E shtune, 21.12.2024, 12:05 PM (GMT)

Mendime

Florim Zeqa: Duan edhe gjakun tonë!

E shtune, 20.09.2014, 06:08 PM


Nuk po u mjafton djersa, e duan edhe gjakun tonë !

Nga Florim Zeqa

Vrasja e dyfisht që ndodhi para disa dite në Regjionin Marche, tronditi opinionin e gjerë vendor dhe ndërkombëtar. Lajmin e kobshëm për vrasjen e dy shqiptarëve nga Kosova e shpërndanë pothuajse të gjitha mediat e shkruara dhe elektronike në Itali. Pothuajse nuk kishte gazetë ditore që nuk e kishte në ballinën e saj vrasjen e dy shqiptarëve nga Kosova.

Autor i vrasjes së dyfisht është Gianluca Ciferi, 48 vjeq, pronar i një firme që la të vrarë dy shtetas kosovar; Neomedim Mustafa 38 vjeq dhe Valdet Avdyli 26 vjeq.

Dy shtetasit kosovar, ishin punëtor të G. Ciferi i cili muaj më parë i kishte larguar nga puna si pasojë e krizës ekonomike pa u paguar pagat  për disa muaj rresht.

Deklaratat e vrasësit Ciferi, se gjoja dy të rinjët shqiptar e kishin kërcënuar, në asnjë rrethanë nuk e arsyeton aktin kriminal të vrasjes së dy të rinjëve të lodhur e rraskapitur nga kriza e rendë sociale, që nuk kishin kërkuar asgjë më pak dhe as më shumë se t'u paguhet djersa e tyre.

Pavarësisht se kërkesat e tyre, ishin të drejta dhe legjitime, padronit (pronarit) të tyre sikur nuk i mjaftoi djersa, ju dasht edhe gjaku i tyre për t'i larguar përfundimisht nga regjistri i borxheve, duke harruar se para çdo borxhi material mbetët i freskët gjaku i dy mërgimtarëve në tokë të huaj.

Përkundër faktit se lajmin e publikuan edhe mediat e dy shteteve shqiptare (Shqipëri dhe Kosovë), nuk arriti të depërtoj mjafueshëm tek qeveritë e dy shteteve shqiptare, nuk arriti të prekë ndëgjegjën e krerëve shtetëror të vendeve tona !

Cilit do nacionalitet t'i ndodhte një tragjedi e tillë, do të ishin të mënjëhershme reagimet zyrtare, filluar nga përfaqësitë diplomatike e deri të ato shtetërore.

Madje çdo qeveri respektive do t'i dërgonte "notë" proteste qeverisë italiane për vrasjen e dy bashkatdhetarëve të vet. Për habi dy qeveritë shqiptare nuk e panë të udhë ta bëjnë një gjë tillë!

Vetëm disa orë nga vrasja e dy kosovarëve në Regjionin  Marche, në Milano të Italisë takohen dy ministrat e jashtëm shqiptar; Ditmir Bushati (Shqipëri) dhe Enver Hoxhaj (Kosovë), në inaugurimin e konsullatës së përbashkët Shqipëri-Kosovë, me prezencën edhe të autoriteteve italiane, dhe për habi në këtë takim ceremonial u hesht ngjarja tragjike në Marche ku u privuan nga jeta dy bashkatdhetar të ministrave shqiptar.

Sikur të ishte prezente vetëdija morale tek ministrat (qyqar) shqiptar, para inaugurimit të konsullatës do duhej mbajtur një minut heshtje në nderim të viktimave shqiptare!

Mirëpo për të qenë ironia edhe më e madhe, deri më tani asnjë shoqatë, klub apo organizatë shqiptare që vepron në Itali nuk e pa të udhës të reagoj ndaj këtij rasti makabër në Marche.

Ndoshta drejtuesit e shoqatave shqiptare (kosovare) po presin reagimin e ndonjë komuniteti tjetër ndaj rastit në fjalë, gjë e cila ka pak gjasa të ndodhë.

Për një gjë jam tejetë i sigurtë, sikur të thirrej ndonjë protest kundër vrasjes së dy bashkatdhetarëve tonë nga ana e shoqatave shqiptare (kosovare), me siguri se do të bashkangjiteshin edhe komunitetet tjera.

Organizimi i protestave nga ana e shoqatave në bashkëpunim me organizatat sindikale do të ndikonte në sensibilizimin e opinionit në parandalimin e rasteve tjera tragjike, për t'ju bërë thirrje publike "padronëve" të pangopshëm për  respektimin e  rregullave dhe ligjeve, si dhe për parashtrimin e kërkesave ndaj qeveritarëve italian në përmirësimin e skemave sociale si përgjigje ndaj krizës ekonomike, e cila tashmë në këtë vend ka marrë përmasa katastrofale.

Ku janë aktivistët dhe veprimtarët që aq shumë trumbetojnë me kauzën kombëtare, "patriotët" shqiptar të cilët gjatë tubimeve festive, inauguruese apo promovuese (të ndonjë libri me poezi), ua qajnë kokën bashkatdhetarëve të tyre me referate të gjata patriotike duke u munduar të shesin patriotizëm dhe "vlera" intelektuale me referate (hartime) të nivelit fillestar.

Pse rrijnë të strukur duke e kaluar në heshtje këtë vrasje makabër, kur nesër secilin prej nesh mund ta pres i njëjti fat tragjik, pse nuk reagojnë, kur kriza ekonomike në këtë vend është në përmasat alarmante.

Heshtja dhe indiferenca ndaj këtij rasti e tregon më së miri katandisjen dhe largimin nga vlerat humanitare, solidariteti dhe traditat fisnike të popullit tonë.

Ngushllimet më të sinqerta familjeve Mustafa dhe Adyli për humbjen e më të dashurve të tyre, Neomedimi dhe Valdeti do të mbetën të paharruar në kujtesën e mërgimtarëve shqiptar në Itali.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora