpesh copa të tilla të pajisura me citate të Bibles,  simbas thënies ´Nëse nuk të ndihmon, as nuk të dëmton´ përdoren gjithashtu edhe nga pjesëtarët e besimit musliman. Në Malësi të Madhe ekziston një bestytni simbas së cilës ilaçet e blera në fund të prillit disponojnë me një forcë krejt të veçantë shëruese.

   Meqenëse kur është fjala për epideminë as që mendohet fare për izolimin e të sëmurit,  tifoja, lija e zezë, plogështia, po bëjnë kërdinë në një mënyrë krejt të pabesueshme. Tash së voni në Malësi edhe një sëmundje ngjitëse venerike është bërë e paçrrënjosur; nga ana tjetër po fillojnë tashti porse shqiptarët t´i njohin përparësitë e vaksinimit kundër lisë.

SHKAQET E VDEKSHMËRISË

Shifra e vdekshmërisë relative në mesin e meshkujve ndryshon, siç konstatova në bazë të  një statistike të bërë prej meje në 16 vitet e fundit, që kap vitet 1890 deri më 1905, në mënyrën vijuese:

95,        128, 124, 70, 72, 74, 77, 66, 57, 49, 52, 56, 50, 52, 83, 126,

Nganjëherë, sidomos në vitet 1891 dhe 1905 shkaku i epidemisë ndikoi në 10% rritje të vdekshmërisë, pra shkalla e përqindjes së të vrarëve, përkunder dështimeve në të shtëna karshi atyre të vdekjes së natyrshme, në këto dy raste, pati rënie.

   Meqenëse shumë të huaj kanë pohuar, se në Shqipëri vdesin 30 - 50% të popullates mashkullore nga një vdekje e dhunshme, nga vrasja, po, Barbarich në librin e tij me pak vlera rekomanduese thotë madje që  në Mirditë kjo shkallë arrin deri maksimalisht 70% të vdekjeve - sepse vetëvrasja këtu është si të thuash e panjohur –, më duket sikur jam i thirrur, me këtë rast t´i publikoj disa të dhëna të sakta statistikore.  

Nga popullata mashkullore e rritur janë vrarë :

Në Blinisht...12%...në Nikaj 25%

Në Bulger...14%...në Orosh...21%

Në Dushman...23%...në Pedhan...20%

Në Kaçinar...25%...në Rrëshen...13%

Në Kallmet...13%...në Shalë 26...%

Në Kashnjet...24 %...në Shkrel...18 %

Në Kiri...8 %...në Shmijë... 5%

Në Koman...17%...në Shnjerc...23%

Në Korthpulë...17%...në Shosh... 25

Në Kryezez...8 %...në Spaç...32%

Në Manati...13 %...në Toplanë...42...%

Në Mazrek...20%...në Veljë...9%

Në Mnelë...11%...në Vig...21%

Në Nërfanë...28%

   Fama tragjike të qëndrojë në  krye të kësaj liste, i takon Toplanës. Me 42% atje pati  shumë vrasje, aq sa nga ky fakt madje ka dalë edhe shprehja që përdoret në fiset e tjera:´të vrasësh si në Toplanë`, ose:´në Toplanë i vrasin njerëzit si derrat´ Mesatarja e vrasjeve në këto fise del afro 19% . 

OBJEKTET E BANIMIT 

Pasiguria për jetën  siç del në pah në këto shifra – pasqyrohet natyrisht gjithashtu edhe në llojin e ndërtimit të shtëpive shqiptare. Para së gjithash katundet masive si të thuash, janë  të panjohura në Malësi, shtëpi të vetmuara qesin krye shpesh mbi kodrina të  vogëla dhe janë larg njëra tjetrës aq sa është distanca e vënies në shenjë, ose sëpakut, janë të vendosura në mes të një trualli të vogël. Në Malësi vetëm rrallë pashë shtëpi larg nga njëra tjetra në një distancë sa gjuan gurin me dorë. 

   Natyrisht preferohen shtëpi prej guri; në lindje të Mirdites, pastaj në Malizi (Malzi) dhe në Krab (Krrabë?) ku ekzistojnë pyjet e dendura të dushkajave, si vendbanime të të varfërve mund  të takosh gjithashtu edhe shtëpi prej druri. Kulmi mbulohet gjithkund me rrasa guri ose me tjegulla, vetem në Theth, kulmet madje edhe të atyre me të kâmurve shkaku i borës së madhe që bie këtu, mbulohen me dërrasa të gjata përmbi një metër, që formojnë kulme shumë të pjerrëta. Kulme të ngjashme kam parë edhe në rajonin e pasur me shira, të quajtur  Fusha e gjërë (Dugo Poljana) afër Sjenicës. Përgjithësisht banorët e Thethit dallojnë nga malësorët e tjerë përmes gëdhendjeve e punimeve të pranishme të drurit, dhe për shkak se janë shumë të zellshëm. Kulmet me rrasa, simbas mendimit të shqiptarëve, kanë përparësi, sepse nuk i shpon plumbi.

   Shtëpia për banim e burrave më të pasur, par excellence është ajo e ndërtuar nga guri, një lloj kështjelle e quajtur ´Kulla´. Simbas rregullit, ajo është disakatëshe e lartë, dritaret (frëngjitë) janë të vogla dhe mbyllen gjithmone me qepena. Lartësia e derës kryesore është shpesh sa kati i parë. Përbrenda, zakonisht, çdo kat ka vetëm nga një dhomë. Në dhomën në të cilën - futur përgjysmë në mur gjendet oxhaku, - gati rregullisht gjendet një dollap, në të cilin varen takëmet e kafes. Nga paisjet (Ameublement) pothuajse (përveç emrit) nuk ka kurrgjë. Në Malësi të Madhe gjenden disa karrige të gëdhendura shpesh gjysmërrethore që s´janë gjithaq të këqija, njësoj siç gjenë edhe në familjet më të varfëra dy ose tre ´shkëmba´ të ulët me tre këmbë. Ndriçimi në mbrëmje bëhet përmes llampës me vaj, të cilën mund ta varësh në ndonjë copë metali ose druri. Vetëm tek të pasurit mund të gjejsh llampa të vogëla vajgurore me djegje të lirë (kandili). Një tryezë e madhe (lexo:sofra) në të cilën do të shtrohet buka për ngrënie, vendoset vetëm pak para ngrënies, e cila është e rrumbullakët, e ultë dhe e lartë vetëm 2 dm. Shtalla dhe dhomat e grave gjenden zakonisht jashtë kullës.

   Nga ky tip banimi dallon shtëpia e më të varfërve esencialisht, në të cilën kjo shtëpi xhuxhe gati e rrafshuar me tokë - ka shpesh vetëm një të vetme apo dy dhoma të veçanta, të ndara me thurje. Në shtëpitë e këtilla vendi i zjarrit gjendet në mes të dhomës, në të cilën njerëzit dhe bagëtia jetojnë bashkë.

   Mjerë për të huajin, nëse në një këso shtëpie gjenden rastësisht edhe dy gjela,të cilët, për t´ua fituar zemrën pulave fillojnë të kikurisin dhe kështu atëherë do të zhvillohet një luftë e këngës në pikë nate. Një gjel gjezdisës poshtë e lartë nuk është krejt lehtë ta zësh , si do të mund të merret me mend.  (Episodë, janar, 1906)

   Nëse i zoti i shtëpisë disponon me më shumë dhoma, atëherë gjatë natës mysafirët ose lihen vetëm, ose fle bashkë, një i afërm i konakxhiut, ose, vetë i zoti i shtëpisë. Prania e mysafirëve në shtëpi përndryshe duket sikur vetë të zotin në njëfarë masë e mbrojnë nga ndonjë sulm; më treguan sëpakut për një rast, kur në një shtëpi, vrasësit e behur sëpari kishin ndezur dritën, për t´u bindur se nuk kishte mysafirë në shtëpi

dhe tek pastaj e kishin bërë veprën e tyre të tmerrshme.

   Të zotit të fjetur me këtë rast së pari i qe hequr jorgani, pastaj - ishte nje akt i  sapohyrë i gjakmarrjes - të katër hakmarrësit nga martinat e tyre nga afërsia kishin hapur zjarr në gjoksin e tij. (Plani, nëntor 1905)

   Përveç kullës së ndërtuar mirë në Shqipërinë e Veriut vetëm pak ndërtime meritojnë të përmenden posaçërisht.

Kalaja ,me gjasë e mesjetës së hershme, e Prizrenit është interesant, sepse ajo - edhepse tash një gjysmë gërmadhë - mban edhe një garnizon dhe sepse qysh në trazirat e fundit të vitit 1904 luajti një rol ushtarak jo aq të

padomethënie, prej nga jo më pak se 80 gjyle të rrepta kundër lumjanëve që kishin mësyrë atëherë Prizrenin- qenë shkrepur. Përndryshe, njësoj si në Shkodër, Lezhë, etj edhe këtu topat e stacionuar në kështjellë shërbejnë vetëm për plutone nderi. Porta jugore e kështjellës së Prizrenit e shpuar anëpërtej në shtatë vende, dëshmon poashtu luftime të rrepta dhe sulme të kota të lumjanëve kundër trupave të rregullta të qeverisë.

   Edhe më interesante se sa kështjellat e Shqipërisë së Veriut janë dy ura të mëdha e elegante me harqe të tendosura që i lidhin dy brigjet mbi Dri, te Bruti, dhe që quhen me emrin `Ura e Vezirit´. Këto janë të ndërtuara në po atë stil sikur ura e njohur e Mostarit  si dhe si të gjitha urat e ngjajshme të ndërtuara  në Ballkanin Perëndimor, porse këto i tejkalojnë të gjitha të tjerat sa i përket dimensionit, guximit, dhe lehtësisë së ndërtimit.

   Vetëm dy radhë të gurëve të mëdhenj katror e mbyllin harkun e lartë njëzetë metrash.

Në krahasim me këtë ndërtim të madh  gërmadhat e kishave mesjetare të Shqipërisë se Veriut nuk kanë ndonjë domethënie për të qenë. Skulpturat të cilët aty këtu i gjen, janë vetëm disa binâ të ngrira, dhe kane interes kryekput vetëm historik.  Kishat e Shën Kollit në Shat afër Mazrekut, Shëngjergj jo fort larg Shoshit, Shurdha në Drin, Shëngjergj te Toplana dhe Kisha e Vargut te Nihaj, meritojnë,  meqë këtu ekzistojnë komplekse të mëdha gërmadhash, madje më së shumti një përmendje emër për emër, derisa në shume vende të tjera kanë ngelur vetëm një pirgrrënojash ose grupe trungjesh mbi themelet e dikurshme. Meqenëse ekziston besimi, që është mëkat të prehen drunjtë e rritur në pronën e kishës, shumica e gërmadhave të kishave janë të rrethuara me  radhë pemësh ose lisash.

   Nga kisha moderne të Malësisë së Shqipërisë meriton të përmendet vetëm ajo kisha e ndërtuar nga Monsignore Doçi sipas modelit - kalâ e abacisë nga Oroshi.

Përmes rregullimit mjeshtëror, banesa dhe kisha bashkë si biçim kalaje, i gjithë eksterieri që nga largësia lë një përshtypjen e një ngrehinë vërtetë shtetërore dhe shumë piktoreske.  

JETESA

Belaja më e pakëndshme për të huajin, deri sa ai të jetë mësuar në një shtëpi shqiptare, siç mund të mendohet, nuk janë telashet nga insektet, por është kuzhina shqiptare. Disa specialitete si për shembull, vezë të rrahura në tambël e të fërguara  janë të yshqyeshme dhe jo gjithaq të këqija, disa të tjera por, si p.sh. gjizë të zbutur por kurrë krejtësisht djath i shkrirë, është për një shijehollë sqimatar, mezi e durueshme. E veçanta është, që shumica e specialiteteve shqiptare ofrohen me bollëk: vetëm krejt pak mund t´i shijosh. Misri është ushqimi kryesor i shumicës së shqiptarëve dhe gjithashtu për pjekje të bukës pothuajse ekskluzivisht do të përdoret ky miell i bluar trashë. Pjekja kryhet në atë mënyrë që, brumin në formë kaçamaku e fut brenda në një enë të rrumbullakët argjile  paraprakisht të skuqur si zjarri, i cili mbulohet me një saç me prush përmbi; brenda disa minutave buka e patharm është gati. Kur nuk kanë enë argjile – atëherë në vendin e zjarrit largohet edhe prushi, brumi i gatuar hedhet aty në hi, mbulohet me një kapak të hekurit dhe siç u cek më lartë piqet. 

   Përveç bukës dhe specialiteteve që u theksuan, në vjeshtë përdoret mjaft shpesh mishderri i tymosur, për festat e Shën Nikollit, e cila festohet përmes ndezjes së qirinjve dhe therrjes së një dashi, mishi i të cilit nuk do të mungojë pothuajse në çdo shtëpi ku në një pjesë të mirë të vitit do të gjendet edhe hirrë ose tambëlborë. Në dimër nganjëherë mund të marrësh pastërma ose pulë, deri sa në pranverë mish pule krejtësisht  të njomë e të fërguar që do t´i pëlqejë bile edhe një nazelie të shkëlqyeshëm. Në një drekë festive natyrisht do të kujdesen, përkatësisht është rregull që mish të ketë me bollëk, përkunder faktit që ky në një drekë të zakonshme  të shpeshten mungon.

   Meqenëse gjatë kohës së kreshmëve në viset katolike të Shqipërisë së Veriut nuk konsumohet asgjë që vjen nga shtazët gjaknxehta, s´vehen në tryezë në asnjë formë pra dhjamë, gjizë, tambël ose vezë, udhëtimi në këto anë gjatë ditëve të të Ardhunit (Adventit) dhe gjatë festës së Pashkëve është mjaft i vështirësuar.

NGRËNIA

Për të ngrënë, të gjithë ulen - meqenëse tryeza (sofra, v. j. ) është shumë e ultë - në tokën që për këto raste është e shtruar me sanë, fier, mbulojë. Miku, - të cilin i zoti e shtëpisë do ta nderojë posaçërisht - merr  duke nënkuptuar edhe bukën, nga të gjitha ushqimet dy herë më shumë se të gjithë të tjerët. Është gjë e zakonshme që i zoti i shtëpisë t´u zgjatë pjesë më të mira të ushqimit edhe atyre të cilëve nuk ulen në sofër.

   Simbas rregullit, hanë të gjithë bashkarisht nga e njëjta pjatë, vetëm të huajve ose priftit    do t´u servohet nganjëherë në një pjatë ndaras.

   Meqenëse përdorimi i thikës, shumë më tepër porse përdorimi i pirunit, është i panjohur, hahet me gishta, ose simbas nevojës, shpesh ndihmohet me një lugë druri.

   Është rregull që në pjatën e përbashkët të ngjyhet vetëm me dorën e djathtë.

   Kush është ngopur, tërhiqet pak mbrapa nga tryeza, dhe e fshin ushqimin e mbetur nga gishtat. Kur unë nuk i njihja këto rregulla të fundit, njëherë moti, nisa t´i pastroja gishtat në fillim të marrjes së ushqimit në mënyrë që t´i nxeja, i zoti i konakut krejt i tronditur, më pyeti përse nuk po haja më. Përgjigjja ime dhe gishtat kah pjata si dëshmi që  s´e kisha fare ndërmend të rrija pa hangër, ndikuan mbi ta përgjithësisht hareshëm. (Episodë në Apripë, dhjetor 1906). Para dhe mbas bukës duhet të lahen duart.

   Kjo sa i përket, në të vertetë të ngrënunit. Por ky përshkrim mbetet jokomplet, nëse  nuk do të mendohej gjithmonë para bukës, gjithashtu edhe për pimjen.

   Edhe nëse ushqimi përbëhet madje vetëm nga buka dhe nga gjiza bajate, por nëse më përpara megjithate do të ketë raki të mjaftueshme (bersí ose verë e pjekur e kumbullave) dhe nëse është i pranishëm edhe ndonjë mysafirë, shqiptari mbetet i kënaqur plotësisht: mungon ndërkaq edhe tek një drekë deri në gjunj sasi e mjaftueshme e rakisë, atëherë krejt lehtë thuhet ´ushqimi s´qe i mirë, sepse s´pati madje as raki të mjaftueshme.´

   Pimja e rakisë me këtë rast do të bëhet në atë mënyrë që i zoti i shtëpisë gotën e parë e hedh në zjarr; në Mirditë mungon kjo dukuri, ku përndryshe ngjajshëm si në Kthellë pimja e rakisë  është e lidhur me shumë pak ceremoni, se sa tutje në Veri.

   Nëse ulen rreth tryezës vetëm katolikët, pimjen e fillon i pari vetë konakxhiu gjithmonë me thënien ´Qoftë lavdue Jezu Krishti´ dhe të gjithë të pranishmit pastaj  përgjigjen me ´Për jetë e mot´. Në të njëjtën mënyrë fillon gjithsesi çdo katolik tjetër ta përsëris këtë. Në Malësi në këtë formulë përmbyllet një fjalim dhe kundërfjalim i gjatë stereotip duke ngritur dolli herë për konakxhiun, herë për njërin a tjetrin të pranishëm. Në Kthellë thuhet vetëm ´për t´mirë´(zum Wohle) çka me ´baft mirë´(wohl bekomms) vërtetojnë të tjerët (quittieren). Pimja e rakisë, që shpesh zgjatë një orë, përmbyllet, me ngritjen e dollisë nga mysafiri sojli, për nder të të gjithë të pranishmëve, të mirëqenies ekonomike dhe mbarësisë së mikpritësit. Mbas kësaj, gota bën edhe një xhiro, dhe tek pastaj kërkohet ushqimi. Lutja e pashmangshme e shkurtër e tryezës bëhet ose përpara pimjes së rakisë ose para bukës. Lutja mbas bukës është më pak e përhapur.

   Gjate pimjes së rakisë etja dhe shija do t´i kalojnë dorë mbas dore artikujt tërheqës, si: lakër turshi, djathë të kriposur, kastraveca, qepë, hudhëra, mushkëri të fërguara, mirëpo gjithashtu edhe: molla, ftoj, lajthia, dhe arra. Kjo hors d´oeuvres në shqip quhet ´meze´ dhe shpesh parapëlqehet më shumë se dreka ; kryesorja, nëse durohet qepa dhe hudhëra dhe  nëse u thotë mendja që këto të dyja t´i shijojnë në sasi të bollshme, atëherë vetvetiu triumfohet mbi çdo shije të keqe të specialiteteve të tjera.

   Nëse nuk merret parasysh mënyra se si një malësor shqiptar ofron për ngrënie  gjërat më të mirat të  mundshme të cilat ai disponon, njeriu do të kishte të drejtë të shante, pa e ndjerë ndërgjegjen e vrarë, artin e kuzhinës shqiptare: miqësia dhe dashuria me të cilat porse konakxhiu përndryshe specialitetet e pashije i shtron, duhet ta heshtë paraprakisht çdo ankesë. Shumë mjeran dhe pikëpamje e ultë do të tregohej nëse në raste të këtilla s´do të mund të vendosej , që jo të ofruarat vetë, por intenca e ofruesit, të vehej në peshore. Jo pa emocione mund ta evokojë për shembull një episodë që ndodhi në  Mërtur në dhjetor të vitit 1905. Shoqëruesi im disi kishte marrë vesh që unë heret në mëngjes preferoja më shumë kafe me tambël (Melange) se sa, përndryshe këtu, shumë të përhapur, kafen e zezë. Kur u zgjova heret mëngjesin tjetër, nuk më ofroj këtë të fundit,  siç pritej, po një tas të madh duke avulluar të drurit me një lugë të rrafshtë poashtu të drurit. Për habinë time, në te, përndryshe  siç thashë e panjohur për banorët e Mërturit, ishte kafja me tambël, dhe konakxhiut P. fakti që dëshirën time të fshehtë mundi ta lexonte, i krijoi kënaqësi të madhe. Njëherë tjetër, një kelmendas tek i cili pa e njohur paraprakisht u ktheva njëherë një mbasdite, më dha një kos, dhe tek më vonë rastësisht mora vesh, se ai me këtë rast, për miqësinë, kishte sakrifikuar gjithë darkën që kishte pasur për vete. (nëntor 1905)

VESHJA

Shqiptari, njësoj sikur ushqimin , edhe veshmbathjen e ka shumë të mjerë; nuk është gjë e rrallë që të vetmen gjë në trup ta ketë njërën  nga rrobat e epërme, nëse veshmbathja nuk vlen porse në pëgjithësi si shenjë e varfërisë, atëherë kjo do të mund të quhej në shkallën më të lartë si piktoreske. Përndryshe edhe kështu, në mesin e meshkujve gjenë të tillë që janë tërheqës e me rroba vërtetë të hijshme. Megjithatë tek malësorët, ndryshe nga qytetarët, rrallë sheh rroba të mira. Në Lurë, rrobat duhet - relata referro - të jetë me gusto dhe mashkullore, në mënyrë që të duken taman chic dhe të kollarisura. Kush bart në Iballja një krifë më të gjatë flokësh se të tjerët, dhe më mirë ose më pastër del në jetën e përditshme, vetvetiu është një kokorosh dhe adhurohet nga femrat. Nëse gjykohet simbas një kënge preferenca e femrave lidhet pjesërisht edhe me përsosmërinë e rrobave të reja. Në këngën nga Sednica thuhet:´ Nëna ime të do më shumë se mua. Çdo javë qepte rroba të reja për ty…´

   Gjendja (e pakalueshme) e rrugëve, e cila troket në ndërgjegjejen e çdo patrioti lokal, shprehet edhe në ekzistencën e veshjes karakteristike (lokale).

Pjesa kryesore dhe kurrë e munguar e veshjes së shqiptarit, është padyshim ´rripi´, rrethatorja e mbushur me fishekë; përndryshe rrobat zakonisht përbëhen nga pjesë të bashkangjitura ngushtë,  pantallona nga leshdeleje të endur trashë -, të cilët në Shkodër, Mirditë dhe në Dukagjin quhen çakshir, në Gjakovë ndërkaq - ´tierq´, dhe nga një xhaketë burrash ngjyrëbardhë i quajtur xhamadan. Të dyja janë me shirit të zi të qepur llojesh  të ndryshme përmes së cilës shpesh tregohet përkatësia e fisit e të zotit të tyre. Nën xhamadan shpesh vishet këmisha, mbi te vjen një jelek i zi nga leshi me thekën në pjesën e mbramë të varur poshtë, mëngëshkurtër e i trashë, i quajtur xhurdi. Nënbrekët e gjata të lirit përgjithësisht janë të zakonshme. Opingat dhe një plis i bardhë e përplotësojnë kostumin.

   Veshjet e viseve të veçanta dallohen përafërsisht mirë nga njëra tjetra dhe në Shqipërinë Katolike të Veriut  këto mund të ndahen  përafërsisht në  gjashtë tipe. Këto janë: 

1               . Tipi i Mirditës, Kthella;

2              . Tipi i Dukagjinit ( shtatë fiset nga Puka ekskluzivisht Thaçi);

3              . Tipi i Gjakovës (simbas të cilit vishen Mërturi dhe Thaçi);

4              . Tipi i Malësisë së Madhe (Nikaj, Shala, Shoshi, Selca, Toplana, Dushmani);

5              . Tipi i Rrafshit të Shkodrës (nga lindja tej deri në Shalë - kufiri i Dushmanit, në Veri arrin deri te Boga);

6              . Tipi i Kelmendit. 

   Natyrisht midis këtyre tipeve të rrobave nuk mund të tërhiqen kufinj të mprehtë, madje një të huaji në fillim të gjitha rrobat i duken sikur janë të njëjta, ose për te sikur prezentohet një kaos deledash, porse me kalimin e kohës gjithmonë është e mundur në një a në një tjetër pjesë rrobash të njihet përkatësia e njërit a e këtyre grupeve që u përmenden. Posaçërisht do të dëshiroja në disa veshje burrash të tërheq vëmendjen në bazë të venerimeve të bëra. Fustanella e gjatë -´Dollama´ bartet vetëm në Mirditë, madje as këtu tash jo aq shpesh, pak më shpesh ndeshet në Kthellë. Bartësi i një kësule të kuqe  të kollarisur, të vogël e të rrumbullakët, - ´takije´ është me siguri një mirditas. Poashtu xhurdia e trashë që bie në sy është karakteristikë për Mirditen; e njëjta mbi shpatulla dhe në mëngë është e stolisur me xhufka, kështu ky vjen simbas gjasave nga krahina midis Krujës dhe Durrësit. Manteli i gjatë e i gjërë i pajisur  me kapuçon (tallagani) në Mirditë nuk është i shpeshtë. Tradita që këmisha të vishet jashtë nënbrekëve të gjata të lirit - një ngjajshmëri  në fustanellën e Shqipërisë së Jugut - gjendet posi në Mirditë, më shpesh porse në Kthellë, tutje në Veri por kjo nuk është gjë e zakonshme. Në Pukë, Berishë, Çelzë, Iballja dhe Poravi, në dimër mund të takosh shpesh njerëz, që bartin mbi të gjitha rrobat, një gëzof deleje të ndejur të pamëngë, qyrk -  përpara të hapur, me gëzofin të lënë përjashtë.

   Në Iballja dhe Thaçi, pjesërisht edhe në Mërtur dhe Nikaj, xhurdija ngjajshëm si në Gjakovë, nuk preferohet, dhe në xhamadanin e bardhë mëngët e gjata  të të cilit në Mirditë janë të qepura, pjesa e epërme nën sqetull deri në bërryl është me një çarje të gjatë, madje pakëz e prerë, ashtu që mund të zdishen krahët dhe mëngët mund të hidhen mbrapa. Në Dushman dhe Toplanë, pjesërisht gjithashtu edhe në Nikaj dhe në Mërtur veshja bëhet simbas modës së Shalës, domethënë, në pjesën e epërme një që i përngjanë xhamadanit , në verë një xhurdi të hollë, ndërsa në dimër tallaganin e zi, të kuq a të verdhë,  shpesh të ngjitur me një kapuçon.

   Kush nuk vesh tallagan, kur bie shi, pjesën e mbramë të kacavarur të xhurdisë e ngjet lart dhe kështu improvizohet kapuçoni.

   Përveç plisit ´kësules´ në Malësi, sidomos në Shalë dhe në Theth, mirëpo gjithashtu edhe në Dushman dhe në Mërtur, rrallë edhe në Iballja, është e pranishme një kësulë e rrumbullakët thurur nga filli i fortë, e që quhet ´kësula e linit´; në Iballja kjo quhet ´tarallak´. Te kelmendasit dimër e verë  janë përgjithësisht të zakonshme pështjellakët e bardhë e të mëdhenj të lirit. (U japin një pamje të bukur dhe luftarake.)

   Shoka e mbështjellur rreth tierqve të puthitur për trupi është në Malësi të Madhe e shpeshtë, përbëhet nga një shirit i gjërë dhe përfshin kryesisht pjesën e jashtme të kofshës gati deri poshtë. Në Pukë dhe në Mirditë shoka e tierqve është më e shkurtë, dhe e gjithë ornamentika – nëse gjendet- është me sa më pak stilizime. Në Mirditë mund të gjejsh tufa të ngushta.

   Në mënyrë sporadike në gjithë vendin mund të shihësh një jelek të kuq, që t´i kujton malazezët.

   Luma (muhamedane) karakterizohet përmes tierqëve të gjatë, e të ngushtë në zog të këmbës , pak të mbështjellë me shokë, dhe përmes një xhurdie të bardhë.

   Kësula është përgjithësisht e zakonshme. Tanuzi, një fes i kuq jo i thellë tunizian me pjesë të gjata e të plota ngjyrë vjollce, të punuara nga xhufka mëndafshi me të njëjtën ngjyrë të kacavarura poshtë, më tutje një fes i thellë nga forma normale konstantinopolitane, e bardhë, porse, mund të shihen vetëm në Shkodër.

   Në dimër fustanella rrallë shihet në Shkodër, ndërkaq në Tiranë pak më shpesh. Në pjesët malore të vendit kjo nuk vishet më askund, anipse në kohën e Boué´s¹ kjo ishte, siç duket, përgjithësisht e zakonshme. Poashtu, që nga koha kur Boué e vizitoi vendin (1841-1843) ku kishte shpesh jatagana në biçim thike të gjatë të varur (të quajtur gjithashtu edhe tagan), tashti krejtësisht këta kanë dalur nga moda. Sot e kësaj dite çakshiret po ua zënë vendin dalngadalë dollamasë.

   Në shumë vende flokët rruhen ende pjesërisht, kështu që vetëm në pjesën e mbrapme të kreshtës lihet një tufë (perçe, përndryshe në jug të Fanit quhet çerpen; boshnjakisht perçin) e paprekur .

Kelmendasit mbajnë në pjesën e mbrapme të kokës një të këtillë të prerë shkurt në madhësi të një tasi, përndryshe kjo lihet mu në majë të kokës. Në Shalë kjo lihet shpesh vetëm në diameter prej disa centimetra, ndërsa në Iballe është pak më e madhe; në Mirditë njësoj si në Koman , në Karma, Vorfaj apo në Reç gradualisht po del jashtë mode; e njëjta gjë vlen edhe për një pjesë të madhe të Malësisë së Lezhës. Në Ungrej praktikohet ende mjaft shpesh. Në Prizren dhe në Lumë perçeja nuk praktikohet, porse koka rruhet vetëm në zverk dhe përmbi tëmtha. Rrallë përdoret sapuni, në vend të tij të shpeshten ndërkaq një përzierje e ujit dhe e hirit. ( Nga notesi, Pashkët e vitit 1906 në Iballe.)

   Nëse muhamedan apo i krishtërë qëllon dikush, këtë mund ta njohin vendësit si nga veshja ashtu edhe nga diçka e padefinuar e njohjes; me kalimin e kohës arrija edhe unë për të kushedi të satën herë ta njihja dikend saktësisht. Në përgjithësi mund të thuhet, që malësorët muhamedanë, sidomos në viset e Malizi-t (Malzit)(Pukë) (tashti Malzi i Kukësit. v.p.)veshin më shpesh se të krishtërët jelek të kaltër në të mbyllët të mbushur, katundi; i riu në figurën 2. (djathtas) mban një jelek të këtillë (Anteria), personi me këtë rast është ndërkaq i besimit romo – katolik.

   Nuk më është e njohur nëse një hartë e konfesioneve e Vilajetit të Shkodrës, ekziston, prandaj të cekurit, vetëm kalimthi të kësaj teme, e marrë si jo të pakuptimshme.

---------

¹Ami Boue, Über die Strasse von Prisren nach Scutari in Ober- Albanien 

MARRËDHËNIET FETARE 

Duke filluar që nga jugu i këtyre viseve, mund të konstatohen këto marrëdhënie: Fisi Këthella është krejtësisht katolik, Mirdita poashtu, në Lurë takon popullatë me besime të përziera. Mjaft rigoroze është vija ndarëse konfesionale në mes të Bajrakut të Fanit dhe të Malizi-t (Malzi-t)(Pukë). Sëpari formon kufirin Çafa e Kumulit, pastaj Maja e Runës; Seriçe dhe Mollëkuqja në rrjedhën e epërme të përroit të Seriçes është ende e krishtërë, Çami – muhamedan. Tutje vijon kufiri mbi Majën e Roshit në Çafë – Mal. Në Flet pjesa më e madhe e familjeve (91%) janë muhamedanë. Trovna në Drin është plotësisht muhamedane, kurse Vigu i Epërm plotësisht e krishtërë. Që nga Vigu deri në derdhje të Valbonës, Drini përbën kufirin midis dy konfesioneve. Krejt Lindja prej këtu e andej është krej muhamedane.¹ Nga derdhja e Valbonës linja ndarëse tërhiqet kah maja e Korjes dhe kështu Gegëhysenaj dhe Mulmalaj janë krejtësisht muhamedanë, Raja Markaj dhe Tetaj janë të krishtërë. Në regjionin e fisit të Mërturit është Shnjerçi (Shën Gjergji) në këmbë të Çafës së Kolçit krejt të krishtërë, ndërsa Bitosha është muhamedane. Si një linjë lindore kufitare në vazhdim të fiseve katolike mund të merret më së miri Lumkuqi – dhe mbasi që Dragobia është muhamedane – atëherë vlen Çafa e Valbonës, te Thethi. Çafa e Pejës ndanë poashtu të dy viset. Tashpërtash është e panjohur shtrirja e kufirit konfesional në kullosat e Alpeve në mes të Thethit dhe Vuklit të vendosur në veri, ku tamam ky vis  mban emrin pjesa më errët e Europës. Që Vukli në pjesën më të madhe është i krishtërë, përkundrazi Nikçi në Kelmend pjesërisht është muhamedan, është gjë që dihet.

   Kufiri perëndimor i konfesionit katolik në drejtim të rrafshit të Shkodrës, fillon me Reçin – Loja të konfesionit të përzier, dhe prej këtu tërhiqet lart kah Maja e Maranajt. Në Sumë jeton një shumicë e krishtërë, përderisa në Prekal dominojnë muhamedanët. Nërmolla është muhamedane, dhe prej këtu vazhdon kufiri konfesional në një hark të parregullt. Drishti dhe Mesi janë muhamedanë, Muselimi (?) dhe Zubi - të krishtërë, Rrogami është muhamedanë; në R(r)enc dhe Juban gjenden të dy konfesionet, Mazreku është i krishtërë, ndërkaq në Mluh banojnë muhamedanët. Në Shkodër janë të përfaqësuara në një masë të mirë të dy konfesionet, megjithëse muhamedanët dominojnë dukshëm.

   Një enklavë me rëndësi me elemente muhamedane e zvogëlon visin e pastër të krishtërë dhe e ndan këtë në gjysmë veriore dhe jugore. Pikën qendrore të kësaj enklave e formon Puka. Çerreti është në pjesën më të madhe muhamedanë, pjesa e poshtme e tij,  e krishtërë, në Këçirë jetojnë vetëm të krishtërët. Visi i madh e Bjeshkës së Tërbunit është si të thuash i pabanuar, pjesa veriore e Lumshtilit dhe regjioni i gjërë i Fanit, është muhamedanë. Arrsti (Arrëza) ka popullësi të përzier, Kryeziu është muhamedanë, Mizaj i krishtërë, Bicaj, Blinishti dhe Puka janë muhamedanë. Krejtësisht e izoluar nga bashkëvëllëzërit e konfesionit, prandaj edhe jo tamam në raporte të kënaqshme, jeton në Iballja një minoritet i vogël muhamedanë.

   Në mes të Vaut të Dejës në Drin dhe Zejmenit në Mat lumi i malësisë formon kufirin e visit të pastër të krishtërë. Marrdhëniet në Kurbin, në Mat, etj. nuk më janë të njohura.

   Besoj se nuk gaboj nëse them se numri i përgjithshëm i malësorëve të Qarkut të Shkodrës kap 120. 000 frymë.

--------

¹Le të krahasohet me këtë rast harta fantastike e Barbarich - ut.

EMRAT 

Për arsye se në shumë regjione katolike, si, në Shalë, Nikaj, Mërtur dhe në Thaç, shumë të krishtërë kanë emra muhamedanë, siç janë për shembull, Arif, Ismail, Hasan, Mehmed, Qerim, etj. , madje si të thuash, janë të njohur vetëm me këta emra, dhe kjo mund të hetohet edhe kur kihet parasysh përshëndetja ´Allahrazolla´ e cila pra ndeshet tek katolikët që vetëm sipërfaqshëm po u vëzhgua lehtë mund të zgjohet kurreshtja, sikur elementi muhamedan të ishte gjithandej i përhapur, e që faktikisht, kështu edhe është. Në regjionin e fiseve të përmendura edhe pse janë të pagëzuar me emra muhamedanë pothuajse ndërkaq të gjithë, shkojnë në meshë, i praktikojnë shërbimet (sakramentet) dhe janë në të njejtën kohë të krishtërë me bindje dhe me shpirt, si të tjerët.

   Si kuriozitet për t´u theksuar, është që në Mërtur edhe emrin me prejardhje sllave ´Sokol´ e llogarisin si emër ´turk´.

   Si emra të krishtërë mashkullorë, që vlejnë për pagëzim në Malësi do të ishin : Kol(ë) (Nikolla) ; Noz, Nue, (Anton) ; Lekë (Aleksandër, ose Aleks) ; Gjon, Gjin, (Gjoni, Johannes) ; Zef (Josefi) ; Gjergj (Georg) ; Bardhok (= i bardhi) ; Mark (Marcus) ; Pjetër (Petrus) ; Ndrek (Andreas) ; Ded (Domenicus) ; Prenk (Primus) ; Pal (Paulus) ; Frok (Rokus) ; Shtjefën (Stefanus) ; Tom (Tomas) ; Dod ; Nus ; Bib etj. Nga emra femërorë të pagëzimit janë : Prena (Anna) posaçërisht interesant, sepse Hahn-i besonte se mund të gjendej një ndërlidhje mes kësaj dhe  Anna perenna  të besimit pagan, gjë që nuk është e pamundur, sepse në të vërtetë shqiptari është i prirur që emrat e huaj t´i shkurtojë, dhe jo të këtillët t´i zgjat. (Shih shembujt e lartëpërmendur).

   Në Malësi priftërinjtë që kanë emra të papërdorshëm të pagëzimit (si Ciril), nga anëtarët e tyre të famullisë si të thuash do të ripagëzohen, në mënyrë që në të ardhmen vetëm me emra të rinj siç është Ndou e ngjajshëm, do të thirren. Të protestohet në këtë çështje do të ishte krejt e kotë. Mbiemrat janë të papërdorshëm në Shqipëri. Për ta shquar saktësisht një person, mbas emrit personal të pagëzimit përdoret edhe emri i të atit : Zef Nozi, Arif Hasani, Qerim Sokoli, Ndue Deliu, Frrok Kola, Pren Kazoli. Nëse ndokush shpërngulet në Shkodër ose në një vend tjetër, ku përveç tij mund të ketë eventualisht edhe të tjerë me emrin Noz Pjetri, e ngjajshëm të cilët jetojnë aty, atëherë, në vend të emrit të të atit, emrit të tij i vihet emri i katundit prej nga ka ardhë : Pjetër Dushi´ , ´Mark Këmesa´, ´Ndoc Nikaj´ etj. 

FEMRA 

   Ndoshta disa lexuesve u ka rënë të hetojnë, se unë për dallim nga disa udhëpërshkrues të tjerë, tek të cilët femra, simbas rregullit, zë vendin e parë, deri tash asnjë fjalë s´e kam thënë për shqiptaren. 

   Ky anashkalim – simbas natyrës së rregullit që  mbretëron  në Shqipëri – ishte kusht.

   Këtu femra bie krejt pak në sy; në jetën publike dhe në atë private ajo luan një rol krejt të dorës së dytë. Njësoj si në Turqi – edhe këtu, ajo është krejtësisht e palënduar, e paprekshme, (prandaj edhe kurr nuk burgoset) dhe mundet, pa patur asnjë frikë, të dal e të xhezdis kahdoqoftë: por kjo nuk mund të jetë shenjë e kryelartësisë së saj, më përpara është shenjë e vlerës së saj të paktë.

   Në Dibër, një i paarmatosur, pra i paaftë për t´u mbrojtur nga armiqtë e tij, edhe në rast se ka rënë në gjak me dikend, nuk ka pse të frikësohet, pra i njëjti motiv bartet tutje në Veri, në sjelljet e burrave karshi femrave. Një përjashtim e bëjnë ndërkaq Amazonat e rralla të cilat betohen në virgjërinë e tyre, dhe pastaj vishen si meshkujt, marrin armët dhe të gjitha të drejtat dhe obligimet e burrave (siç është gjakmarrja) i marrin përsipër. Në Theth, ku për këto Amazona s´mora vesh kurrgjë, vlen qëndrimi, më thoshte njëherë njëri, se është turp coram publico të grindesh me një femër. (Të dhënat nëntor 1905).

   Drubartja, gatimi, kuzhina, rrobaqepësia, e të ngjajshme, janë cilësitë shtëpiake, që njeriu në Shqipëri i pret nga bashkëshortja; bluarja e kafesë dhe pjekja e saj ndërkaq janë punë burrash.

   Meqenëse fejesat e fëmijëve i bëjnë qysh në djep, dashuria ideale për këta është një gjendje e panjohur. Nga ky fakt pra shihet qartë, që simbas rregullit vdekja e bashkëshortes jo pak ia prek zemrën atij, për një jobesnike atëherë mund t´i vij edhe keq, por ai vajton me këtë rast shumë më tepër humbjen e krahut të punës.  Martesa e hershme dhe puna e rëndë  ndikojnë shumë, që fiziognomia jo posaçërisht e bukur e shqiptares  nganjëherë brenda një kohe të shkurtër të shndërrohet pothuajse në një shëmtí. Edhe fytyra  pakashumë të bukura  femrash takon krejt rrallë, megjithëse në përshtypjen e përgjithshme të  saj luajnë rol edhe rrobat, sepse veshja e tyre mund të përshkruhet si e pagëdhendur dhe e demoduar.

   Mirdita, ku përjashtimisht gjithashtu edhe femrat bartin xhurdi, prin në këtë pikë.  Vlen për të theksuar, që njësoj si në Rrafsh ashtu edhe në Malësi, femrat muhamedane të Veriut Shqiptar dalin të pambuluara.

   Pothuajse është krejt e papërceptueshme, që femra kaq të pahijshme e kaq të shëmtuara  si shqiptaret,  mund të rrisin kaq djemë të shëndetshëm e të fortë, kështu siç mund të takosh këtu në Shqipëri! Tamam e kundërta e kësaj çka u tha për pamjen e jashtme të femrave, vlen në të vërtetë, dukja e jashtme e meshkujve. 

FIZIKUMI

 Më bëhet se përgjithësisht , nuk është vështirë, të njihet shqiptari, mirëpo aq më vështirë, është e pamundur pothuajse, që të fiksohet një tip i njësuar i tij;  në lidhje me këtë duhet thirrur në ndihmë njohurinë shkollore antropologjike për konsultim. I madh, robus, flokëzi dhe bjond – deri edhe sykafe – kelmendasit - edhe pse pak më të rritshëm por krejt sykaltër, t´i përkujtojnë shqiptarët e rrethinës së Gjakovës e të Prizrenit. Te këta të fundit, vetullat dhe flokët shpesh janë shumë më të çelura se sa lëkura zeshkane e fytyrës. Trupvegjël dhe në rini shpesh bjond, me arritjen e moshës porse zeshkanë veçanërisht në sy, janë banorët e Malësisë; kafkëgjatët nuk janë të shpeshtë. Tipik janë  kafkërrumbullakët me tëmtha të nxjerrë përpara.  

Trupimtët që bien në sy, por elegantë e me duar të hajthme që banojnë në fiset  midis Cemit dhe Drinit janë ata që do të duhej poashtu të theksohen këtu. Mirditasit për disa nuanca ndoshta janë më të çel se sa malësorët e Veriut. Kokëngushtët nuk janë të rrallë. Sykaltërit dhe shtatlartit e tejdukshëm të meshkujve në zonën kufitare shqiptaro – sllave, me gjasë janë si rezultat i përzierjes së gjakut nga martesat e tyre të ndërsjellta. Do të ishte interesant të hulumtohet nëse ka ndikuar kjo përzierje (e supozuar ), edhe në karakterin, përndryshe  tipik, të shqiptarit. 

KARAKTERI

Simbas karakterit malësorët shqiptarë më së miri do të mund të karakterizoheshin si ´fëmijë të rritur të armatosur të Evropës´. Edhe pse shqiptari është bestyt për nga natyra, nga ana tjetër ai sikur  shumica e fëmijëve, është i mirë dhe i hareshëm. Dyshues dhe i keq do të bëhet porse vetëm nën ndikimin e jashtëm. Se ai premtimin e mban, mikpritës dhe trim është, e kam theksuar më përpara. Të panjohurës , për shembull shpellës, ia ka frikën, por frikë ka edhe nga – gryka e topit.

               Fakti, që kundërshtari ka një top, e çarmatos atë edhe atëherë kur kjo vetëm një „gërdallë për çitje´ do të ishte. Një herë moti Krasniqja dispononte një figurinë të tillë, dhe kjo e dhënë shumë banorë të fisit Thaçi të Fierzes ndaj të cilëve qe drejtuar kjo, muaj të tërë i mbajti si mbi thumba. Për fat të mirë shtrati i topit që në krismën e parë, ishte çarë shkaku i mbushjes së tepërt - por kishin shpëtuar të palënduar të dy palët: ata kundër të cilëve ishte kthyer topi, dhe përdoruesit e saj. (Ngjarja me gjasë ndodhi më 1904).

              Me natyrën infantile të shqiptarit lidhet gjithashtu edhe trazimi i lehtë i tij. Si rezultat i zhvillimit të fortë të krenarisë tek ai, dhe të ndjenjës së nderit shpesh qoftë edhe për një cikërrimë, ai fyhet. Në Malësi, por edhe në Mirditë në komunikimet e përditshme janë të gjithë me radhë dashamirës dhe të sjellshëm, dhe kështu me kohë, mirësjellja e natyrshme e tij vjen në shprehje edhe ndaj të huajit.

              Njëherë një barí nga Shoshi mua dhe përcjellësin tim na mori si kundërshtar, por mbas disa çasteve të komunikimit e të thirrjeve nga distanca, jo vetëm që erdhi tek ne dhe kërkoi falje, por edhe na e tregoi rrugën dhe na përcolli pastaj nja një gjysmë ore. (Nëntor 1905).

               Mallkimi praktikohet në Mirditë shumë pak, në Malësi pothuajse aspak. Kurrë para armikut: përgjigjja do të ishte një shkrepje. Ky shpesh emërtohet (si): ´Le ta hajë djalli!“ Përgojimi dhe smira fatkeqësisht nuk janë të panjohura. Kundërshtarët shpesh do të karakterizohen si të ´pa besë´, domethënë, jobesnikë. Armiqësimi dhe nganjëherë pajtimi është sikur qeshja dhe vaji tek fëmijët e vegjël përmes së cilës ndërkaq, shpesh zgjon përshtypjen e një inkonsekuence jo të vogël. Një rast tipik: një ndërrim fjalësh në të hënën e Pashkëve  më 1898 pothuajse ngjitur me derën e kishës në Dushman u mbyll me dhjetë të vdekur në vend, dhe me dy të plagosur.

               Shpesh një fjalë e mirë dhe e këndshme bën çudinë e saj. Përcjellësin tim të lodhur prandaj edhe të heshtur e të pa humor, me një rast - duke simuluar e duke kërcyer vetë i pari mbi pengesa ia ktheva disponimin. (Maj 1906). Kur qesh shqiptari atëherë qesh me kënaqësi dhe shumë dhe me krejt gurmazin: aq sa duhet ta mbash barkun, ndërsa unë madje edhe kolovitesha mbi bar- duke i parë këta. (Nëntor 1905).

               Sido që ta marrësh me shqiptarin është lehtë të merresh vesh dhe ta fitosh simpatinë e tij. Njëfarë A. tek i cili njëherë drekova dhe simpatinë e të cilit përmes të shtënave lamtumirëse në ajër e pata fituar, katër muaj më vonë një të diele të Pashkëve bëri një rrugë disa orëshe vetëm për të më takuar prapë. (Prill 1908). Një tjetër me emrin Ç. nuk e la pa u bërë vëllamë me mua. 

