E premte, 20.12.2024, 09:27 AM (GMT)

Speciale » Namani

Qazim Namani: Veshja e grave shqiptare në rajonin e Medvegjës

E enjte, 18.06.2020, 07:25 PM


Veshja e grave shqiptare  në rajonin e Medvegjës

Nga Dr. Qazim Namani

Krahina etnografike e Medvegjës shtrihet në pjesën veri-lindore të Malësisë së Galabit. Malësia e Galabit ruan gjurmë të lashta të civilizimit me tradita të pasura të kulturës materiale dhe shpirtërore të popullatës autoktone dardano-arbërore.

Kostumet e veshjes së grave të rajonit të Medvegjës pasqyrojnë traditën e lashtë të shprehjes estetike, duke nxjerrë në pah elementet më të lashta dhe domethënëse të artit tradicional që nga parahistoria, Dardanisë antike e deri në ditët e sotme.

Motivet e artit popullor të shprehura te kjo veshje janë ngushtë të lidhura me historinë e rajonit dhe me dukuritë tjera kulturore dhe artistike të popullatës autoktone arbërore të kësaj treve.

Burimet historike dhe zbulimet arkeologjike na kanë ndihmuar që të ndjekim gjurmët e shprehjeve artistike të ornamentikës së lashtë me motive gjeometrike, të kombinuara me simbole astrale, mitike dhe motiveve tjera të ndryshme që e bëjnë këtë veshje të veçantë dhe me vlera shumë të larta etnografike.

Figurat artistike të ornamentikës të kësaj veshje paraqesin interes të madh kombëtar për të dëshmuar lidhjen shpirtërore të kësaj popullate me artin popullor të popullatës dardane në këtë trevë.

Motivet e shumëllojshme të qëndisura me simbolika mitike dhe kompozime të veçanta artistike dëshmojnë realizime të përkryera të mjeshtërisë burimore dardane gjatë etapave të ndryshme të historisë.

Nëse analizojmë pjesët përbërëse të veshjes tradicionale  të grave të kësaj ane me veshjet e përshkruara që i bartnin gratë e fiseve ilire, në periudhën e antikitetit të vonë, vërejmë ngjashmëri me veshjen e grave arbërore, pa ndikime të mëdha nga kulturat tjera, që u imponuan nga pushtuesit e ndryshëm në këto treva gjatë etapave të më vonshme historike. Në këtë veshje, përmes qëndisjes së simboleve ornamentale shprehet psikologjia shoqërore, ku elementet e zbukurimit  përshtaten me traditën popullore dhe historinë antike të rajonit.

Mozaiku i qëndisjes dëshmon trashëgiminë shpirtërore të popullatës autoktone që përveç botëkuptimeve mitike, religjioze ruan dhe botëkuptime emocionale, që pasqyrojnë karakteristika mbrojtëse nga ndodhitë e liga, syri i keq dhe shpirtat e këqij, traditë kjo e bartur te shumë popuj nga lashtësia e deri në ditët e sotme.

Dihet se trashëgimia shpirtërore nuk është statike por ndryshon varësisht duke futur elemente të reja nëpër etapa kohore, te kjo veshje janë ruajtur në mënyrën origjinale motivet e lashta pagane që na shtyjnë të mendojmë se gjurmë të kësaj kulture te veshja e grave shqiptare në ketë rajon janë bartur të pa ndryshuara që nga lashtësia, antikiteti, mesjeta, periudha osmane dhe sllave.

Siç shihet te veshja e grave të këtij rajoni janë bartur gjurmët e kulturës dardane me elemente të veçanta tradicionale, kolorit të pasur dhe stoli të ndryshme, që punoheshin me dorë dhe me plotë kreativitet, andaj gjatë punimit të veshjes shprehen dukshëm ndjenjat shpirtërore religjioze dhe estetike. Gjatë punimit të veshjes rëndësi i kushtohet ruajtjes së traditës, teknikës së punimit, qëndisjes së motiveve si dhe kualitetit të materialit të zgjedhur. Veshja tradicionale si art popullorë është trashëgimi e rëndësishme e kulturës materiale, ndërsa motivet e shprehura të artit popullorë në veshje, janë pjesë e rëndësishme e kulturës shpirtërore të një komuniteti apo etnie.

Kjo veshje duket e pasur sepse përmban shumë zbukurime, ngjyra, dhe me larmi të pasur të ornamenteve kozmike, floreale, zoomorfe, antropomorfe, gjeometrike dhe religjioze që gjatë etapave të ndryshme i përdornin popujt e lashtë. Këto simbole i gjejmë edhe sot dendur në të gjitha elementet e veshjes së gruas shqiptare në rajonin e Medvegjës.

Dukuri e qëndisjes së kësaj veshje është renditja e motiveve zbukuruese të ornamenteve në mënyrë simetrike në të dy anët ë trupit. Tërësia e ornamenteve të qëndisura dhe përdorimit të shumë ngjyrave krijon  një sistem të plotë dekorativ me simbole të punuara me stil, që këtë veshje e bëjnë të dallueshme me veshjet e grave nga krahinat tjera etnografike shqiptare dhe popujt tjerë të rajonit dhe me gjerë. Shikuar nga aspekti i përdorimit të elementeve për stolisjen e kokës dhe kolorit të ngjyrave kjo veshje përafrohet me veshjen e grave nga rajoni i Hasit, por është dukshëm më e pasur me simbole pagane dhe motive tjera të paraqitjes së artin që nga kohët e lashta..

Ornamentika në veshje tradicionale për gra në fshatrat e Medvegjës edhe sot ruan disa veçori të rralla të simbolikës së kombinuar me disa elemente dhe stoli dekorative të punuara me rruza dhe stil të lartë estetik dhe artistik.

Gjatë intervistës në terren me gra që i punuan këto veshje vërejmë shpjegime interesante për një grup ornamentesh, që i krahasonin ato me figura të objekteve që i përafrojnë, ndërsa disa ornamente i shpjegojnë mbi baza religjioze dhe dekorative. Në përgjithësi ornamentet artistike të kësaj treve ndërlidhen me artin popullor të traditës duke  ruajtur me besnikëri dhe fanatizëm traditën në  qëndisje, dhe përdorimin e ngjyrave të ndritshme dhe të hareshme.

Te kjo veshje shumë rrallë e hasim ngjyrën e zezë, andaj në përgjithësi dominojnë ngjyrat e ndritshme që e bëjnë veshjen tërheqëse dhe të hijshme. Për ngjarje të hidhura gratë ë këtij rajoni zakonisht veshin shamia ngjyrë kafe dhe veshje me ngjyra më të mbyllëta (errëta).

Dukuri e veçantë te kjo veshje është qëndisja e jakës dhe gjoksoreve të fustanellës së gjatë dhe këmishës së shkurtë, dhe në këto elemente zakonisht shprehen  motive të plleshmërisë, ku dominojnë: ylli gjashtëcepësh, vulva, hëna dhe dielli, ndërsa qëndisja e kraharorëve, mëngëve rreth duarve dhe fundit të fustanellës bëhej me  motive floreale dhe gjeometrike. Fustanella vishej e gjatë deri te thembra e këmbës, dhe kishte ngjyrë të bardhë e cila në pjesë të caktuara qëndisej me ornamente me ngjyra të ngrohta, të ndritshme që duken mbresëlënëse me butësinë dhe gjallërinë magjike. Ornamentet dhe simbolet e qëndisura mbi ngjyrë të bardhë rrezatojnë fuqi, shpresë, mbijetesë dhe pastërti.

Kjo veshje karakterizohet me zgjedhjen e veçantë të simboleve, që në radhë të parë paraqesin botëkuptime të kohës së lashtë për fenomene natyrore dhe rolin e njeriut në perceptimin e tyre. Përmes këtyre simboleve paraqitet bota e brendshme shpirtërore e njeriut, dhe  krijimtarisë së tij artistike me vlera etnokulturore dhe shoqërore të artit, që ka zanafillë që nga fillet e jetë së njeriut në trevat tona. Duke i pasur këto elemente kjo veshje dëshmon përkatësinë autoktone, etnike, krahinore, religjioze, estetike dhe botën e brendshme shpirtërore të popullatës dardano-arbërore-shqiptare të kësaj treve.

Veshja e kësaj treve që është ruajtur me xhelozi deri ne ditët e sotme e cila përfaqëson trashëgiminë kulturore autentike dardane, konsiderohet të jetë  veshja më tipike aristokrate e oborreve mbretërore që nga mbretëria dardane, ajo bizantine, e deri në shekullin XXI te kultura e popullatës autoktone arbërore në fshatrat e Medvegjës, duke e ruajtur artin tradicional popullor dardan, për të mos u zhdukur nga pushtimet e huaja mija vjeçare.

Veshja tradicionale  e femrave shqiptare në rajonin e Medvegjës sot, përfaqëson në përgjithësi  trashëgiminë  kulturore autentike te popullatës shqiptare ne Malësinë e Galabit. Motivet zbukuruese në këtë veshje shfaqen në forma të ndryshme, dhe janë pjesa më artistike që realizohen mbi pëlhurë, me traditën dhe frymëzimin e bartur brez pas brezi te femra shqiptare e kësaj ane.

Pëlhura e linit punohej në vegjë, ndërsa qëndisja punohej me dorë, me disa ngjyra aq tërheqëse sa që e bëjnë veshjen shumë artistike, duke i ndërlidhur motivet e lashta pagane, mitike zoomorfe, të zbukuruar me lule të bimëve nga natyra dhe ornamente gjeometrike. Vlerat artistike i shtohen sidomos nga zbukurimet e shumta të punuara me gjilpërë, shtizë, grep dhe përdorimi i rruazave dhe stolive po ashtu me ngjyra të ndryshme.

Përveç simboleve astrale që shprehen në këmishë, jelek,  te fustanella e gjatë,  te kjo veshje bie në sy edhe përdorimi i simboleve ornamentike gjeometrike si:  trekëndëshi, katërkëndëshi, rombi, spiralja, spiralja e dyfishte, meandri, vijat valore dhe zik-zake, të kombinuara edhe me elemente florale, dhe kolorit të ngjyrave ku e bëjnë të duket shumë autentike dhe origjinale që nga lashtësia. Këto motive janë hasur shumë shpesh të paraqitura në gurë, qeramike, enë të ndryshme që nga kohët e hershme parahistorike e deri më tani në të gjitha trevat ku jetuan fiset ilire dhe më gjerë, por jo të shprehura në një ekzemplar të vetëm si në këtë rast.

Këmishët dhe fustanella më parë punoheshin në vegjë prej materialit te linit, ndërsa në kohët e vona edhe prej materialit të pambukut, që tregon se me kohë janë përdorur prodhimet e reja, por pa e ndryshuar stilin e punimit dhe formën e qëndisjes. Për nga koloriti i ngjyrave veshja e këtij rajoni që përfshinë rajonin e Galabit, ka ngjashmëri me veshjet tjera në rajon, por përdorimi i ornamentikës është shumë më i shprehur se sa te veshja e grave në rajonet tjera ku jetuan fiset ilire, dake dhe trake, andaj mund të pohojmë se qëndisjet dekorative në mënyrë simetrike, dhe teknikisht të kombinuara dhe me ngjyra piktoreske, kësaj veshje i kanë dhënë tipare të veçanta dhe dalluese ndaj veshjeve tjera në rajon.

Nga studiues të fushës së etnologjisë është thënë se ngjyra e bardhë simbolizon pastërtinë, ndershmërinë, triumfin, krenarinë, dritën, diellin, shkëlqimin dhe autoritetin shpirtëror, andaj edhe te kjo veshje në përgjithësi dominon ngjyra e bardhë.  Përveç ngjyrës së bardhë, që simbolizon pastërtinë, te kjo veshje përdoret shumë edhe ngjyra e kuqe që simbolizon gjakun, jetën dhe verën. Ngjyra e zezë përdoret për qëndisjen e ornamenteve.

Qëndisjet te kjo veshje janë të dukshme dhe kanë forma të rregullta dhe me domethënie ku secila figure përmban në vete ndonjë simbolikë. Te ornamentet gjeometrike përdoren mjaftë shumë edhe rombet e vegjël që mishërojnë fëmijët simbolizojnë zhvillimin e jetës dhe fisit.

Në përgjithësi ornamentika e përdorur në veshjen tradicionale për gra në fshatrat e Medvegjës ruan disa veçori të simbolikës me domethënie dhe botëkuptime mitike që me stil estetik dhe artistik shprehen të punuara në stolisje e kokës dhe pjesëve tjera të trupit.

Nga rrëfimet e grave të kësaj treve vërejmë se këto vepra artistike ndërlidhen me artin popullor të traditës, duke ju përmbajtur me besnikëri traditës së burimeve dhe gjurmëve të rrënjëve të etnisë dardane. Për tu njohur më mirë me artin popullorë dhe mënyrën e punimit të kësaj veshje ne realizuam një bisedë me Ajshe Baftiu-Berisha e lindur në fshatin Sfircë të Malësisë së Galabit.

Fig. 2 dhe 3. Foto te huazuara nga faqet e internetit të fshatrave në komunën e Medvegjës.

Fig. 4 dhe 5. Foto te huazuara nga faqet e internetit të fshatrave në komunën e Medvegjës.

Pështjellaku që vishet në anën ë përparme të trupit quhet përparc. Te ky pështjellak punoheshin tre mindila, ku njëri e kishte gjatësinë e pështjellakut dhe gjerësinë rreth 30 – 40 cm dhe vishej në pjesën e sipërme të pështjellakut. Mbi këtë mindil në anën e majtë dhe të djathtë vishej nga një mindil i vogël. Mindilët kishin ngjyrë të bardhë dhe zakonisht qëndiseshin me motive dhe ngjyra të ndryshme.

Fig.6 dhe 7. Pështjellaku që vishet në anën ë përparme ( përparc) dhe mindilat, të punuara nga Ajshe Baftiu-Berisha, fshati Sfircë, Malësia e Galabit. Foto:Qazim Namani

Jelekët e punuar prej materialit të leshit dhe më vonë prej pambuku, zbukuroheshin me qëndisje astrale dhe mitike. Përveç qëndisjeve të figurave të ndryshme, në jelek kapeshin me gjilpërë detaje zbukuruese të punuara me rruza dhe monedha të shumta, për ta bërë jelekun sa më të bukur dhe tërheqës. Jeleku e mbulonte këmishën po ashtu të qëndisur me figura të ndryshme, deri te kollani i punuar me rruza që e mbështillte trupin në bel për ti dhënë veshjes një pamje shumë magjepse dhe aristokrate.

Fig.8 dhe 9. Jelek i punuar nga Indira Jakupi – Demiri e lindur në Medvegjë. Foto: Indira Demiri

Fig.10 dhe 11. Jelek me qëndisje astrale dhe mitike dhe çorapët, të punuara nga Ajshe Baftiu-Berisha, fshati Sfircë, Malësia e Galabit. Foto:Qazim Namani

Çorapët dhe shputat punoheshin po ashtu prej leshi, që zakonisht ishin të stolisura me lara të ndryshme. Për gra të moshuara çorapët punoheshin me ngjyra më të mbyllëta.

Veshjet popullore për femra në shumë raste tregojnë edhe statusin e tyre social dhe familjar në shoqëri, nëse gruaja është e martuar apo jo, moshën, përkatësinë fisnore dhe fetare.

Veshja e grave të martuara po ashtu përmban elemente identifikuese për nuset e reja, gratë e martuara, gratë e veja dhe të moshuar.

Vajzat deri në moshën e pubertetit mbanin veshje të veçantë dhe sipas elementeve të qëndisura mund të kuptojmë se vajza është e fejuar apo jo. Te veshja e vajzave  gjatë qëndisjes nuk përdoret ngjyra e zezë, por ajo që bie në sy te kjo veshje vërehet se nuk është shumë e ngarkuar me simbole pagane dhe mitike me përjashtim të rrezeve të diellit, yllit gjashtëcepësh dhe sëpatës si simbol i pllëshmerisë. Te  veshja e vajzave dominojnë fluturat, bleta, lulet, rrezet e diellit, shqiponja dhe ornamente të ndryshme gjeografike.

Pështjellaku i vajzave deri në këtë moshë më shumë e ka të qëndisur yllin gjashtë cepësh një ngjyrësh, dhe pas moshës së pubertetit kur vajza fillon jetën bashkëshortore fillon ta bartë pështjellakun me yll gjashtcepesh dy ngjyrësh.

Fig. 13. Pështjellaku i vajzave te mitura, të punuara nga Ajshe Baftiu-Berisha, fshati Sfircë. Foto:Qazim Namani

Te pështjellaku i nuseve të reja si motive dominuese në të shumën e rasteve na paraqitet syri mbrojtës, që nënkupton ruajtjen e nuses së re nga të këqijat (Syri i keq), andaj edhe në traditën tonë popullore ruhet edhe thënia syri i keq mos e paftë.

Fig.14. Pështjellaku i nuseve të sa po martuara të punuara nga Ajshe Baftiu-Berisha, fshati Sfircë. Foto:Qazim Namani

Pështjellaku i gruas së re pas fillimit të lindjeve e deri në përfundimin e këtij procesi në të shumtën e rasteve si motive të qëndisura mbi fushën e kuqe paraqiten sëpatat si simbol i plleshmërisë dhe kryqi bizantin.

Fig.15. Pështjellaku i gruas së re pas fillimit të lindjeve e deri në përfundimin e këtij cikli, të punuara nga Ajshe Baftiu-Berisha, fshati Sfircë. Foto:Qazim Namani

Pështjellaku i grave të moshuara pas përfundimit të lindjes së fëmijëve kryesisht ka ngjyre kafe ose të zezë, ndërsa mbi fushën me ngjyrë të mbyllët janë të qëndisura motivet e vijave vertikale shumë ngjyrëshe, pika të bardha që nënkupton mundësinë ë lindjes edhe të ndonjë fëmiu, dhe në të dy anën zakonisht përfundon me nga një shokë vertikale shumë ngjyrëshe, me simbolin e vulvës (trekëndëshit), që simbolizon shtimin e familjes me shumë mbesa dhe nipa.

Fig.16. Pështjellaku i grave të moshuara pas përfundimit të lindjes së fëmijëve, të punuara nga Ajshe Baftiu-Berisha, fshati Sfircë. Foto:Qazim Namani

Rëndësi të veçantë te kjo veshje kanë padyshim motivet me elegancë dhe  simbolet qe përdoren për stolisjen e kokës, ku veçohet kryqi bizantin me madhësi që e mbulon  veshin, i punuar me rruza të vendosura në të dy veshët, pastaj lidhja e të dy veshëve përmes kurorës të ngritur mbi ballë dhe qëndisur në formë topash me ngjyra të ndryshme që pasqyrojnë ngjyrat e ylberit. Për ta realizuar një veshje të tillë përdoren penj dhe rruza me ngjyra të ndryshme.  Është me rëndësi të theksohet se edhe te kurora e punuar në formë ylberi me toptha të vegël, topi me ngjyrën e bardhë qëndron në mes të kokës, pra është pika më e lartë e tërë kostumit të grave, ashtu sikurse edhe te veshja e meshkujve që është plisi i bardhë.

Me rëndësi janë edhe bistakët (shive) e qëndisura që lëshohen për fytyre prej veshëve e deri në bel, në fund të qëndisura me rruza e që lidhen mes veti në shpin (prapa trupit). Këta bistak të quajtura shive, ngjasojnë  në çdo detaj me veshjen karakteristike dhe aristokrate të zbuluar në mozaikun që i përkiste perandoreshës Teodora e cila ishte bashkëshortja e perandorit bizantin Justinjan, për të cilin dihet se ishte me origjine dardane dhe atë pikërisht nga rajoni i Medvegjes së sotme.

Fig.17 dhe 18. Ngjashmëria e veshjes së grave shqiptare nga fshatrat e Medvegjës me kostumet e zbuluara në mozaikun e Teodorës.

Fig. 19 dhe 20. Ajshe Baftiu-Berisha (1951), fshati Sfircë, Malësia e Galabit, autore e punimit të kësaj veshje duke e treguar veshjen e kapelës dhe kurorës në kokë. Foto:Qazim Namani

Fig.21 dhe 22. Lakuriqi i natës i punuara me dorë që vendosej mbi shami në anën e prapme të kokës, të punuara nga Ajshe Baftiu-Berisha, fshati Sfircë. Foto:Qazim Namani

Kur bëhet fjalë për elementet e përdorura te stolisja e kokës, që e bëjnë me interes për ta studiuar këtë veshje është edhe shamia që vishet në pjesën e prapme të kokës e cila po ashtu qëndisej me motive të shumta dhe mbulohej me lakuriqin e natës të punuar me përkushtim dhe elegancë duke përdorur rruza me ngjyra të ndryshme. Sipas hulumtimeve shkencore është vërtetuar se Lakuriqët e natës janë gjitarët më jetëgjatë në botë, në krahasim me madhësinë e trupit të tyre, po ashtu janë mbrojtës e natyrës nga insektet. Nga gjithë kjo mund të pohojmë se përdorimi i kësaj figure si vrojtues të natës në këtë veshje ka kuptimin dhe të jetëgjatësisë, mbrojtjes nga prapavija prej intrigave, pabesive dhe të këqijat që mund të vijnë njerëzit e ligë.

Për ngjarje të hidhura grat e këtij rajoni bartnin shamia ngjyrë kafe.

Fig. 23 dhe 24. Kurora shumë ngjyrëshe dhe bistakët e quajtura shive, të punuara nga Ajshe Baftiu-Berisha, fshati Sfircë. Foto:Qazim Namani

Kurora shumë ngjyrëshe te kjo veshje që vendoset prej veshi në vesh dhe që nënkupton ylberin që bie në dy lumenj mendoj se simbolizon plleshmerinë, shëndetin, bukurinë dhe zhvillimin e shtatit.

Se veshët në këtë rast simbolizojnë ujin, kjo e bënë të kuptueshme kur nga veshët mbi shtatin e gruas lëshohen bistakët e gjatë të punuar prej flokëve dhe rruzave, e të cilat popullata lokale i quan shive, që na shtynë të mendojmë se simbolizojnë shiun, jetën, gjallërinë, shëndetin, elemente këto të paraqitura edhe në mozaikun te veshja e Teodorës.

Fig.25,26 dhe 27. Detaje me rruza, dhëmb të kafshëve dhe guaca, të punuara nga Ajshe Baftiu-Berisha, fshati Sfircë, Malësia e Galabit Foto:Qazim Namani

Veshjet e grave janë të veçanta sepse shquhen me ornamente të shumta dhe ngjyra dekorative, dhe janë bartës kryesor i këtij arti tradicional artistik. Qëndisja nuk është vetëm një shprehje artistike por përmban elemente thelbësor me karakteristika mitike dhe  aristokrate të kostumeve perandorake, andaj e gjithë kjo është një trashëgimi burimore dhe historike që e bën popullatën arbërore të kësaj treve të ndihet krenare.

Fig. 28 dhe 29. Detaje zbukuruese që vendosen në anën e prapme të belit mbi pështjellak, të punuara nga Ajshe Baftiu-Berisha, fshati Sfircë. Foto: Qazim Namani

Fig. 30 dhe 31. Kallon që vihej në bel mbi këmishën e gjatë dhe detaj i punuar me rruza, të punuara nga Ajshe Baftiu-Berisha, fshati Sfircë. Foto Qazim Namani

Fig. 32. Stoli të dorës dhe qafës me rruza, dhe Fig. 33. Stoli për gra të moshuara, të punuara nga Ajshe Baftiu-Berisha, fshati Sfircë. Foto: Qazim Namani

Fig.34. Stoli që lëshohej prej pas qafës mbi dy duart e nuseve të r5eja në anën e përparme të trupit, dhe Fig. 35 Qafore me rruza, të punuara nga Ajshe Baftiu-Berisha, fshati Sfircë. Foto: Qazim Namani.

Kjo veshje e ruajtur me xhelozi në rajonin e lindjes së perandorëve më të njohur dardan si: Konstantin i Madh, Justini, Justiniani…. dëshmon edhe të dhënat historike kur thuhet se perandori Justinian e barti qendrën e krishterimit dhe prefekturës së Ilirikut nga Selaniku ne vendlindjen e tij. Duke e bartur qendrën e krishterimit në ketë treve mund të pohojmë se të gjithë artistet më të njohur të kohës së Justinianit u vendosen në qytetin e lindjes së perandorit pranë Medvegjës së sotme, andaj edhe gjurmët e artit dhe të kulturës mbetën si e vetmja dëshmi te popullata arbërore e këtyre anëve.

Meqenëse kjo veshje e jona kombëtare i ka ruajtur te gjitha këto tipare dhe vlera kulturore deri në ditët tona është interes kombëtar të ruhet, të  prezantohet në muzetë tona popullore dhe të stimulohet tradita e punimit të saj si relikt i rrallë dhe me vlera shumë të larta të kulturës dhe artit tonë popullorë.



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora