Kerko: Bedri Dedja
Agim Deva: Bedri Dedja, baba i modernitetit në letërsinë tonë për fëmijë
E enjte, 21.11.2019, 08:00 PM
"Bedri Dedja, baba i modernitetit në letërsinë tonë për fëmijë" - Kujtesë…
Baba
i modernitetit në letërsinë tonë për fëmijë
Bedri
Dedjen (1930-2004) do ta nderojmë për kohe të gjatë, sepse puna e tij shënon
një epokë kthesash të mëdha. Prej tij kemi mësuar se letërsia mund të shkruhet
edhe ndryshe…
Nga
Agim Deva, Prishtinë
Kam
përshtypjen se prof. Bedri Dedjes, këtij kolosi të kulturës sonë, i kemi mbetur
borxh të gjithë nga pak : edhe kohërat që i kishte kaluar me të gjitha
ngjyrimet e mundshme, edhe organet dhe institucionet social-kulturore, edhe
rrjedhat e reja që hynin pamëshirshëm në gërshërë me ato të vjetrat, e ku prof.
Dedja si rrallëkush realizonte intelektin e vet në mënyrën më dinjitoze :
i kemi mbetur borxh prof. Bedri Dedjes edhe ne këtu në Kosovë, edhe për së
gjalli, por edhe pas vdekjes së tij.
Mos
ndoshta, të gjitha këto borxhe ndaj këtij bardi të kulturës sonë, na shpiejnë
në fjalët e Tolstojit të madh kur thotë se « ndërgjegja është zëri i
shpirtit.. » ?
Shfletoj
librin me kujtime « Nëpër ravat e jetës » (Tiranë 2001), ku Bedri
Dedja qysh në hyrje të tij, midis të tjerash, jep një sqarim të shkurtër, por
esencialisht domethënës dhe simbolik : « …Fjala ravë ka kuptimin e
rrugëve të dhive në mal, ose të gjurmëve në dëborë. Më është dukur se rrugët e
mia të jetës ngjasojnë më shumë me ravat.. »
Dhe
po të rrëshqasim, qoftë edhe shumë përciptazi nëpër jetën e prof. Bedriut (gjë
që ai nuk e meriton një qasje të këtillë sipërfaqësore), do të shohim se nga
viti 1930 kur erdhi në jetë e deri më 2004, kur ma dërgoi romanin e tij
« Sikuriada », që realisht ishte pjesa e tretë e romanit
« Kalamajtë e pallatit tim » (roman i një lloji të ri – roman
manifest), dhe iku nga kjo botë, duke marrë me vete shumëçka, që po të na linte
në një formë apo në një tjetër, do të kishim një dobi shoqërore shumë më
karakterogjene, se tani kur gjëndemi pa të.
Autoriteti
i tij qe ndërtuar gjithnjë me sakrifica natyrash të ndryshme. Vetë prezenca e
tij në një konsultë, program kulturor, simpozium, mbledhje, etj. e kishte
peshën e vet dhe karakteri i tij, gjithnjë stabël, të imponohej me një qetësi
impozante, me një urtësi antike, me një kriter të formësuar e të shumë
kohezional, që ishte rezultat i dijes, i përvojës së tij shumëvjeçare në shumë
fusha të artit, të kulturës, të arsimit, të shkencës. Këtë përshtypje e
kisha edhe në vitin 1973, kur për here të pare u takova me të në Tiranën
“misterioze”, dhe qysh atëherë më duket se kisha takuar një njeri, që kishte
lindur nja tridhjetë vjet më herët, sepse vetë shkalla e tij e inteligjencës,
fjalori i komunikimit, horizonti i tij kulturor që gravitonte nga Europa,
qetësia me të cilën të dëgjonte dhe këshillat e tij assesi të imponuara si
domosdoshmëri, mirësjellja e tij në interpretime shkencore, kishin tipare të
një pedagogu e psikologu me experience, prej të cilit mund të mësonim shumë të
gjithë ne, që kishim fatin të rrinim me të. Një tip recent, një mëndje e
ndritur, që herë-herë m’i përkujtonte rilindasit tanë. Korçari sharmant,
studenti i dalluar i Universitetit të Moskës, pedagog shumëvjeçar në
Universitetin e Tiranës, shkencëtar i dalluar, sidomos në fushat e
psikologjisë, letërsisë për fëmijë dhe pedagogjisë, organizator i shumë
simpoziumeve të ndryshme, krijues i një numri të madh veprash letrare (poezi,
tregime, përralla, novela, poema, romane, legjenda, fabuka, përralla mbi
kafshët, kujtime, etj.); pastaj, themelues i mendimit teorik-kritik mbi
çështjet e ndryshme të letërsisë për fëmijë, autor i veprave letrare kapitale,
me të cilat janë rritur gjenerata të tëra fëmijësh e të rinjësh tanë si:
“Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit”, “Një udhëtim i rrezikshëm”, “Kapiteni i
shtrëngatës”, “Kalamajtë e pallatit tim”(1,2,3), “Republika e 1100 çudirave”,
“Nëpër korridoret e thella të Jonit”, “Qyteti me tri kështjella”, “Përralla
njëmbëdhjetëkatëshe”, si edhe dhjetra e dhjetra vepra të tjera, që na bëjnë ta
perceptojmë realisht formatin e madh të akademik Bedri Dedjes, pena e të cilit
gjurmonte modalitete të reja të shprehjes, deri në ditët e fundit të jetës.
Është
vërtet e dhëmbshme kur nëpër mbledhjet komemorative ngrihemi në këmbë për të
mbajtur një minute heshtje për kolosët, siç ishte në këtë rast, Bedri Dedja.
Një minute heshtje. Më besoni: kurrë nuk kam mundur ta kuptoj domethënien e
këtij minuti, sado që edhe vetë jam ngritur shumë here në këmbë për këtë
qëllim, për miqtë dhe dashamirët që na ikin – secili në mënyrë të vet. E
shpjegojnë si nderim të fundit, që i bëjnë të ndjerit.
Bedri
Dedjen do ta nderojmë për kohë të gjatë, sepse puna e tij shënon një epokë
kthesash të mëdha: është baba i modernitetit në letërsinë tone për fëmijë. Prej
tij kemi mësuar se letërsia mund të shkruhet edhe ndryshe, se edhe të vegjlit
janë të detyruar të na kuptojnë edhe atëherë qartë e drejtë. Në botën e librit
tone ka sjellë përvoja e modele të reja kreacionale, duke përkthyer vepra të
rëndësishme nga letërsitë e huaja. Vetëm ata që e duan njeriun, mbeten të
pavdekshëm. Akademik Bedri Dedja ishte prej atyre që ka rrezatuar me energji
positive kudo që ka qënë i pranishëm.