TRADITAT DHE ZAKONET

Por që edhe në Shqipëri jo të gjithë e kuptojnë shakanë njësoj, është gjë e natyrshme dhe posaqërisht shkaku i karakterit të tyre konservativ janë të ndjeshëm shqiptarët mu atëherë, kur është fjala për shkelje të traditës. Përhapja e një lajmi përmes një udhëtari që në Itali hahet mishi i gomarit dhe i kalit, i ka dëmtuar italianët për shembull në mënyrë të pazakonshme. 

               Edhe pse i tërë Bugjoni prej se mbahet mend e mban rreptësisht besimin katolik, një banor i i tyre kurrë nuk do të hante mish derri, edhe thjeshtë për faktin se, në Bugjon ruhet tradita që themeluesi i këtij katundi, poashtu katolik, gjatë një rasti të veçantë në emër të vet, si dhe në emër të pasardhësve të tij, ishte betuar, që mish derri për jetë të jetës mos t´prekte me dorë. Në Lumëbardhë, një vend në Mirditë, ku këtë traditë të Bugjonit nuk e njohin, përcjellësi im D. që përndryshe ishte një bugjonas ishte në një siklet të madh, se s´dinte si të sillej kur me një rast në odë ku ndodheshim një derr leshatuk na hyri brenda. Ta trembte vetë nuk ia merrte mendja sepse mund të prekej me të që domethënë mund të përlyhej moralisht; po as prej të zotit të konakut nuk donte të kërkonte këtë, sepse tek mikpritësi mund të zgjonte menjëherë ndjenjën e dyshimit se ishte i besimit musliman, dhe kështu s´i mbeti kurrgjë tjetër veç ta linte në dorë të fatit njollosjen a mosnjollosjen. Fatmirësisht, hetova shikimin e tij që lutej për ndihmë dhe intervenova vetë. Duke qeshur me të madhe tregonte ky më vonë në katundin e tij në Bugjon, mbi këtë rast  të pakëndshëm.

               Krejt të veçanta i kanë ndërkaq shqiptarët konceptet mbi Impedimentum matrimonii. Të gjitha fiset ose familjet, që simbas traditës rrjedhin nga një katragjysh, vlejnë si pjestarë të gjakut gjë që simbas këtyre rrethanave martesa mes vete është e pamundur. Ky farë Impedimentum matrimonii shërben si mjet për verifikimin e mbarëvajtjes  së zakoneve e të fiseve por edhe për t´i përcjellë ndërrimet e ngulimeve. Këtë mund ta ilustrojnë disa shembuj. Ekziston një gojdhënë mbi farefisninë e Shalës, Shoshit, dhe Mirditës, simbas së cilës njëherë moti mbas ndarjes nga i ati, njëri djalë kishte marrë një kalë me shalë (SHALA), tjetri kishte marrë një copë tokë dhe si simbol të saj edhe shoshën (SHOSHI), përderisa i treti kishte ngelur duarthatë. Ky duarthati e kishte hedhur pushkën mbi supe dhe duke thirrur ´Mir´e dita!´(mir´dita- lamtumirë) ishte zhvendosur nga këtu e ngulitur në një fis të huaj. Meqenëse themeluesit e fiseve Shala, Shoshi dhe Mirdita, pra, ishin të tretë vëllëzër, lidhja martesore midis këtyre tri fiseve është e pamundur.

               Krasniqja ( muhamedane ) dhe Nikaj ( e krishtërë ) për shkak të konfesioneve të ndryshme nuk martohen mes vete – anipse, konvertimi i tyre s´është edhe aq i moçëm -, por kryekput për shkak se, legjenda thotë se të dy fiset rrjedhin nga të tre vëllëzërit: Krasa, Nika dhe Vasa; si pinjoll të këtij vëllait të tretë simbas gjasave duhet të merren ortodoksët e Vasojeviçëve. Lidhur me Nikajn, fundja rrëfimi dëfton, për një të ardhur në vendbanimin e tashëm, për konvertimin e tij nga ortodoks në besimin e krishtërë dhe për ngushtimin e vajushve vendës. Trunguj të ndryshëm (rrathëve koncentrikë) të mbledhur prej meje në Nikaj tregojnë, që kjo ardhje e nikajve ka ndodhur para afro dymbëdhjetë gjeneratave, gjë që na kthen mbrapa përafërsisht në shekullin e 15-të.

               Nga krahina e shtatë fiseve të Pukës, apo ashtu siç quhet, Dukagjin, dua t´i përmend disa lidhje të tjera martesash si penguese të farefisnisë së gjakut . Dardha, e cila është e ardhur nga Kabashi, nuk është nga kurora me Kabashin, Kobrati (një çerek i Iballes) nuk martohen me Toplanën. Asnjë toplanas nuk martohet me një të Shllak-ut, sepse Toplana dhe Shllaku rrjedhin nga dy vëllëzër të shpërngulur nga Gashi. Çelëza shkon bashkë me Këçirën ( farefis në Mirditë,) Gojani me Gojanin në Mirditë etj. Vendi Kryezez te Velja me gjasë duhet të jetë i burimit toskë. Meqenëse kokë në dialektin toskë është e gjinisë femërore, ndërsa në dialektin gegë e gjinisë mashkullore, kështu vetë forma femërore zez (mashkullore zi) e bën të  saktë këtë traditë. Një vend krejtësisht gegë tek Fushëarrëzi, përkundër  kësaj, quhet Kryeziu.

               Edhe disa zakone të veçanta në përditshmërinë e shqiptarit meritojnë të përmenden. Sëpari duhet theksuar mënyrën se si e kalojnë shqiptarët Drinin, meqë trageti ekziston vetëm  në Vaun Spaç, në Vjerdë, Mluh, Mgulë, Koman, dhe Trovnë; në Skrivnë, në Va të Martinit, Toplanë, Apripë dhe Fierzë me anë të lëkurës së fryrë të dhisë të quajtur sherk dhe me ndihmen e një mëveshje thuprash prej afro 1 metër katrorë sipërfaqe i bartin madje edhe gratë dhe mallin.

Një tjetër zakon i veçantë i shqiptarëve, për të cilën tek më vonë kujtohesh, qëndron në atë, që në Malësinë e Madhe konakxhiu mysafirit menjëherë posa t´ia hap derën i kërkon ta heq menjëherë rrethatoren të rëndë disakilogramëshe, derisa në Mirditë kjo gjë bëhet tek në mbrëmje. Dorëzim - marrja e menjëhershme e pushkës dhe e pistoletës nga mikpritësi përndryshe është praktikë e përgjithshme dhe me gjasë duhet të simbolizojë marrjen e përgjegjësisë dhe  të sigurisë së gjithanshme për mikun.

               Doke simbolike do të ndiqen, kur është fjala për pajtimin paqësor të një gjakmarrjeje. Me këtë rast, zakonisht në takimlënie paraprake me vrasësin, mundësisht vetë prej miqëve të të vrarit, me duar të lidhura mbasshpine dhe me një kapuçon të xhurdisë mbi kokë, ose heret në mëngjes ose vonë në mbrëmje, hakmarrësi do të rrëmbehet në shtëpinë e tij në mënyrë që të detyrohet të kërkojë falje.

               Me ndihmën e zakoneve të ndryshme lokale të cilat  variojnë, siç është shpesh kompenzimi në të holla, e të ngjajshme, dorasi do të falet. Garancë për atë se rasti do të pashitet njëherë e përgjithmonë, janë mijëra të pranishëm që ndodhen aty.  Nganjëherë, por rrallë ndodhë, që përmes arrestimit të befasishëm të tij, pa paralajmërim paraprak me hakmarrësin, thjeshtë, të krijohet një pështjellnajë; në raste të këtilla falja e vrasësit, natyrisht, vihet në pyetje. Në Kashnjet njëherë, njëri të cilin donin ta lidhnin në këtë mënyrë e i cili përpiqej të lirohej duke qitur me duar e këmbë,    padashtas u vra, dhe ky gjest i tij i pati ofenduar rëndë rrëmbyesit, madje pat shkaktuar pastaj edhe një armiqësi të gjatë dhjetëvjeçare. Rezultati: tetë vrasje të ndërsjellta (Nga notesi, mars 1906.)

               Një traditë e Shalës vlen të përmendet këtu, që bashkëshortët e rinj shpesh tek një deri në dy javë mbas ceremonisë së dasmës vendosin që të vëjnë kurorë në kishë. (Vëzhgim, dhjetor 1906.) Përndryshe në Shqipërinë e Veriut edhe konkubinati (martesa pa kurorë) i drejtpërdrejtë nuk është dukuri gjithaq e rrallë.

              Anatemimi dhe kundërshtimi i varrimit në dheun e bekuar, janë mjete, me të cilat kisha  – jo pa sukses - lufton. (Vëzhgim i përsëritur) 

               Që shqiptarët institucionin sllav të  vëllamërisë ´pobratimstvo´ e njohin dhe vëllamët e gjakut do të quhen ´pobratim´ (edhe ´probatim´), veç është theksuar. Përmes ceremonisë, e cila në esencë përbëhet në kënaqësinë e një pike gjaku të vëllamit të tij të ardhshëm, vëllami do bëhet anëtar i familjes tashmë të vëllazëruar. Shumë më domethënëse se kjo, është në Shqipëri ndërkaq, ceremonia e asaj që quhet kumbari; kumbar është ai person i cili në organizim të një ceremonie të caktuar, fëmiut të një tjetri, do t´ia shkurtojë për herë të parë flokët. Kumbara vlen më shumë se vëllai i mishit e i gjakut, sepse tek muhamedanët për shembull shpesh nuk i lejohet këtij të fundit të hyjë vetëm në divanin e grave, kumbares, ndërkaq po; një kumbare tek katolikët nën rrethana të caktuara madje mund t´i falet  edhe thyerja e kurorës. Kumbara, e as bashkëshortja e tij, s´është e thënë që duhet të jetë nga i njëjti fis ose nga i njëjti religjion me familjen që lidh kumbari.  Njoh një rast , ku një prift katolik u bë kumbar i një muhamedani të njohur. Përndryshe në disa krahina lidhjet e ndërsjellta midis të krishtërëve dhe muhamedanve, janë krejt të rralla, tek krahinat tjera një dukuri e shpeshtë. Në fiset e përziera konfesionale vihet re natyrisht më shumë ndjenja e fisit, në vendet me konfesione të pastra, ndihet më shumë fryma fetare. 

ORGANIZIMI DHE NDARJA E FISEVE 

Gjatë shtjellimit të këtij punimi u përmenden kaq shumë fiset dhe ndarjet e tyre, gjë që më në fund është e nevojshme, edhe për vetë temën kaq të biseduar, (fiset)  të flitet pak. Për udhëtarin e këtyre viseve s´ka asnjë domethënie sa fise janë në Shqipërinë katolike të Veriut; me rëndësi është vetëm të dihet ç´marrëdhënie kanë mes vete nënndarjet, bajraqet fqinjësore. Në krye të çdo fisi, (të vetmet që s´kanë janë Nikaj dhe Mërturi), qëndron një bylykbash gjithmonë muhamedanë që ka rezidencën në Shkodër. Meqenëse nuk shfaqet në Malësi kurr, për të huajin ky, s´ka gjithashtu asnjë domethënie, sepse personat më të rëndësishëm për të  janë bajraktari, një organ ky i ushtruar simbas vullnetit të qeverisë, si dhe rivali i tij paria e djelmnisë. Ofiqi i bajraktarit është i trashëgueshëm, prandaj kështu ai është edhe nominalisht gjithmonë njeriu më me ndikim dhe poashtu më i pasuri në gjithë fisin; paria e djelmnisë shpesh ka të njëjtin respekt si të bajraktarit. Rënies së respektit të këtij të fundit i gëzohen krentarët, respektivisht, përfaqësuesit e disa katundeve (Krenët); ku edhe këto ofiqe përndryshe janë të trashëgueshme. Meqenëse mbi bajraktarin dhe bylykbashin, si dhe mbi grupet fisnore (fis) që t´i përkujtojnë klanet skoceze (Clans) është shkruar shumëfish, tashti dua të ndalem në disa notes - shënime  mbi djelmninë të quajtur institucion e të ndalem këtu. Djelmnija është zhvilluar në mënyrën më tipike në Shalë, e cila është e përbërë nga disa bajraqe, bartësit e të cilave jetojnë në Pecaj, Cukë, dhe Gimaj. Me qëllim që të ndalet hovi i fuqisë së bajraktarit të Shalës dhe shokëve të tij, para afro 15 vjetëve u zhvillua një opozitë e fortë, e cila përfundimisht përfshinte 90 anëtarë por karshi bajraktarit dhe grupit të tij ishte krejt e pafuqishme. Anëtarët  - edhe pse s´ishin më të rinj – quheshin ´rinia e Shalës´. Ky shembull saora gjeti shtrirje edhe tek fiset e tjera (Nikaj, Mërtur, Thaç) dhe sot e kësaj dite është përgjithësisht i përhapur. Nën drejtimin e Mehmet Shpendit djelmnia në Shalë pati aq ndikim, aq sa ajo sot, të prirë nga Mehmeti, madje është në gjendje edhe kundër vullnetit të bajraktarit të propozojë e të miratojë ligje të obligueshme në gjithë territorin e vetë. (2800 banorë).

               Meqenëse çdo lokalitet në Shalë që për rastet e veta përveç të tjerash është pakashumë edhe autonome, disa bajraqe, për shembull Gimaj ka madje edhe djelmninë e vet vendimet e së cilës, nuk janë të obliguara ndaj bajraqeve të tjera të Shalës, - krijohen situata të ngatërruara. Kështu, Thethi, në disa  raste të përbashkëta  është e varur nga Shala, porse në çështjet e brendshme është autonome. Në Gimaj ekziston për shembull  ligji, simbas të cilit dy vëllëzër me plang e shtëpi të ndara nuk garantojnë për veprimet e njëri tjetrit, në pjesën tjetër të Shalës mundet megjithatë secili për veprimet e vëllait të tij të lirohet nga përgjegjësia nga këshilli i të 90-tëve ose nga bajraktari. Ky institucion është me rëndësi të madhe  posaçërisht me rastin e vrasjeve, sepse në këto raste shpesh jo vetëm pasuria e vrasësit, por gjithashtu edhe e akcilit farefis të përgjegjësit, shpëton pa u shkatërruar. Në këso rastesh  do të aplikohet zëvëndësimi i shkatërrimit total ose parcial i pasurisë vetëm nën  kompenzimin përkatës material. Nganjëherë ndërkaq familja e cila duhet të dënohet, është aq e madhe, sa që është në gjendje, këtë masë  ta kundërshtojë me forcë. Në Theth, për shembull, ka familje të mëdha të cilat disponojnë me mbi 50 pushkë martine.

               Një autonomi e ngjashme, si në Gimaj, ndeshet në Theth, ku ndërkaq vlen vetëm ligji ekzistues i tij, i cili në rastin e një dreke të të vdekurit këtu kanë të drejtë të marrin pjesë vetëm anëtarë të komunitetit të ftuar nga ana e familjes së të vdekurit.  (Ligji i vitit 1. kallnorit 1905.)

               Ligje të shumta dhe të aprovuara në Shalë, nga një burrë krejtësisht i mrekullueshëm nga Malësia – Mehmet Shpendi – janë propozuar  prej tij dhe janë futur në përdorim.  Kështu për shembull, ai ia ka dalë mbanë që çmimin e misrit i cili në pranverë ngritej gjithmonë, ta hedh poshtë, që nga viti 1904 madje është ndaluar përmes këshillit të djelmnisë që të nxirret fare nga Shala . Natyrisht ai me këtë propozim, në mes të të pasurve - të cilët përfitonin me rritjen e çmimit - zuri shumë armiqë; megjithatë pjesa më e madhe e banorëve të varfër mbajti natyrisht, anën e tij. Një tjetër ligj i Shpendit detyronte të tatimohej luksi i dhuratave të ndërsjella me rastin e ceremonisë së flokëprerjeve. Ai solli një ligj, simbas të cilit reduktoi nga 300 - 500 Piastër që kumbara i paguante babait të fëmijës me rastin e kësaj ceremonie, në 100 Piastra. Anashkalimin e këtij ligji, përmes këmbimit të dhuratave shumë të vlefshme, nuk e lejoi Shpendi; ai gjykoi të dy palët me humbjen e nga një lope (në vlerë afro 120 Krona) dhe duke u vënë vetë në ballë të 500 pushkëtarëve  i detyroi palët t´i rikthenin dhuratat.

               Masat me të cilat djelmnija i dënon veprat e këqia janë therrja e një apo disa lopëve, ose qéve, ose edhe kallja e shtëpisë. Pra kjo gjobitje në llogari të djelmnisë, është krejt analoge me të njëjtën traditë të pagesës së gjobës ndaj qeverisë ose bajraktarit. Meqenëse në Shalë të 90 - tit e të gjitha moshave janë betuar t´u përmbahen ligjeve dhe të sillen simbas tyre paanshëm, pra një organizim deri dikund ekziston, situata në përgjithësi nuk është aq e keqe, siç mund të paramendohet.

               Jeta publike në Mirditë është shumë më e paorganizuar dhe në plan të parë ishin ngjarjet politike ato që prodhuan këtë gjendje të tashme aktuale. Mirdita ndahet poashtu në shumë bajraqe, mirëpo lidhja mes tyre është shumë e lirë, dhe lokalitetet e caktuara luajnë një rol shumë të madh. Grindjet midis këtyre, distanca e të cilave rrethe të përthekuara nganjëherë është edhe nga disa katunde, është një dukuri e zakonshme, nga ana tjetër porse shpesh kemi parë, që disa mirditorë nën urdhërin e kapedanit të tyre - bashkoheshin. Në kundërshtim me shtatë fiset e Pukës, ose madje edhe të atyre të Malësisë së Madhe, mirditasit rrinë nën urdhërat vetëm të njërit, të bajraktarit të njohur nga të gjithë. Prenk Bib Doda dhe babai e tij Bib Doda luanin njëfarë kohe në Mirditë rol vendimtar. Me gjasë ky ndryshim i konstitucioneve nga një anë lidhet me ekzistencën e pjesëtarëve të cilët janë larg njëri tjetrit - dhe nga ana tjetër - me terrenin shumë të kalueshëm.

               Në Malësi, me pengesa natyrale për shkak të terrenit të ashpër, janë vetëm pak lugina të mëdha, ose maja të dendura luginash, në të cilat pastaj janë të popullueme nga akcili fis i madh. Gjani, Kiri, Plani, Shala, Nikaj, Mërturi, Toplana, Dushmani, përfaqësojnë poashtu njësi gjeografike dhe etnografike. Në Mirditë me lugina të vogëla, katunde të veçanta edhe pse janë më shumë të izoluara, barrierat gjeografike nuk luajnë megjithatë kurrfarë roli në ndarjen e fiseve. Atje ku ekzistojnë barriera të këtilla, si për shembull, midis Oroshit dhe Fanit, përkatësisht, Spaçit, ndjenja fisnore zhvillohet në një masë më të fortë. Një tjetër dallim markant psikologjik midis Mirditës dhe Malësisë së Madhe qëndron në atë, që në Mirditë mbretëron ndjenja për vetëqeverisje, në Malësi të Madhe edhe pse pat arritur kjo ndjenjë një zhvillim aq të lartë, pothuajse është zhdukur plotësisht. Vetëm në rastet krejtësisht të rralla komuna interesohet si e tillë për rastet e plaçkitjes a të vrasjes në zonat nën juridiksionin e saj, deri sa në Malësi të gjitha këto krime do te administrohen madje edhe me dënime të rrepta ose nga fisi ose vetë nga Rrethi. Në Shllak për shembull, në nëntor 1905 një plaçkitje e kryer ndaj një pjesëtari të fisit, u lâ në atë mënyrë që vetë fisi mori në dorë këtë punë duke i therrur kryesit - dy lopë, dhe raste të ngjajshme janë shpesh të ngjajshme.

               Tradita  e mirditasve , që të gjitha rastet e fisit gjithmonë t´i lihen në dorë kapedanit vendas që ai t´i zgjidh , me gjasë do të duhej të ishte shkak, për ç´arësye është ngulitur ky ndryshim. Nëse, tash do të pushojë së funksionuari njëherë kjo qendër në Mirditë, atëherë natyrisht do të rezultonte kjo me një anarki të përmasave të gjëra. Lëndimi i të drejtës së mikut në Mirditë është tashpërtash ndoshta i vetmi rast, ku jo vetëm se do të çarmatosej krejt fisi, (po të ndodhte), por kjo do të përcillej edhe me dënim të shpejtë. 

MORALI

Shqiptarit, s´është nevoja të përsëritet, i ka dalë zâni për të keq shumë, në Europë. Plaçkitja, vrasjet, përtacia, ashpërsia këto i përshkruhen këtij dhe shumë të tjera të ngjajshme. Me të drejtë heton Brailsford në librin e tij të shkëlqyeshëm `The Albanian is the bete noire of the embassies as well as of the Porte`. Pa hyrë në shkaqet e kësaj damke, ose në qendrat që i fryjnë kësaj (Beogradi, Cetinja, Bolonja) duke dashur të afrohemi, një gjë dua ta theksoj veçanërisht këtu:`Shqiptari rrallë vepron kundër ndërgjegjes së vet´. Kësaj fjalie mund t´i bëhet një kufizim i pjesërishëm vetëm kur është fjala për Mirditen.

               Për dallim nga Europa e civilizuar, në Shqipëri vrasja dhe plaçkitja maten ndryshe.   I pandërgjegje vetëm pse është vrasës nuk quhet njeriu në Shqipëri; vetëm pse është plaçkitës nuk bie kurrë në nivelin moral të një zuzari europian. Një arkëtar batakçi dhe të ngjajshëm si ky, ka shumë më pak moral dhe respekt se sa një i ashtuquajtur kriminel nga Malësia. Derisa nga një karakter i shfytyruar europian nuk pritet asnjë e mirë që do të vlente ose nuk parashikohet, pothuajse nga secili shqiptar mund të paramendosh, se ai asgjë që ia ndalon morali i tij dhe zakonet e tij nuk do të bëjë.

               Si dëshmi për këtë, qe dy episode: në Toplanë i qortova njerëzit për shkak të shifres 42 përqind - vrasje. ´Përse atëherë vallë paracaktimi hyjnor na i dha armët?´- ja kjo qe përgjigjja shkatërrimtare në pyetjen time pak si të ashpër por qëllimmirë. (Dhjetor 1905). Përgjigje të ngjajshme dëgjon në shumë vise, dhe çfarë ironie e hidhur, në martinat e preferuara të shqiptarëve janë të gëdhendura këto fjalë:` Manufactured by the Providence tool company`, ku providencë - në anglisht, ka kuptimin edhe të Hyjit.

               Edhe një rast tjetër. Njëfarë M. një hajn - varfanjak plaçkiti njëherë natën duke rrezikuar jetën nëpër flakë pushkësh e i maskuar me një gëzof ogiçi përmbi kokë. Disa ditë më vonë i njëjti, në cilësinë e korrierit, më bëri një shërbim ku nga një qytet i largët  më solli qindra franga në monedha, dhe u ndodh në rrethana të palakmueshme duke rrezikuar jetën e vet; mirëpo që ta përmbushte porosinë saktësisht dhe faqebardhë, kjo për M. por edhe për të tjerët të ashtuquajturit ´Cuba Shqiptarë´ kjo është  e vetëkuptueshme; për një prekës xhepash  përndryshe të ndershëm europian, do të ishte kjo, edhe pse zor e mundur, me siguri një sjellje e  çuditshme dhe abnormale. (Dhjetor, 1905). 

GJENDJA EKONOMIKE

Zonja tregëti ka njëfarë vlere, nëse merret në konsiderim pozita financiare e Shqipërisë së Epërme.

Në gjendjen e saj të tashme Shqipëria u takon - edhe pse natyra s´ka qenë kaq dorështrënguar, vendeve më të varfëra të Europës. Paraja e gatshme është një dukuri e rrallë në vend dhe gjithsesi rrezik, që lidhet me lejimin e kredive, e që kushtëzon para së gjithash një rritje të jashtëzakonshme (exorbitante) të kamatës. Priftërinjtë katolikë në përgjithësi insistojnë që kamata të zbresë në 10 - 12%, por kjo ka ndodhur vetëm në disa regjione, meqë rast edhe atje vetëm pjesërisht ka pasur sukses. Në Mirditë shkalla e kamatës oscilon në mes 40 - 60% dhe me këtë rast fatkeqësisht, ndesh në Mirditën perëndimore madje edhe një prift, (e di, për cilin është fjala), që një banorit të katundit fqinj i kishte shitur me kredi 500 okë misër për 867 Piastër. Kthimi i këtij borgji do të duhej të bëhej mbas gjashtë muajve në para ose në mall. Meqë 1 okë misër mesatarisht kushton 1 Piastër, ky prift kishte shfrytëzuar varfërinë e fqinjit, për të siguruar një fitim të pastër prej 72%. (Shënime, mars 1906)

               Priftërinjtë e Mirditës ta merr mendja që duhet ta dijnë, për kend, përndryshe të pasur, e kam fjalën, dhe duhet menjëherë të shtohet, që, këta merren me këso pazaresh përndryshe vetëm në raste krejt të rralla dhe në mënyrë shumë me dinjitoze, pjesërisht tamam në mënyrë bëmirëse.

BUJQËSIA

Meqenese 100 okë misër me pará të gatshme dhe simbas kursit normal kushtojnë 100 Piastër - përndryshe çmimi mund të ngjitet edhe deri 120 - 130 Piastër e më shumë - dhe një burri të vetëm brenda një viti i duhen afro 400 okë miell të misrit, del një pikë fikse, për të caktuar përmbushjen e nevojave të jetës gjithësesi jo të vajisura, të një shqiptari. Mund të supozohet që njeriu me të ardhura mesatare 160 Krona në vit, ia del mbanë. Çmimi i lartë i misrit dhe oscilimet e tij që ekzistojnë midis Gjakovës dhe Shkodrës, rezultojnë nga pakalueshmëria e rrugëve, përkatësisht, nga vështirësitë e transportit. Është e mundur megjithatë, që të veprohet si prizrenasit dhe pejanët që mallëra lehtë të transportueshme, t´i sjellin mbi kuajë në Shkodër duke nxjerrë fitime të konsiderueshme.

               Tërë malësia e Shqipërisë së Veriut prodhon tepër pak misër për t´i plotësuar nevojat: prandaj është e mvarur nga shkodranët e kâmur të Rrafshit, nga Plavë - Gucia dhe nga ata të Metohisë (lexo: Rrafshi i Dukagjinit, v.p.) midis Pejës, Gjakovës, dhe Prizrenit. Përveç këtyre që u përmenden, si kultivues të misrit që vlen për t´u cekur do të ishin më së shumëti, vetëm edhe lugina e Thethit, megjithëse siç është theksuar, një vendim i fisit e ka ndaluar në krejt Shalën, eksportimin e misrit, Thethi, në çmimin e tij ka vetëm ndikim indirekt.

               Gucia, edhe pse ofron misër të lirë, vjen në konsiderim vetëm për viset e afërta (Kelmendi, Boga, Thethi), Metohia ku vetë misri është shumë më i lirë se në Shkodër, mund t´i përmbush nevojat vetëm kah perëndimi, deri te kufiri me Nikaj - n.

                Malizi (Malzi) (Pukë) madje edhe pjesa lindore e Mirdites ushqimin e marrin nga rrethinat e Prizrenit.

Meqë këto pjesë, sidomos ky i pari nuk janë vise të paplleshme, madje si shqiptarë, banorët e Mal(i)zit janë çuditërisht të pakërkesa, përmes punimit të tokës dhe mënyrave të tjera dinë të nxjerrin paranë, dhe meqë në Prizren misri kushton lirë, - varfëria dhe shtrenjtimi në këto vise është në një shkallë paksa më të ultë.

               Madje edhe Oroshi, Spaçi, Puka, por edhe më shumë Toplana dhe viset që shtrihen tutje kah perëndimi, janë të varur kryekëput nga të korrat e Rrafshit të Shkodrës dhe nga oscilimi i çmimit të tyre. Ka  këtu, ose në Zadrime, përmbytje të mëdha ose thatësira tepër të mëdha ose ngrihen në Shkodër nga arsye të tjera çmimet e misrit, atëherë pasojat negative do të ndihen në gjithë malësinë katolike të Shqipërisë. Fundja Rrafshi i Shkodrës ushqen jo vetëm pjesë të Shqipërisë por gjithashtu edhe vise të Malit të Zi – përndryshe, ende shumë të paplleshëm, dhe sa herë që atje s´ka vjelje të mbara, pasojat ndihen edhe kendej kufirit. 

               Tregëtarëve shkodranë shkaku i rrugëve të këqija, u është e pamundur, kompenzimi i eksportit, dhe për t´iu ruajtur ngritjes enorme të çmimit dhe urisë, shpesh është e domosdoshme, ta stopojnë eksportimin për në Mal të Zi. 

               Le të tingëllojë paradoksale: në Mnelë dhe në vende të tjera sherri i kësaj gjendje të keqe -gështenja e butë kushton  më lirë se misri;  në dimër madje, kjo  kushton, përafërsisht vetëm 6 Piastër 1 okë. Patatja deri më sot (1907 mbas Krishtit!) si mjet ushqimor pothuajse ka ngelur e panjohur.

              Arsyeja, përse malësia shqiptare nuk mund t´i mbulojë vetë nevojat e saj ushqimore , qëndron në shkaqe të ndryshme. Bujqësia primitive, mosnjohja e ekonomisë së kultivimit të bimëve dhe lavrës, përdorimi i rrallë i plehërimit, janë disa nga faktorët, por edhe një tjetër arsye qëndron jashta mundësisë që diçka të ndryshohet në këtët, sepse kjo gjendje simbas meje në disa vende si në Hot, Grudë, Vukël, Shkrel dhe Bogë është edhe shkaku i mungesës së ujit dhe cilësisë së mjerë gëlqerore të tokës.

               Në vende të tjera edhe përkunder ujitjeve të bollshme vetëm nga faji i faktorit njeri toka ka ngelur e paplleshme. Midis Shoshit dhe Kirit kam parë unë, - vetëm sa për të sjellë këtu një shembull - për shkak të grindjeve fisnore, të lashta në muajin nëntor me tramakë përjashtë të mbajtur ende krejtësisht mirë.. Me qëllim që toka të plehërohet sadokudo, edhe shtroja e pastër e deleve hedhet në ara!   (Nëntor 1905).

              Me pushkën e mbushur në krah (vëzhgim përgjithësisht i shumëfishtë), ose vetëm me anë të punëve që kryejnë gratë (krahaso këtë skicë me faqen 6) nuk mund të kesh kurrnjëherë një bujqësi  të suksesshme. Megjithatë, nga arsyet që mua s´më janë të njohura, në shumë vende, si në Kthellë dhe Mirditë, mirëpo gjithashtu edhe në Shosh, rritja e bagëtive është duke marrë hov, dhe bujqësinë, edhe ashtu në zgripc, e ka prekur ky shtim edhe më shumë. 

              Edhe pse një hap përpara në kulturë i cili me kalimin e kohës do t´i zbusë edhe doket dhe zakonet, tashpërtash ky përparim do të përcillet nga sytë e frikësuar  shkaku i varfërisë që është në rritje rapide.  

              Fiset, Shkreli, Hoti dhe Kelmendi, të cilët disponojnë me vendbanimet më të varfëra, çuditërisht shkaku i shtrëngesave jetësore kanë zhvilluar një mënyrë të veçantë të jetesës dhe kështu kanë njohur një mirëqenie sadokudo. Regjioni i tyre karstik midis kufirit malazez dhe alpeve shqiptare nuk prodhon as për së afërmi që ta ushqejë bagëtinë e shumtë gjatë dimrit, për të cilën nësë nuk duan që të zbresin në Rrafsh, atëherë duhet të kërkojnë rrugëdalje të tjera. Dhe kjo rrugëdalje u gjet në atë mënyrë që, këtyre më 1850 qeveria turke u dha një pjesë të Zadrimes së pabanuar; anipse fillimisht qe menduar vetëm për dimërim , shumë fise gjithnjë e më  shumë gradualisht kanë filluar të lëshojnë rrënjë në rrafshin e frutshëm, dhe të krijojnë madje përshtypjen për një mirëqenie të kënaqshme; mirëpo për ta arritur përnjëmend këtë është pothuajse e pamundur sepse kanë rrethepërqark fqinjë të varfër e të gatshëm për cubni të gati 30.000 mirditasve. 

SHTEGËTIMET

Është theksuar, që muslimanët nga Mal(i)zi (Pukë) në kohën e fundit, kanë gjetur një burim të ri të jetesës. Gjatë dimrit ata shkojnë në Greqi si punëtorë fushash ; në këtë mënyrë i zellshmi mund të fitojë gjatë një dimri 7 deri në 10 Napoleona. Pra për çdo vit ai mungon nga shtëpia e vetë përafërsisht 6 muaj (Nga notesi im, prill 1906). Ky shtegëtim, me aq sa kam parë, është mjaft i intensifikuar, dhe është një moment nxitës kulturor që duhet përshëndetur me gëzim. Një shtegëtim të ngjajshëm të kohëpaskohëshem  nga Dibra, Gostivari, dhe Tetova për në Rumani, munda poashtu ta konstatoj.

             Më duket, se edhe më domethënës se kjo lëvizje, është, një zhvendosje tjetër, ajo e elementeve të  veçanta popullore, që kryhet si rrjedhojë e kësaj të parës, sepse shumë shqiptarë katolikë, pjesërisht shkaku i mbipopullimit, e pjesërisht të këputur nga barra e borgjeve janë të shtërnguar të migrojnë dhe të lënë trojet e plangun shkret, në mënyrë që të vendosen në Metohí, për të nisur atje një ekzistencë të re si qiramarrës a kështu diçka ngjajshëm.

              Ky shtegëtim konstant ka një rrjedhim interesant, sepse nga ana e vet ky fenomen vepron në mënyrë shtyrëse mbi sllavët, ku fundi i fundit kufiri etnografik ndaj Fushë Kosovës ngadalë por sigurt po shtyhet kah lindja. Shqiptarët më intelegjentë, më të zellshmit, dhe më të aftit për jetë pothuajse en bloc janë shtyrë deri në Kumanovë dhe mu për këtë e marr për joserioze, që regjioni i Pejë - Prizrenit të quhet si ´Serbi e vjetër´.

               Mbi përdorimin e emrave më shumë apo më pak historikisht të arsyetuar e ka dhënë gjykimin e vet, përndryshe jo një hulumtues i vogël ballkanik , por vetë profesori serb  Cviji? , ku ai me këtë rast konstaton: :´në veprat polemike mbi etnografinë maqedonase (e njëjta gjë duhet të vlejë edhe për etnografinë shqiptare! ) është bërë shprehi që të thirret në ndihmë e drejta historike e Serbisë ose e Bullgarisë. Mirëpo nëse i referohemi kështu me kaq konsideratë  të drejtës historike, atëherë harta e Europës do të duhej të korrigjohej nga maja deri poshtë, dhe kudo që do të ndaleshim, do të ndaheshim me humbje.´

              Të shpërngulurit nga Mirdita, edhe mbas ngulitjes në Gjakovë mbesin edhe më tutje të krishtërë. (Fanajt për shembull). Por ata të fiseve të tjera konvertohen shpesh në  besimin muhamedan. Fanajt - shkaku i religjionit dhe numrit të tyre të madh - me gjasë 2000 - përbëjnë një element të rëndësishëm në regjionin, që përndryshe është rreptësisht muhamedanë. Në troje të reja tashti këtu përkrahin njëri tjetrin dhe dinë të mbrohen bashkërisht, prandaj, edhe pse janë të varfër, vendësit kanë respekt të konsiderueshëm ndaj tyre. Shënimi, - që njëherë në Mirditë një muhamedan nga hakmarrja ndaj disa fanajve për shkak të një fyerje, që mbyllur natën bashkë me derrat në thark. (nga notesi, Prizren 1906) –mund t´i karakterizojë më së miri këto marrëdhënie.

               Nëse malësinë e Shqipërisë s´mund ta përshkruajmë kurrqysh si të pasur dhe të plleshme, as karakterizimi ´vend i varfer´ nga ana tjetër, gjithashtu s´është real. Fuqia e ujërave  për hidroelektranat e ardhshme dhe pyjet për eksploatimin momental janë në një kapacitet të mjaftueshëm.

PYJET

Para së gjithash dëshiroj të tërheq vëmendjen për pishat dhe pyjet halore të Malit të Shenjtë dhe të Shkallgjanës ku përveç këtyre të parave edhe pyjet e ahut mbulojnë gjithashtu regjionin midis Zepjes dhe Kumulës.

               Madhështore janë  edhe pyjet gjethore të cilat gjenden tek bashkohen të dy Fanat, derisa të njëjtat midis Çamit dhe Apripes, meqenëse është shprehi që në dimër degët e njoma të tyre të krasiten si ushqim për dhi e dele, kanë një pamje bezdisëse. Vetëm atje ku ndesh komplekse të pishave, mund të gjesh dru  me shumë rrëshirë që mund të përdoret shumë mirë për djegje, e më pak si lëndë ndërtimi , ose si  dërrasa.  Si qendra të këtyre pyjeve të pishave po përmend Tuçin  dhe Lumëbardhën në Mirditë dhe Kraba gjegjësisht Kunora e Dardhës në viset e Iballes. Sidomos Kunora e Dardhës ka një shtrirje të volitshme,  ku Drini me pak mund e kushtime relativisht të vogëla do të mund të bëhej i kalueshëm me trap- dhe lënda lehtë dhe lirë do të mund të transportohej në Shkodër.

               Qysh tashti jo fort larg Poravit e themeluar me kapital  të vendësve punon një sharrë uji, prodhimet e të cilës (dërrasa të ngushta të shkurtëra) dërgohen në Prizren.

               Me përafërsisht 7200 Krona dijtën disa familje të kâmura muhamedane afër Trovnes që ta blenin të drejtën e shfrytëzimit të pyjeve për katër vjet, dhe tash presin kompleksin e pishave nja 20 punëtorë, në mesin e të cilëve ka edhe të huaj (grekë). Sharra e ujit, simbas thënieve të pronarëve, brenda 24 orëve mund të prodhojë 300 dërrasa  shitja e të cilave (3, 4 Piastër një copë) bëhet në Prizren ku ka blerës potencialë.

               Por transportimi i këtyre dërrasave deri në Prizren përmbi 60 kilometra bëhet me kuaj.

               Pyje impozante trupgjata të bungut mbulojnë Cukalin dhe do të ishin për Shkodrën - e cila ka mungesa aq të mëdha të lëndës për djegje, shumë të përshtatshme.

               Përveç pyjeve të bungut dhe të pishës në rrethinë të bërrylit të Drinit posaçërisht tek Poravi dhe Mërturi, komplekset e atjeshme të dendura paraqesin një rëndësi ekonomike. Dru bungu të trasha sa këmba janë poashtu një dukuri e shpeshtë, por (tashpërtash vetëm për lugë) ka  një përdorim shumë të kufizuar.

               Për vreshtarinë ose pemtarinë e Malësisë së Shqipërisë Veriore mund të thuhet pak gjë, më së shumti, do të duhej përmendur gështenjat nga Reçi, Gjani, Mënela, Vigu, Korthpula, dhe në shumë vise të tjera.               

XEHETARIA

Rezerva të mëdha mineralesh duket se mungojnë më së shumti në pjesën perëndimore të vendit; plumbi, bakri, arseni, hekuri, asbesti, që i pashë unë, duket se pak do të premtojnë.

GJUETIA

Si resurse të fundit të vendit do të ishin edhe disa shtazë gjahu të cilat dua t´i përmend. Rrafshinat e Liqenit të Shkodrës, janë kaq të pasura me zogjë kënetash, siç janë: (pelikani, i llojit të argjentë, e të tjra) patat, thëllëzat etj.) poashtu brendia e vendit duket se është e varfër me shtazë të tjera.

               Lepujt janë gjithkund të rrallë: me gjasë edhe për të tjerat siç janë, arinjtë, ujqit, dhitë e egra, kaprolli etj. vlen e  njëjta gjë. Si vend ku ariu gjendet më shpesh, do të ishin viset kah burimet e Valbones në Dragobi, jo fort larg Thethit; përndryshe, anipse më pak, ky gjendet edhe në Mirditë.

               Dhi të egra tashpërtash ka vetëm në Maja e Rabes te Boga , në Kakinja,  në Cukal, dhe në Mënelë. Në viset e tjera jo para shumë kohe i kanë larguar, tash porse shpesh dëgjon duke thënë, ´ato janë ´shpërngulur´ para 20-30 vjetësh´.  Nëse qëndron apo jo kjo ´shpërngulje´ e tyre në lidhje shkajkore me shtimin e martinave - gjithkujt tjetër përveç fëmijëve vetë, i është e qartë. E njëjta vlen  për regjionin Qyteti (origj. Çyçeqi) dhe Mërturi, prej nga tash vijnë rrallë vetëm derra të egër, dhe për të ma dëshmuar ish - ekzistimin e tyre, m´i treguan ultësirat e vogëla (dolinat) në Guri të Mërturit ku gërmimet e tyre ata i quanin stalla . Që një derr  nuk gërmon ´dolinat´ vërtetë ishte e vështirë t´ua dëshmoja; edhe tash ata ende nuk besojnë.

              Gjahu ndaj kaprojve apo ndaj shtazëve të tjera i bërë shpesh me langonj organizohet gjithmonë në grup. Ujqit, gjatë gjithë kohës, vetëm njëherë i kam takuar në pikë dite te Bjeshka e Kuzhninit. (mars 1906); thuhet se këta nuk janë gjithaq të rrallë. Pohimin e të dhënave, më duket nga Schmarda, se në Shqipëri ekzistojnë edhe shtazë të llojit të dhive të egra, deri më tash nuk kam mundur ta vërtetojë. Rrëqebualli, anipse jo në numër jeton në shumë vende të Lurës, për shembull. Megjithëse ekziston një sërë kallëzimesh mbi shtazët, jo gjithmonë është e lehtë të mësohet diçka më shumë mbi këtë temë.   

MITET

Në përgjithësi në Shqipëri kallëzimet dhe mitet pjesërisht janë fshirë nga kujtesa e njerëzve, pjesërisht porse si ´pagane´ ose si  mënyrë e ´paarsyeshme´ e të rrëfyerit janë zhdukur simbas mundësisë nga kleri romo - katolik. Mbi Hijet  e Maleve Ora-t që ´në pyjet e Cukalit banojnë´  dhe natën bëjnë zhurmë të jashtëzakonshme, kurrgjë s´munda të marr vesh më shumë, përveç se ato ekzistojnë. Që njerëzit  në fantazma të gjinisë femërore – shtriga - besojnë, mësova rastësisht në Mërtur dhe lidhur me këtë më treguan edhe një shpellë (Shpella e Orëve) e cila në kohën e luftërave kundër Turqëve luante njëfarë roli. Kjo shërbente si vendstrehim për popullaten e atëhershme dhe njëherë, thuhet, fantazmat i kishin dëbuar turqit e mësyrë, njëherë tjetër me gjasë tamam kur kishin nisur shkrepjet e para të pushkëve gratë të harkuara me copa të mëdha djathi u kishin shkaktuar atyre dëme të mëdha. Në Shpellat e Orëve duhet të ketë edhe mbishkrime në gur.

   Sherri i sjelljeve të pakëndshme turistike të një zotëri L.-që emrin e tij ta shkruaj gjithkund, edhe Shpella e Lekë Dukagjinit te Raja ruan gjithashtu grafite përnjëmend moderne dhe të shëmtuara.(Vëzhgim prill, 1906.) Lutem megjithatë që z. L. ta fus në zemër :´Nomina stultorum´, ose atëherë së pakut ta ketë parasysh këtë fjali, nëse e qet udha në Shqipërinë Veriore. Vendi është tepër i bukur, për t´u deformuar nga  shtimi i turizmit. Ta vizitosh një shpellë në Shqipërinë e Veriut - fundja as është trimëri, e as akt i shkëlqyeshëm, për të pasur nevojë për t´u përjetësuar.

Kështu  erdha me qejf prapë tek pika nistore e skicës, tek Apologjia e Shqipërisë Veriore dhe te shqiptarët, prandaj edhe po detyrohem ta përmbyllë.

   Nëse këta rreshta, kontribuojnë, të hedhin sërish pak më shumë dritë mbi pjesën më të errët, e të  mbetur sëpaku njëmijë vjet mbrapa Europës, atëherë udhëtimi im s´ishte krejt i kotë.

--------------------------

Shënim: Gulden (argjent),  Krone (ar) dhe njësi më e vogël Heller – të gjitha këto janë valuta austro-hungareze, ndërsa Piastër, ishte monedhë që përdorej në vendet nën Perandorinë Osmane- siç ishin Levanti, dhe Shqipëria. 

 F U N D



(Vota: 17 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Fatmira Biçaku: Një vështrim për figurën e Skënderbeut me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë Halim Purellku: Shtrirja e kryengritjes shqiptare kundër-osmane e vitit 1912 në vilajetin e Manastirit Baki Ymeri: Shenjtërimi i Kishës ''Më Një Ditë'' ku u mbajt mesha e parë shqipe Bedri Tahiri: Milosh Kopiliqi - Heroi q? sfidoi historin? Kujtim Mateli: Përpjekje për lokalizimin e Dodonës dhe pranimi i vendndodhjes së saj në jugperëndim të Janinës Shefik Shkodra: Shkolla fillore ‘’Selami Hallaçi’’ dhe mësuesi Ilmi Avzi Mustafa: Ecuritë e arsimit fillor shqip në Kërçovë e rrethinë Neki Babamusta: 26 Marsi 1990 - Vullkani që tronditi komunizmin në Shqipëri Fitim Rifati: Traktati i Shën Stefanit dhe reagimet e shqiptarëve Fritz Radovani: Dishmon atdhetari Kolonel Faik Quku... Ilmi Veliu: Letra e Skënderbeut e 31 tetorit 1460 dërguar princit të Tarentit, Johan Antoni Ilia S. Karanxha: Familja Breu në zanafillat e ikonografisë kastriotiane Halit Elshani: Grupi i Ajdin Muliqit, përkatësisht grupi i Enver Hadrit Lutfi Alia: Agnes Gonxhe Bojaxhiu - Nënë Tereza (III) Hilmi Saraçi: Disa të dhëna karakteristike për familjen Gergjaliu Fotaq Andrea: Faik fisnik Konica, Gjeniu dhe Ati i kombit modern shqiptar Lutfi Alia: Agnes Gonxhe Bojaxhiu - Nënë Tereza (II) Lutfi Alia: Agnes Gonxhe Bojaxhiu - Nënë Tereza (I) Sabile Keçmezi-Basha: Ismail Qemali, Pavarësia e Shqipërisë dhe Gruaja Shqiptare Frrok Kristaj: Gjergj Kastrioti - Arkitekti i shtetit demokratik gjithëkombëtar (Në 568-vjetorin e Lidhjes së Lezhës - 2 mars 1444)

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora