Frank Shkreli: Lavdi grave të qëndresës antikomuniste shqiptare
LAVDI GRAVE TË QENDRESËS ANTI-KOMUNISTE SHQIPTARE
(Në Kujtim të Klora Mirakaj Merlika dhe të
gjitha grave që përballuan burgjet dhe internimet e diktaturës komuniste)
Ndarja
nga jeta e Klora Mirakaj Merlikës disa ditë më parë në moshën 93-vjeçare,
rikthen në vëmendje një nga kapitujt më të dhimbshëm të historisë shqiptare:
fatin e grave në burgjet dhe kampet e regjimit komunist. Jeta e saj, me plot 47
vite të kaluara në burgje dhe internime, përfshirë edhe kampin famëkeq të Tepelenës,
është një dëshmi e gjallë e një realiteti që nuk duhet harruar.
Gratë
shqiptare nën diktaturën komuniste përjetuan një dhunë të shumëfishtë -- jo
vetëm si kundërshtare të regjimit, por edhe si nëna, bashkëshorte dhe bija të
familjeve të shpallura “reakcionare”, “armike”, e lloj-lloj eptitetesh tjera.
Në burgje dhe kampe internimi, ato u përballën me kushte çnjerëzore jetese: uri
të vazhdueshme, mungesë të theksuar të kujdesit shëndetësor dhe punë të
detyruar në kushte ekstreme. Jeta e tyre reduktohej në një luftë të përditshme
për mbijetesë.
Por
vuajtja e grave kishte një dimension edhe më të thellë. Ato u nënshtruan
poshtërimeve sistematike, kontrollit trupor degradues dhe presioneve të vazhdueshme
për të mohuar bindjet apo familjet e tyre. Në shumë raste, ato përjetuan edhe
forma të rënda dhune psikologjike, duke jetuar nën frikë dhe pasiguri të
përhershme. Një nga plagët më të mëdha mbetet drama e nënave. Shumë gra lindën
në internim, pa asnjë kusht minimal, ndërsa fëmijët e tyre u rritën mes
varfërisë ekstreme, sëmundjeve, vdekjeve të foshnjave dhe mungesës së çdo
përkujdesjeje minimale njerëzore. Sipas dëshmive të të mbijetuarave, fenrat
vepçanërsiht përballeshsn me poshtërim dhe çnjerëzime të papërshkruashme, trajtoheshin
me një brutalitet të veçantë: kontroll trupor poshtërues dhe dhunë psikologjike,
kërcënime dhe presion për të mohuar familjen apo bindjet poltike ose fetare dhe
në disa raste, fatkeqsisht, edhe abuzime dhe shfrytëzim seksual nga rojet e
kampit ose oficerë të Sigurimit të Shtetit.
Ka histori nënash që nuk arritën kurrë t’i shihnin më fëmijët e tyre--një
tragjedi e heshtur që rëndon ende mbi ndërgjegjen kolektive të të politikës dhe
shoqërisë shqiptare, që, kokëfortsisht dhe paturpësisht, ende refuzon të kthej kokën mbrapa e të pyes
veten se si shqiptari mund të kryente krime të tilla kundër shqiptarit/shqiptares?
Megjithatë,
në këtë terr të thellë, gratë shqiptare, si Klora Mirakaj-Merlika, dëshmuan një
forcë të jashtëzakonshme shpirtërore. Ato mbështetën njëra-tjetrën, ruajtën
dinjitetin dhe, mbi të gjitha, refuzuan të dorëzoheshin përballë një sistemi
çnjerzor që synonte t’i shkatërronte ato moralisht dhe fizikisht. Megjithkëtë,
qëndresa e tyre ishte e heshtur, por e pathyeshme. Klora Mirakaj Merlika mbetet simbol i kësaj
qëndrese të heshtur, një dëshmi e gjallë e forcës së gruas shqiptare përballë
padrejtësisë dhe terrorit shtetëror.
Sot,
kur dëshmitarë të tillë si Klora Mirakaj Merlika po largohen nga kjo botë,
përgjegjësia për të kujtuar dhe për të treguar historinë e tyre bëhet edhe më e
madhe. Sepse kujtesa nuk është vetëm
nderim për të shkuarën, por edhe garanci që padrejtësi të tilla të mos
përsëriten më kurrë. Por klasa politike “post-komuniste” 35-vjeçare në Shqipëri
duket se ka vendosur që të vdesin edhe ata pak ish-të burgosur e të përndjekur
nga komunizmi, që për fatin e tyre kanë mbijetuar barbarizmat e komunizmit të
regjimit të Enver Hoxhës. ttps://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-nuk-mund-te-hesht-per-krimet-e-komunizmit/
Përballimi
i shtetit shqiptar me të kaluarën komuniste dhe, veçanërisht, me trashëgiminë e krimeve të
komunizmit ka qenë i pjesshëm dhe shpesh i ngadaltë, ose më mire të themi
ko-ekzistent, sidomos në krahasim me vende të tjera ish-komuniste. Frank Shkreli: Shqipëria të dënojë
zyrtarisht vra.sjet makabër të komunizmit | Gazeta Telegraf
Pas
rënies së regjimit të Enver Hoxha, pati disa hapa simbolikë, si hapja e dosjeve
në mënyrë të kufizuar, dënime të disa figurave të larta të regjimit dhe krijimi
i institucioneve si Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit.
Megjithatë, shumë kritikë theksojnë se këto masa nuk kanë qenë as nuk janë
aspak të mjaftueshme. Për familjet e
persekutuara shqiptare -- si Mirakaj, Merlika dhe mijëra të tjera --mungesa e
një ballafaqimi të plotë me krimet e komunizmit dhe të kaluarën e diktaturës
komuniste, nënkupton jo vetëm mungesë drejtësie, por edhe mungesë njohjeje të
plotë të vuajtjeve të tyre. Kujtesa historike shpesh mbetet e fragmentuar dhe e
debatueshme në shoqëri. Çështja nuk
është vetëm historike, por edhe morale dhe institucionale e që kërkon një
përgjigje zyrtare të shtetit shqiptar: sa është shoqëria shqiptare e gatshme,
politikisht, moralisht dhe kombëtarisht të përballet me të kaluarën e saj komuniste,
për të ndërtuar një të ardhme më të mirë dhe më të drejtë për të gjithë
shqiptarët, pa dallim?
Me
dhimbje dhe respekt të thellë, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për kalimin
në amshim të Klora Mirakaj-Merlika dhe për të gjitha familjet e persekutuara
nga regjimi komunist. Kujtimi i vuajtjeve, sakrificave dhe qëndresës së tyre
mbetet pjesë e ndërgjegjes kombëtare. Ato familje përballuan padrejtësi të
mëdha, por ruajtën dinjitetin, besimin dhe identitetin shqiptar në kohë, shumë
të errëta. Natyrisht se në këtë moment
ndarjeje nga jeta të të dashurve të tyre, dhimbja bëhet edhe më e madhe, por
edhe më e fortë mbetet trashëgimia morale që ata kanë lënë pas -- një thirrje
për të kujtuar me qëllim për të mos harruar dhe për të vlerësuar lirinë dhe
demokracinë, sado të brishtë të Shqipërisë së tranzicionit të pafund.
Klora
Mirakaj Merlika mbetet simbol i kësaj qëndrese të heshtur, një dëshmi e gjallë
e forcës së gruas shqiptare përballë padrejtësisë dhe terrorit shtetëror. I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre. Lavdi Klora
Mirakaj-Merlika dhe të gjitha grave të internuara nga komunizmi barbar gjysëm
shekullor në trojet shqiptare.
Me
ngushellime për familjet e persekutuara nga komunizmi, Mirakaj dhe Merlika!
Frank Shkreli
Fotot janë
marrë nga faqja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të
Shtetit (AIDSSH)














